E Diel, 1 Nëntor 2026

Sekuestrohen 20 kg marijuanë, nis procedimi për 3 persona

Sipas burimeve të policisë, sasia e drogës së kapur kishte ardhur nga Lazarati dhe kishte si destinacion tregun vendës

Gjirokastër Brenda një jave policia e Gjirokastrës ka goditur për të katërtën herë radhazi tentativat e trafikimit të lëndëve narkotike. Së fundi efektivat e antidrogës në Gjirokastër, kanë sekuestruar rreth 20 kilogramë marijuanë, e cila kishte si destinacion zonën e Shqipërisë së Mesme si dhe kanë nisur procedimin penal për tre persona, të dyshuar se janë përfshirë në këtë rast të trafikut të lëndëve narkotike nga Lazarati në drejtim të zonave të tjera të vendit. “Madje, informacionet që ne dispononim bënin fjalë se transportuesit e kësaj ngarkese, për të shmangur postbllokun e policisë të ngritur në zonën e Uji të Ftohtë Tepelenë, do të përdornin si rrugë kalimi për trafikimin e lëndës narkotike rrugën këmbësore anës lumit Drino, për të vijuar më pas mespërmes pyllit në zonën turistike të Ujit të Ftohtë”, thonë burimet policore. Mbështetur mbi këto informacione, specialistët e antidrogës kanë ngritur grupe shërbimi duke mbajtur nën vëzhgim të vazhdueshëm itinerarin, i cili mund të përdorej nga transportuesit e lëndës narkotike. Gjatë veprimeve të saj për kontrollin e zonës, rreth orës 02.30 duke u gdhirë dita e diel, në vendin e quajtur Shkëmbi i Memecit dhe këmba e Urës së Ali Pashait, anës lumit Drino, midis Ujit të Ftohtë dhe fshatit Hormovë, policia konstatoi dy thasë plastmasi, ku brenda tyre kishte pako të mbushura me lëndë narkotike. “Në këtë situatë ne mbajtëm nën vëzhgim zonën, duke pritur edhe personin që do të vinte të merrte sasinë e drogës për ta transportuar në itinerarin në drejtim të Ujit të Ftohtë”, thonë agjentët e antidrogës në policinë e Gjirokastrës. Pas gati 30 minutash agjentët policorë kanë pikasur personin që po lëvizte në drejtim të vendit ku ishte ngarkesa me drogë. Menjëherë specialistët e antidrogës kanë bërë arrestimin e tij në flagrancë, ndërkohë që i ndaluari është identifikuar nga policia si 21-vjeçari me inicialet L.K., lindur dhe banues në Gjirokastër. Gjatë kontrollit të imtësishëm të ngarkesës me drogë grupi hetimor ka konstatuar se në njërin thes kishte 9 pako, ndërsa në thesin tjetër kishte 8 pako, të mbështjella me letër natriban, gjithsej 17 pako në formë cilindrike, me peshë të ndryshme, që në total kishin rreth 20 kilogramë marijuanë. Sipas skemës së ngritur nga policia për këtë rast të trafikimit të lëndëve narkotike, rreth 20 kilogramë marijuanë janë transportuar fillimisht me automjet nga shtetasi me inicialet N.B. nga Gjirokastra, i cili është shpallur person në kërkim. Rreth një kilometër larg postbllokut të policisë në Ujin e Ftohtë ai ka nxjerrë nga bagazhi i mjetit dy thasët e plastmasit të mbushur me lëndë narkotike dhe i ka fshehur anës lumit Drino, me qëllim transportin me krah deri në anën tjetër të postbllokut të policisë, transport i cili do të kryhej nga 21-vjeçari i ndaluar nga policia, thonë burime në grupin hetimor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›