E Diel, 1 Nëntor 2026

Trinia e Kosovës

Beogradi shqiptoi stërthënien, “Serbia nuk e njeh e nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës”. Joe Biden me një stërhollim elegant të vendosmërisë amerikane, u përgjigj: ”Konsiderojmë se mund të pajtohem që rreth Kosovës nuk pajtohemi”. Serbia e di, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në dhjetë vite kohë, nuk i kanë dërguar për udhëtim turistik në Kosovë, tri figurat më të mëdha: në nëntor 1999, Presidentin Bill Klinton; në verën e vitit 2001, Presidentin Xhorxh Bush; dhe, më 21 maj 2009, Nënpresidentin Xhozef Bajden. Secili ka shpallur që Uashingtoni mbështet në çdo hap përparimin e shtetit të pavarur të Kosovës.
Serbia e di që, Republika e Kosovës po njihet në mënyrë bindëse dhe, Beogradi ndjehet i dëshpëruar pas çdo thirrjeje amerikane për njohje dhe pas çdo lajmi të ri njohjeje.
Serbia e di që, asaj i duhet të anëtarësohet në BE. Kjo i intereson të arrihet sa më shpejtë, duke gjykuar se Europa vetndjehet në borxh ndaj saj. Me këtë arsyetim Beogradi ëndërron që, nga brenda BE-së t’i mbyllë Kosovës derën për aty, duke përsëritur më vonë kundër saj, modelin e vetos së sotme greke ndaj Maqedonisë. Ndër të gjitha çështjet për të cilat Serbia lëshon retorikë a ndërmerr politikë, më e rëndësishme për të mbetet vetëm kjo: shpejtësia e anëtarësimit në BE. Brukseli i ka thënë fraza joshëse dhe Uashingtoni i ka shprehur mbështetje. Duke qenë se ky është proces që nuk kryhet as në një javë e as në një vit, plotësimi i kushteve nga Beogradi, dhe nga Kosova gjithashtu, për afrim të përditshëm me Brukselin, është i mirëpritur. Por, askush nuk mund të parashohë kohën e anëtarësimit të plotë. Nëse, deri atëherë, Serbia do ta ketë njohur pavarësinë e Kosovës, Beogradi do t’i ketë shërbyer vetvetes, më fort se çdo mbështetje europiane apo përkrahje amerikane. Nëse, deri atëherë, edhe pushtetarët e ardhshëm do të përsëritin fjalën “Kurrë!”, nuk ka zgjidhje tjetër përveçse, politikës serbe do t’i përcillet kumti që, rruga e Serbisë për në BE kalon nga Kosova. Atje, doemos, duhet të lexojnë saktë dy fjalët amerikane “ Nuk presim…” dhe “Ne presim..”, të shqiptuara nga Uashingtoni për ta: “Shtetet e Bashkuara nuk presin që Serbia të njohë Kosovën”, çka do të thotë që Kosova është e sigurtë dhe do të përparojë edhe pa njohjen serbe; dhe, “Ne presim që Serbia të bashkëpunojë me BE dhe faktorët e tjerë rreth Kosovës, të serbëve dhe shqiptarëve, duke shmangur, që ata të bëhen viktima të mospajtimeve politike”, çka do të thotë, ndërprisni sa më parë ngritjen, ndërsimin dhe mbështetjen e pushtetit paralel serb në Kosovë. Atë që në Beograd mund të mos e dinë mirë, a mos është që:
Serbia, vërtetë beson se do të kapërcejë pengesën e mosnjohjes së Kosovës dhe BE naive do t’ia hapë dyert për ta ngatërruar pastaj Brukselin nga zyrat e tij? Ambasadori Hollbruk, gjatë vizitës në Kosovë, pati paralajmëruar që, “Bashkimi Euriopian nuk duhet ta pranojë Serbinë në gjirin e tij, sepse nuk e ka njohur Kosovën dhe se ky do të ishte një gabim i madh dhe i rrezikshëm”. Nuk mund të jetë mendim vetjak e i shkëputur, i serbëve të rrethinave larg qendrës së tyre, deklarata e Oliver Ivanoviç, shtatorin e vitit të kaluar në BBC, që për Kosovën, “Rruga për në Bashkim Europian kalon nga Serbia”. Por, nga Serbia nuk kaloi as çlirimi, nuk kaloi as pavarësia, nuk do të kalojë as futja në NATO dhe anëtarësimi në BE.
Beogradi, vërtetë beson që nuk e kapërcen dot pengesën Kosovë, por për pushtet i duhet përpjekja e dyanshme: drejt BE për t’i shpenguar hapat e kushtëzuar dhe me hapat e hedhur të zbutet nacionalizmi serb, pjesë e të cilit është edhe vet pushteti?
Serbia, vërtetë beson se anëtarësimi i saj në BE do të jetë më i shpejtë se sa i Kosovës? Apo, në BE do të futen të dyja njëherësh? Ose, nëse Serbia futet më përpara, nuk do t’i vihet parakushti i njohjes së pavarësisë?
Serbia vazhdon të jetë një plagë politiko - sociale majisëse e nacionalizmit të vet nëpër Gadishull, që do të mbyllet me kohë dhe nuk do të lejohet t’i gjallërojë këta talebanë të mundur të Ballkanit. Nga gjithçka do të mbetet shenja, e cila do të ketë nëvojë për “kirurgji plastike”, për të mos u dukur keq?
Serbia nuk ka mundësi zgjedhjeje ndaj Kosovës. Ajo e di, dhe sapo iu ritha që, pavarësia është e pakthyeshme, absolutisht e pakthyeshme. Askush nuk i lutet asaj të besojë në Trininë, “E pandarë. E pavarur. Shumëetnike”, por do të detyrohet të respektojë popullin dhe vendin fqinj që, këto të tria, Kosova i zotëron, i nderon e i mbron si fe të vet.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›