Kryeministri vlerëson veprën dhe kontributin letrar të shkrimtarit të Petro Markos
Kryeministri inauguron sheshin “Petro Marko” në qendër të fshatit Dhërmi. “Petro Marko, nderi i kombit, pranoi persekutimin komunist, por jo dashurinë për lirinë e njeriut”
TIRANE - Kryeministri Sali Berisha, në vijim të vizitës së tij në fshatrat e bregut të Jonit, inauguroi dje sheshin “Petro Marko”, në qendër të fshatit Dhërmi. Investimi në këtë shesh kap shifrën prej 7 milionë lekë dhe përfshin shtrimin e 1150 metrave katrorë kalldrëme të qëndrueshme, sistemin e largimit të ujërave të shiut, ndriçimin e plotë të sheshit dhe të shkallëve që të çojnë në të, si dhe rikonstruksionin e 150 metrave katrorë të veshjes me pllaka të sheshit.
Kreu i qeverisë vlerësoi punën e bërë në ndërtimin e këtij sheshi, duke e konsideruar të rëndësishëm, jo vetëm për infrastrukturën e brendshme të Dhërmiut, por edhe me ndikim në potencialet turistike të këtij fshati.
Duke u ndalur para shtëpisë së shkrimtarit të njohur Petro Marko, kryeministri theksoi që kjo shtëpi duhet të kthehet në shtëpi muze.
“Petro Marko është një kapiten i vërtetë i letrave shqiptare. Por jo vetëm kaq. Ai ishte një burrë që e deshi lirinë dhe ishte i vendosur të bënte çdo sakrificë për të. Aq sa duhet të bënte një njeri për lirinë, Petro Marko e bëri gjatë gjithë jetës së tij. U gëzova kur mora vesh se Qarku e ka nderuar me titullin ‘Nderi i Qarkut’. Por në të vërtetë ai është nderi i kombit. Ndaj dhe Ministria e Kulturës do të marrë përsipër gjatë vitit që vjen të rindërtojë shtëpinë muze të tij, sikundër të hapë një konkurs për të derdhur në bronz bustin e shkrimtarit të madh, një nga burrat më të shquar të mendimit shqiptar dhe një luftëtar i paepur i lirisë që në vitet e rinisë. Gjersa vdiq pranoi shumë privacione, pranoi persekutimin, por nuk pranoi të dorëzonte dashurinë e tij për lirinë dhe dinjitetin njerëzor. Pas kryerjes së investimit të parë për sheshin e Dhërmiut, tani duhet të bëjmë investimin tjetër për të nderuar shkrimtarin e madh, duke e ngritur shtëpinë muze dhe për të vendosur bustin e tij, në mënyrë që të shprehim nderimin e madh ndaj tij. Por nga ana tjetër edhe të gjithë ata që vijnë në këtë zonë të njohin burrat e shquar që ka nxjerrë bregu dhe ndër ta, Petro Marko është ndër më të shquarit për mbarë shqiptarët”, u shpreh kryeministri.
Kreu i qeverisë Berisha shprehu vlerësimet edhe për një tjetër personalitet të kësaj zone, Spiro Çomorrën.
“Spiro Çomorra ka qenë një intelektual me shpirt të pamposhtur, i cili ka lënë vendit ndër krijimet më të bukura”, vlerësoi më tej kryeministri Berisha.