Trofeu "Taçi Oil". Reali Madridit mund 2-1 Gramozin

Real Madrid është fituesi i edicionit të tretë të trofeut Taçi-Oil, pas fitores 2-1 kundër Gramozit të Ersekës. Spanjollët në fakt e kanë dominuar krejt takimin, por janë surprizuar në fillim nga një gol i shpejtë i Daniel Xhafës. Dos Santos është shkëputur në të djathtë ka krosuar për vlonjatin, që me kokë mposht portierin Dudek. Nuk ka mundur të tregojë më shumë se kaq skuadra kolonjare, që është vënë nën presionin e madrilenëve. Kaka, Cristiano Ronaldo e Raul dhurojnë spektaklin e pritur nga tifozët në shkallët e stadiumit.
Loja e Real Madrid është e bukur për tu parë, por goli do të vonojë,
edhe për meritë të portierit Shehi. Megjithatë barazimi për spanjollët
shënohet nga Kaka, që ka mbërritur i përpiktë në krosimin e Cristiano
Ronaldos. Zëvendësimet e dy trajnerëve i japin ritëm lojës, por rastet
më të mira i kanë merenges. Raul nuk arrin të shënojë, ndërsa më pas
edhe Benzema provon pa rezultat. Por gjithsesi tentativat e Real
kurorëzohen me sukses nga sulmuesi francez, Benzema, që përballë
portierit nuk gabon.
2-1 dhe asgjë nuk ndryshon deri në fundin e lojës, që i dorëzon
kapitenit të Real Madrid trofeun Taci Oil. Kështu, pas Tiranës dhe
Milan, është Real Madrid skuadra fituese e këtij edicioni.
Eno Skarço