Brez pas brezi në shërbim të atdheut
E kaluara historike e shqiptarëve është e dhimbshme, por edhe e lavdishme. Një të kaluar të lavdishme e ka edhe Rugova Kreshnike, trevë e cila nëpër shekuj bëri qëndresë heroike kundër pushtuesve të huaj. Ajo përjetoi edhe masakra e terror ndër më të paparat në shekullin që lamë pas. Sikurse edhe shqiptarët në tërësi, ashtu edhe rugovasit në veçanti kaluan nëpër katrahura të ndryshme. Një të kaluar të tillë e pati edhe familja e Sadik Ramës nga Koshutani, njëri prej pasardhësve të Lekë Gjekës së Gjekë Stanishës së njohur për guximin e tij ndaj pushtuesve të huaj. Kjo familje tash e një shekull jeton në Bllagajë. Ajo njihet për trimëri e bujari, e cila brez pas brezi i doli zot atdheut dhe kombit. Kësaj familjeje të njohur, jo vetëm në Rugovë, në vitin 1912 serbo-malazezi Savë Petku i Kelmendit (ish-Nabergjani) ia vrau Bekë Sokolin e Sokol Tafës. Të njëjtin fat e pati edhe Shaban Sadiku, i biri i Sadik Ramës në nëntorin e vitit 1915, të cilin ushtria malazeze e kishte marrë në gazmendin e dasmës së të birit te axhës së tij, Brahim Bajramit dhe e kishin pushkatuar në hyrje të Pejës. Shabani ishte një burrë i guximshëm dhe i vendosur. Në qëndresën rugovase më 1919 kundër pushtuesve serbo-malazez, që ishin marrë vesh ta sulmojnë Rugovën nga të dyja anët, që ishte bërë në Tunelin e Parë në Grykë të Rugovës dhe në fshatrat e saj, morën pjesë edhe burrat e kësaj familjeje. Ishte 16 shkurti i vitit 1919 kur luftëtarët rugovas, pas harxhimit të municionit, obligohen të tërhiqen. Me këtë rast forcat armike ndërmarrin një aksion famëkeq duke mbledhur fshatarët e Shtupeqit të Vogël dhe të Shtupeqit të Madh për t’i djegur dhe masakruan mbi 100 veta në shtëpinë e Isuf Veselit po nga ky fshat. Në këtë masakër pësuan edhe dy vajzat e Mehmet Sadikut, Mirja dhe Shkurta 5- e 3-vjeçare, të cilat ishin me të ëmën të dajat e tyre. Asaj masakre i shpëton e ëma e tyre, e cila më 1920 e lindi Mustafë Mehmetin, të vetmin pasardhës të Mehmet Sadikut, i cili në luftën e fundit pati fatin e motrave dhe paraardhësve të tij, të vritet nga forcat serbe në shtëpinë e tij në Bllagajë më 11.5.1999. Mustafa ishte i vendosur ta mbrojë pragun e shtëpisë së tij edhe pse ishte i moshuar. Mustafë Mehmeti ishte maltretuar fizikisht rëndë edhe në protestat gjithëpopullore për mbrojtjen e shkollës shqipe. Martirit Mustafë M. Sadikut më 12.12.2003 nga Trupat e Mbrojtjes së Kosovës pos mortum i ndahet Mirënjohje për Sakrificën Sublime për Atdhe dhe Komb.
Nga kjo familje e kësaj vëllazërie të Muriqit pas Luftës se Dytë Botërore nga forcat malazeze vritet edhe Sadri Smajli, që ishte një luftëtar i njohur në Rugovë, të cilin partizanët e kishin pushkatuar në afërsi të Qafës së Çakorrit. Kjo familje dha burra të penës e të pushkës, siç ishte edhe Mustafë Rexhepi, epror ushtarak i asaj kohe, bashkëpunëtor i ngushtë i Emrush Miftarit, i cili u vra në Kullën e Sheremetit. Mustafa ishte i njohur për pushtuesit serbosllavë dhe në ndjekje e sipër zihet në Shkup dhe e sjellin në Pejë për ta pushkatuar me shumë të tjerë, të cilëve as sot e gjithë ditën nuk u dihet varri. Lavdi martirit Mustafë Mehmet Sadikut dhe të gjithë atyre që në etapa historike dhe në luftën e fundit nuk kursyen as jetën për liri dhe pavarësi të Kosovës!