Edi Rama u jep lejen e zakonshme aleatëve opozitarë
(Nga cikli “Njerëz të humbur I”)
Nga e drejta për leje të zakonshme nuk mund të hiqet dorë: çdo marrëveshje ndërmjet punëdhënësit dhe punëtorit që parashikon një gjë të tillë është e pavlefshme. I vetmi përjashtim nga ky rregull parashikohet për kryetarët e partive opozitare shqiptare që vullnetarisht mund të mos pranojnë të shkojnë me leje. Mirëpo politika opozitare e ka shfrytëzuar më së miri këtë të drejtë kushtetuese të sanksionuar në Kodin e Punës socialiste. Pothuajse të gjithë kryetarët e partive opozitare kanë marrë lejen e zakonshme nga “hapja e kutive” dhe janë zhdukur krejt duke u kthyer pa dashje në personazhe të emisionit televiziv “Njerëz të Humbur”. Përpos luftës së bojës së zezë që zhvillon grafofili Preç Zogaj, asnjë tjetër opozitar ka dhuntinë t’i imponohet karantinës që ka vënë Edi Rama. Kontrata kolektive e grevës së urisë përcaktoi kohëzgjatjen minimale të lejes në varësi të periudhës efektive të punës së kryer. Edhe periudhat e marrjes në provë janë të vlefshme si kohë pune për përllogaritjen e lejes. Në përgjithësi, punëdhënësi Edi Rama, në përputhje me nevojat e ndërmarrjes Socialiste dhe të punonjësit militant, përcakton periudhën se kur mund të merret periudha e mbledhur e lejes; por parashikohet edhe mundësia që palët të bien dakord ndryshe.
Leja e zakonshme socialiste duhet të merret gjatë vitit sabatik e nuk mund të ndahet në më shumë se dy periudha. Punonjësi socialist që nuk gëzon të gjithë lejen, mund të marrë ditët e mbetura të saj në një datë tjetër të vendosur në mirëkuptim me punëdhënësin Edi Rama. Vetëm në raste të veçanta e të parashikuara shprehimisht nga ligji, leja e zakonshme mund të rimbursohet në para. Kështu, për shembull, në rast kur marrëdhënia e punës përfundon (rasti Erion Veliaj, Paskal Milo, Skënder Gjinushi, Spartak Ngjela, Nard Ndoka, Preç Zogaj, Fiqiri Xibri dhe Kurt Kola), punëdhënësi Edi Rama është i detyruar të paguajë punonjësin për të gjitha ditët e lejes që i takojnë por që nuk i ka marrë.
Gjithsesi, me kauzën e kutive të sajuara, Edi Rama për të mbajtur fronin e PS dhe për të gërryer qeverinë “Berisha” përdori të gjithë artilerinë që dispononte. Fenomeni i mbijetesës së tyre në politikë shfaqet vetëm kur tensionohet dhe nisin konfliktet e para verbale midis pozitës dhe opozitës, pasi për shembull çirakëve si Veliaj dhe Ngjela mund t’u jepet detyra të “kërcënojnë” me marrje pushteti me dhunë, si në 1997. Amplifikimi i aleatëve të Partisë Socialiste ndodh vetëm kur i shërbejnë Edi Ramës për të dhënë përshtypjen se mbështetet nga kategori të ndryshme shoqërore, nga një “popull opozitar”, nga njerëz që pa këto parti-vegla nuk do të përfaqësonin kauzën e opozitës përballë pozitës. Porse intensiteti i opinioneve të tyre bie proporcionalisht me ç’tensionimin e klimës politike, ku kinse këta liderë të partive të vogla nuk përbëjnë me “tërheqje” shikueshmërie. E gjitha kjo tregon se këta liderë janë vegla dhe ushtarë të bindshëm të një beteje më të madhe sesa interesat e atyre që përfaqësojnë. Tribunë mediatike si E. Veliaj, S. Ngjela, P. Zogaj, P. Milo dhe S. Gjinushi, për të qenë në sallonet e debateve televizive, luten dhe përgjërohen përpara Edi Ramës që të bëjë ndonjë sms që prezantuesi i këtyre emisioneve t’i ftojë sa më shpesh. Aleatët e PS-së, janë përbindësha me oreks të madh e stomak të vogël. Shumë shpejt aleatët e Ramës u gjenden jashtë jetës aktive politike e mediatike - bile nuk janë as në parlament, as në komisione parlamentare - për vullnet të shefit të opozitës, i cili sikurse mbahet mend bëri një kod zgjedhor posaçërisht për të eliminuar çdo ndikim të tyre në përdorimin e Pushtetit. Këtë tendencë Edi Rama e tregoi më së miri edhe gjatë fushatës elektorale, kur censuroi daljen e partive të vogla nëpër debatet televizive, duke e kushtëzuar kështu gjithçka vetëm me pjesëmarrjen e kandidatëve të PS-së për deputetë. Në këtë situatë, praktikisht nuk ekzistonte më një koalicion i majtë.