E Diel, 1 Nëntor 2026

Triumfi i PD në Ballagat, tregues i bashkimit të shqiptarëve me alternativën qeverisëse të Berishës

Komuna e Ballagatit do të drejtohet nga kandidati demokrat Sherbet Sharka. Komisioni Zonal i Administrimit të Zgjedhjeve i komunës Ballagat, të rrethit të Lushnjes, ku të dielën u zhvilluan zgjedhjet e pjesshme lokale për kreun e komunës, shpalli fitues kandidatin e PD-së, Sherbet Sharka, i cili mori 1065 vota, kundrejt 394 vota që kishte kandidati socialist, Neshat Sharka.
Me një diference prej 672 votash ai ka fituar ndaj rivalit politik njëkohësisht dhe kushëririt të tij Neshat Sharka. Gara elektorale për kreun e komunës Ballagat u zhvillua e qetë dhe pa probleme në tetë qendrat e votimit, ndërsa në votime morën pjesë rreth 1460 zgjedhës nga 2600 votues të regjistruar në listat zgjedhore.
Sipas kryetarit të KZAZ procesi nuk pati probleme apo kontestime nga palët. I vetmi shqetësim ishte ndërprerja e energjisë elektrike për shkak të një defekti, gjë që u normalizua pas 20 minutash. Zgjedhjet e pjesshme lokale në komunën Ballagat u zhvilluan pas shkarkimit për abuzime me detyrën të ish-kryekomunarit Fatos Sharka.
Komuna Ballagat është një nga komunat më të mëdha të rrethit të Lushnjes, me rreth 3600 banorë të shpërndarë në 8 fshatra. Qendra e komunës ndodhet 10 km në juglindje të qytetit të Lushnjes. Ajo ka nën administrim një territor me sipërfaqe rreth 1800 ha , ku dominojnë toka arë dhe blloqe me frutikulturë. Komuna është e pasur me rezervuare natyrore.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›