E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trojka në Athinë për krizën, grekët protestojnë

Përfaqësuesit e trojkës (FMN, BE dhe BQE) zbresin sot në Athinë për të vazhduar tratativat me qeverinë greke për reformat strukturale të nevojshme për shërimin e ekonomisë së vendit. Reformat u ndërprenë një muaj më parë, pasi sipas komisionerit europian për çështjet ekonomike, Oli Ren, qeveria greke nuk e kishte respektuar programin e hartuar në marrëveshjen me trojkën.

Sipas mediave greke, tre përfaqësuesit  Paul Tomsen, Matthias Mors e Claus Mazuch do të kalojnë nën lente tre pjesë të planit të shpëtimit, duke përfunduar në këtë mënyrë raportin e ndërprerë një muaj më parë dhe duke i hapur rrugë dhënies së këstit të gjashtë të huasë prej 110 miliardë eurosh për qeverinë greke. Pjesa e parë e planit ka të bëjë me shkurtimet në sektorin publik, pezullimin e përkohshëm nga puna dhe heqjen e enteve të panevojshme publike për të reduktuar shpenzimet. Pjesa e dytë e planit ka të bëjë asistencën sociale dhe pensionet dhe e treta me të ardhurat e shtetit.

Ndërkohë, masave të planit të shpëtimit, punonjësit grekë u janë përgjigjur me bllokimin e hyrjes së disa ministrive. Rreth 200 punonjës kanë bllokuar hyrjen e Ministrisë së Ekonomisë, duke ngulur këmbë se do të rrinë aty të paktën 48 orë për të penguar takimin e ministrit Venizellos me përfaqësuesit e trojkës.

Një formë e tillë proteste është përdorur edhe nga punonjës të 5 institucioneve qeveritare të tjera sot në Athinë. Ndërkohë, qarkullimi normal është kthyer në rrugët e vendit, pas grevës 48-orëshe të trasnportit publik javën e kaluar, por taksistët vijojnë protestën e tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›