E Shtunë, 31 Tetor 2026

Triumf i Milanit, Napolinjë i “vdekur” në fushë

MILANO-Milani ka nisur shkëputjen finale drejt titullit kampion, pas fitores 3-0 të arritur sonte në “San Siro” ndaj rivalëve të Napolit. Kuqezinjtë kanë dominuar në çdo aspekt përballë një skuadre, që megjithëse përpara kësaj jave mbante vendin e dytë, në fushë ka bërë rolin e të vdekurit. Arsyeja? Asnjë goditje në portë dhe asnjë rast i rrezikshëm në harkun e 90 minutave tregojnë shumë gjëra për ekipin e Valter Maxarrit. Edinson Kavani, padyshim një nga protagonistët kryesorë të këtij sezoni në Serinë A, ka qenë gjatë gjithë kohës i izoluar, ndërkohë që skuadra nuk ka bërë thuajse asgjë për ta vënë në pozita goli. Në krahun tjetër, Milani ka marrë atë çfarë ka dashur, 3 pikët, duke u ngjitur në kuotën 58, 5 më shumë se Interi. Problemi i kuqezinjve ka qenë vetëm zhbllokimi i rezultatit dhe kjo për hir të së vërtetës ka ardhur pas një penalltie tepër të dyshimtë të dhënë nga arbitri, për një prekje me dorë të Aronikas. Më pas, ndeshja ka qenë si një stërvitore për ekipin e Alegrit, që ka shënuar edhe dy herë të tjera. Por, heroi i mbrëmjes ka qenë padyshim një i vetëm, Aleksandre Pato. Sulmuesi brazilian arriti të shënonte një gol të mrekullueshëm dhe të jepte asistin e golit të dytë, duke treguar se mbetet gjithnjë deciziv për Milanin. Pato kishte debutuar në Serinë A pikërisht në një ndeshje ndaj Napolit në janarin e vitit 2008, ndërsa edhe atëherë arriti të shënonte një gol.
Ndeshja
Takimi i sotëm nisi me dy skuadra të kujdesshme, ndërkohë që atmosfera e “San Siros” u duk se e trembi disi Napolin. Në pjesën e parë pak raste për t’u shënuar, përveç një momenti të Mark Van Bomel, që edhe pse i vetëm me De Sanktis, nuk arrin të shënojë, pasi Aronika largon topin. Por, pjesa e dytë ka nisur krejt ndryshe për Milanin. Pas vetëm 3 minutash, arbitri jep një penallti më shumë se të dyshimtë. Topi i larguar me kokë në Kanavaro mbeti në ajër dhe Aronika kërcen njëkohësisht me Paton, duke e prekur disi me dorë. U duk e pavullnetshme, por për gjyqtarin ishte 11-metërsh, ç’ka habiti edhe vetë lojtarët e Milanit. Nga pika e bardhë Ibrahimoviç nuk fali dhe kaloi kuqezinjtë në avantazh. Edhe pas golit, në fushë ka qenë vetëm Milani, që i është afruar shumë golit me anë të Robinjos. 12 minuta para fundit, pas një kundërsulmi të shpejtë, Pato pason për Kevin Prins Boateng, që e dërgon topin në rrjetë për herë të dytë. Praktikisht ndeshja u mbyll këtu, por Milani realizoi edhe një gol të tretë, pas një tjetër kundërsulmi. Aleksandre Pato këtë herë shënoi vetë, duke mos prefeurar pasimin për Ibrën, por duke mposhtur me një goditje alla-braziliane De Sanktis. Festë në stadium, ndërsa javën tjetër, Milani luan me Juventusin në Torino.

SERIA A
Juventus-Bolonja 0-2
Katania-Xhenoa 2-1
Roma-Parma 2-2
Bari-Fiorentina 1-1
Breshia-Leçe 2-2
Kaljari-Lacio 1-0
Çezena-Kievo 1-0
Palermo-Udineze 0-7
Sampdoria-Inter 0-2
Sot
Milan-Napoli 3-0
RENDITJA
Milan 58
Inter 53
Napoli 52
Lacio 48
Udineze 47
Roma 43
Juventus 41
Palermo 40
Kaljari 38
Xhenoa 35
Bolonja 35
Fiorentina 34
Kievo 31
Sampdoria 31
Katania 29
Parma 28
Leçe 28
Çezena 25
Breshia 24
Bari 16

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›