Triumfi i Francës shpëton euron

Ekonomistët, që deklarohen si tifozë të futbollit, përmendin disa raste që duhet shmangur në mënyrë të veçantë: ato janë fitorja e Anglisë, e Danimarkës apo Suedisë. Megjithëse vende anëtare të Bashkimit Evropian, këto tri vende nuk e përdorin euron, ndaj fitorja e tyre jo vetëm nuk do t'i jepte ndonjë hov Eurozonës, por përkundrazi, do të inkurajonte euroskepticizmin.
A mos duhet që Evropianin e futbollit ta fitojnë vende të Eurozonës, të përfshirë nga kriza e borxheve sovrane si Spanja, Greqia apo Portugalia? Përsëri analistët përgjigjen negativisht. Sipas tyre, këto vende po ndihmohen nga vende më stabile ndaj fitorja e Kampionatit evropian të futbollit do të kishte një ndikim minimal dhe nuk do të mjaftonte për të zgjidhur hallet e tyre.
Atëherë cilat vende duhet ta fitojnë europianin, për të shpëtuar monedhën e përbashkët? Analistët e ekonomisë përgjigjen: Gjermani, Itali, Holandë dhe sidomos... Franca. Po, po, Franca duhet të fitojë, sepse Franca është vend i madh, prej nga kanë dalë politikat kryesore evropiane, nuk është i përfshirë nga kriza, por është afër zonës së kuqe të rrezikut.