E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brukseli çertifikon sot reformat e Shqipërisë, që do të sjellin heqjen e vizave, media pranë Ramës u referohet lajmeve serbe

Këshilli i Ministrave të Brendshëm të Komisionit Evropian njihet sot me një raport të detajuar të zbatimit të rekomandimeve nga ana e vendeve të Ballkanit Perëndimor, lidhur me reformat që do të çojnë në heqjen e regjimit të vizave. Shqipëria vlerësohet pozitivisht për nisjen e procesit të shpërndarjes së pasaportave biometrike, ndërkohë që ka përmbushur plotësisht detyrimet për çështjet e sigurisë dhe garantimin e kufijve. Vendimi për heqjen e vizave pritet të nisë zbatimit në fillim të 2010-s

TIRANE - Komisioni Evropian publikon sot raportin e saj në lidhje me ecurinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor për sa i përket përmbushjes së detyrimeve të përcaktuara nga Brukseli për të mbërritur sa më parë te liberalizimi i regjimit të vizave midis vendeve të unionit dhe atyre të rajonit.
Pjesë e këtij raporti është edhe vlerësimi i Komisionit Evropian dhe ekspertëve të vendeve anëtare për ecurinë e Shqipërisë mbi udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, paraqet në mënyrë të detajuar fushat në të cilat qeveria ka bërë përparime.
Sipas raportit njihet dhe vlerësohet vullneti politik i qeverisë shqiptare për të bashkëpunuar me autoritetet evropiane, për sa i përket këtij bllokut të udhërrëfyesit. Sipas raportit, “zbatimi i strategjive thelbesore mbi luften ndaj krimit te organizuar mbeten sfide kyçe per vendin”.
Mbi te drejtat themelore e marredheniet me jashte, ekspertet vleresojne se Shqiperia eshte ne drejtimin e duhur per te arritur standardet ne kete bllok.
Përkundër këtyre vlerësimeve të pritshme pozitive, ashtu si edhe disa ditë më parë edhe dje media të rreshtuara qartazi pranë opozitës së drejtuar nga Partia Socialiste kanë nxituar që të spekulojnë në lidhje me këtë raport, duke ju referuar dhe amplifikuar lajme të marra nga agjenci lajmesh serbe.
Duke pretenduar se e kanë siguruar në mënyrë “konfidenciale” raportin 600 faqesh njëra prej tyre pretendoi dje se si “në raportin konfidencial, edhe në dokumentacionin e plotë që shoqëron vlerësimin për Shqipërinë, pranohet e zezë mbi te bardhë, se vendi ynë nuk ka bërë detyrat e shtëpisë, e për këtë arsye është krejt e pamundur të rekomandohet heqja e regjimit të vizave për vitin 2010”.
“Krahas Shqipërisë, edhe Bosnja është prapa në këtë proces, ndërsa shanse të mira ka Maqedonia. Analistet e Brukselit thonë se, pak pritet të diskutohet për Shqipërinë, duke qenë se është thuajse e pranuar nga të gjithë se vendi ynë nuk ka shumë dilema përsa i takon refuzimit të heqjes së vizave. Raporti përmban konstatime krahasuese mes muajit nëntor 2008 e maj 2009, dhe sipas burimeve Shqipërisë do t’i duhet të paktën edhe një tjetër raport i vjeshtës, për të arritur në një përfundim që do të varet shumë nga zgjedhjet e qershorit”, u shpreh dje media e sipërcituar.
Çuditërisht më mënyrë identike të njëjtat fraza gjenden edhe tek një artikull që ka publikuar në datën 22 maj radio e njohur serbe B92, sipas së cilës vetëm Maqedonia përmbushte standardet e Bashkimit Evropian për lëvizjen e lirë pa viza në vendet e unionit. Ndërkaq po sipas kësaj radioje Serbia dhe Mali i Zi “kishin përmbushur shumicën e standardeve”. Duke cituar një “ekspert” në Bruksel që nuk citohet se kush është B92 shprehej se “Bosnja dhe Shqipëria dështuan në përmbushjen e standardeve”.
Një klasifikim i tillë është qartazi tendencioz dhe kjo në rastin e Beogradit mund të merret me mend, pasi dihet marrëdhëniet ende të acaruara për arsyet historike që dihen me Sarajevën dhe Tiranën. Por që ky burim aspak i besueshëm të merret si i mirëqenë dhe të transmetohet me ngazëllim edhe në Shqipëri kjo është e tepruar. Bosnja prej vitesh po negocion për mundësinë e nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, një hap që Shqipëria e ka konsumuar afro 3 vite më parë ndërsa dokumenti është ratifikuar nga të gjitha parlamentar e 27 vendeve anëtare. Bosnja veç të tjerash ka një specifikë të veçantë për shkak të enklavës etnike serbe nën okelion e Republikës së Serbëve të Bosnjës, ndërsa në shumë sektorë ka një prapambetje të theksuar, në një kohë që vendi ynë ka nënshkruar marrëveshjen e ndërmjetme me Bashkimin Evropian.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›