E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trikalla, rajoni që po implementon i pari hapjen e kurseve për mësimin e shqipes

Ambasadori Minarolli ka patur një takim me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Trikalla, me të cilët ka folur për hapjen e kurseve për mësimin e shqipes, ndërkohë që përfaqësues të Dhomës së Tregtisë kanë shprehur interesimin për investime në Shqipëri, kryesisht në sektorët e ndërtimit dhe në energjetikë

Ambasadori shqiptar në Greqi, z. Vili Minarolli në datë 23 nëntor ka marrë pjesë në ceremonitë e hapjes së kurseve të reja të mësimit të gjuhës shqipe në rrethin e Trikallas dhe Kalambakas si dhe Bashkinë e Fikis. Me këtë rast, z. Minarolli ka zhvilluar takime të ngrohta dhe miqësore me autoritete lokale, me përfaqësues të dhomave të tregtisë, me qytetarë shqiptarë që jetojnë e punojnë në Greqi si dhe me nxënës shqiptarë të klasave fillore. Në këtë vizitë z. Minarolli shoqërohej nga Sekretari i Parë i Ambasadës shqiptare në Athinë z. Kleves Bitro. Vizita u bë e mundur edhe në përgjigje të ftesës që shoqata e emigrantëve të rrethit të Trikallës, të drejtuar nga z. Ilir Dibra, dërgoi për z Minarolli me rastin e hapjes së kurseve të gjuhës shqipe që duhet thënë se janë një dukuri sensibilizuese për të nxitur të gjithë prindërit shqiptarë që të flasin e t’u mësojnë më shumë shqip fëmijëve të tyre, sidomos atyre që lindin në Greqi. Në Kalambaka z. Minarolli e ka zhvilluar vizitën e tij në ambjentet e qendrës së puntorëve brenda së cilës u përurua edhe klasa e radhës së mësimit të gjuhës shqipe. Kanë qenë më shumë se 35 fëmijë, të cilët kanë pritur me duartrokitje dhe mjaft interes shpërndarjen e abetareve të gjuhës shqipe nga Ambasadori shqiptar. Ky i fundit në fjalën e tij u ka kujtuar prindërve se është në dijeni të shqetësimeve të tyre që lidhen me vonesat në dokumentacion, me problemet në lëvizjen e lirë, të punësimit etj, por para së gjithash u ka kërkuar këtyre prindërve më shumë përpjekje për të qenë më afër fëmijëve të tyre në mënyrë që këta të fundit të mos harrojnë gjuhën e nënës. Ceremonia ka qenë mbreslënëse ndërsa është ndjekur edhe nga Kryetari i Bashkisë së Kalabakës, z.Virona Butina që nga ana e tij ka premtuar të ndihmojë dhe inkurajojë bashkëpatriotët tanë në ndërmarrjet e tyre për mësimin e gjuhës shqipe tek fëmijët shqiptarë. Më pas z. Minarolli ka patur një takim me Prefektin e Trikalas, z. Ilia Vlakojanis si dhe me Kryetarin e Bashkisë së Kalabakas z. Virona Butina në zyrën e këtij të fundit. Në këtë takim kanë qenë të pranishëm edhe personazhe të emisionit “Fiks Fare” dhe mjaft gazetarë të mediave lokale. Gjatë takimit janë shkëmbyer mesazhe miqësie dhe mbështetjeje të nismave që kontribojnë në integrimin e emigrantëve shqiptarë tek shoqëria greke si dhe janë përshëndetur veprimet e autoriteteve vendore greke për të krijuarvtë gjitha kushtet e nevojshme që të ketë një përmbushje të dëshirave të nxënësve shqiptarë për të mësuar gjuhën e tyre. Interesante ka qenë edhe intervista e z. Minarolli dhënë për kanalin televiziv lokal të Trikalas “Kanali 10” ku i pyetur nëse do të kemi në të ardhmen ngritjen e shkollave të mirëfillta të arsimit shqiptar në Greqi, është përgjigjur se cështja e arsimimit të përgjithshëm të fëmijëve shqiptarë është zgjidhur brenda sistemit arsimor grek, ndërsa ajo që u kërkohet prindërve dhe nxënësve shqiptarë është mbajtja gjallë e gjuhës shqipe në nivelin e leximit dhe shkrimit si dhe komunikimit pa problem mes tyre në gjuhën amtare, gjë e cila i ndihmon të merren vesh dhe me të afërmit e tyre në Shqipëri gjatë kohës së shkëmbimeve të vizitave të ndërsjellta. Të njëjtat emocione kanë qenë edhe gjatë vizitës së z. Minarolli në Bashkinë e Fikis, ku Kryetari i Bashkisë z.Kristo Mamali e ka falenderuar Ambasadorin shqiptar për vizitën e tij duke e vlerësuar si nder që u bëhet emigrantëve shqiptarë dhe autoriteteve lokale të kësaj bashkie. Ai u interesua për vendosjen e mësimit të gjuhës shqipe në baza më moderne dhe më të plota juridike me qeverinë qëndrore të Greqisë, ndërsa u informua nga z. Minarolli se të dy qeveritë janë duke punuar për nënshkrimin e një marrëveshje të plotë për këtë cështje që vendos mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët e emigrantëve shqiptarë brenda institucioneve arsimore shtetërore greke, shkollave publike në rastin konkret, në klasa të organizuara dhe të plota, të zyrtarizuara nga Ministria e Arsimit të Greqisë mbi një bazë të plotë juridike të njohur tashmë në të gjitha vendet e BE-së. Takimi ka vazhduar me vizitën në klasën e sapo hapur të gjuhës shqipe në këtë Bashki ku Kryetari i Bashkisë greke dhe Ambasadori shqiptar kanë shpërndarë dhurata dhe abetare për mësimin e gjuhës amtare.
Më pas është zhvilluar një takim spontan i Ambasadorit Minarolli me dhjetëra qytetarë shqiptarë, prindër dhe të tjerë që ishin grumbulluar jashtë qendrës së hapjes së klasës së gjuhës shqipe e që interesoheshin për probleme të ndryshme. Diskutimi me ta ka qenë miqësor dhe aty u është dhënë përgjigje pyetjeve të ndryshme të emigrantëve. Për nder të z. Minarolli autoritetet lokale të Fikis kanë dhënë edhe një drekë ku kanë marrë pjesë drejtues dhe antarë të Këshillit Bashkiak nga të gjitha forcat politike si dhe biznesmenë të 5 komunave që përbënin Bashkinë e Fikis në bzë të ligjit të Kapodistrias që organizon njësitë administrative greke së fundmi. Interesimi i biznesmenëve grekë ka qenë për kuadrin ligjor, fushat e investimeve, mundësitë reale të fitimit dhe perspektivën e hapjes së reparteve të prodhimeve të ndryshme qoftë industriale apo blegtorale në Shqipëri. Nga ana e tij z Minarolli deklaroi se Shqipëria është një vend mikpritës dhe atraktiv për invesitmet e huaja, sidomos ato greke për shkak të numrit të emigrantëve në vendin fqinj që japin garanci për nivelin e punës dhe komunikimin në gjuhën greke edhe në Shqipëri ku edhe krahu i punës është një favor që ofron zhvillimi aktual i Shqipërisë. Z Minarolli ftoi biznesin grek që të investojë në Shqipëri në të gjitha ato fusha ku ka interes, ndërsa garantoi biznesmenët e mbledhur në këtë drekë zyrtare se do të kishin vëmendjen dhe mbrojtjen e qeverisë shqiptare në ndërmarrjen e tyre. Z Minarolli ka zhvilluar gjithashtu edhe një takim me përfaqësues të Dhomës së Tregëtisë së Trikalas ku janë diskutuar probleme të ndryshme të interesimit të biznesit për Shqipërinë. Ka patur pyetje dhe shqetësim për bllokimin e lejeve të ndërtimit të firmave greke që merren me ndërtime, kryesisht në Tiranë dhe në zonën e Dajtit dhe pyetje mbi ndikimin e krizës botërore ekonomike në sistemin bankar në Shqipëri .Z Minarolli ka sqaruar se bllokimi i lejeve të ndërtimit në Shqipëri është i përkohshëm e shumë shpejt me përfundimin e Planit Rregullues të Tiranës dhe zonave përreth do të marrë fund edhe pritja e biznesmenëve grekë. Për sa i përket krizës botërore z. Minarolli shprehu ndjesinë se Shqipëria do të prekej dukshëm më pak se vendet e ekonomive të mëdha nga kriza e se ndonjë ngurrim momental i sistemit bankar për të dhënë kredi do të tejkalohej shpejt sipas vlerësimeve edhe të vetë guvernatorit të përgjithshëm, z Fullani. Megjithatë sipas z. Minarolli në tregun shqiptar operojnë mjaft banka të besueshme me origjinë greke gjë që e bën situatën më pak të komplikuar. Ajo që u theksua nga z Minarolli është miratimi i buxhetit më të madh të Shqipërisë gjatë qeverisjes aktuale në më shumë se 5,2 miliardë dollarë ku pjesa kryesore shkon për infrastrukturën, energjinë etj. Z Minarolli bëri thirrje për investime në fushën energjitike, investime të inkurajuara nga ligji i koncesnsioneve dhe mundësia reale e Shqipërisë për hidrocentrale të të gjitha llojeve si dhe shfrytëzimin eolik (me erë) dhe burimeve të tjera alternative të energjisë. Z. Minarolli shprehu në takim edhe mendimin se një vizitë e Kryeministrit të Greqisë në Shqipëri do të ishte shenjë mjaft inkurajuese për biznesin grek dhe investimet greke në Shqipëri dhe një mesazh pozitiv për rritjen e klimës së besueshmërisë të këtij sektori. Takimi ka përmendur dhe mundësinë e rritjes së pjesmarësve grekë në panairet ndërkombëtare që organizohen në Tiranë si dhe rritjen e prezencës së biznesmenëve grekë në Shqipëri.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›