Trojka shtyn vizitën në Greqi, ankth për këstin e ri

Samaras me disa nga ministrat e tij
Samaras e Rapanos ende në spital, mungesa e tyre vonon negociatat
Përfaqësuesit e tre kreditorëve të mëdhenj të Greqisë nuk do ta vizitojnë sot Athinën, duke ngritur dyshime mbi mbërritjen në kohë të këstit të ri të huas për vendin në krizë.
Kësti i ri, që është pjesë e paketës prej 130 miliardë eurosh që Greqia ka marrë nga BE, BQE dhe FMN, do të miratohej (ose jo) pas raportit të përfaqësuesve të Trojkës. Ndërkohë, ekonomistët e qeverisë greke janë shprehur se vendi ka para deri në korrik. Në muajin maj, qeveria e përkohshme greke vendosi të pezullojë të gjitha projektet qeveritare për të kursyer para për pagat dhe pensionet e qershorit. Arsyeja që u dha për shtyrjen e vizitës së Trojkës ishte sëmundja e Kryeministrit grek, Antonis Samaras dhe ministrit të Financave, Vasilis Rapanos, të cilët ishin dy personat që duhej të kishin komunikim direkt me anëtarët e Trojkës. Një zyrtar i lartë tha për Reuters se vizita e Trojkës është shtyrë për shkak të sëmundjes së z. Samaras dhe z. Rapanos. Zyrtarët e Trojkës do ta vizitojnë në një tjetër ditë më të përshtatshme Greqinë dhe data do të shpallet gjatë ditëve në vijim. Samaras sapo ka kryer një operacion në sy, ndërsa Rapanos kaloi një gjendje debulese e të fikëti, me temperaturë të lartë dhe është ende nën mbikëqyrjen e mjekëve. Të dy ata nuk mund të udhëtojnë me avion për të marrë pjesë në Samitin e rëndësishëm të 28 dhe 29 qershorit në Bruksel, ku kryesisht do të diskutohej mbi Greqinë dhe problemet e borxhit në vendet e eurozonës. Në samit do të diskutohet mbi dokumentin që ka formuluar qeveria greke për tolerim në afatet e pagesës së kësteve dhe realizimit të reformave, për të mos rënduar më me masa të reja kursimi dhe shkurtime të reja nga puna për popullin grek. Dokumenti, pjesë të të cilit u botuan në media, parimisht e ka marrë një përgjigje negative të krerëve të BE-së nëpërmjet deklaratave mediatike. Por, premtimi nga zyrtarë gjermanë gjatë fundjavës elektorale, se nëse do të fitonin forcat pro-memorandumit do të rishikoheshin afatet e reformave, lë një hapësirë për të shpresuar ende se kjo mund të ndodhë.
Mungesa në Samit
Kryeministri grek, Antonis Samaras, kreu të shtunën në mëngjes operacionin në retinën e syrit. Sipas mjekut të tij, për disa kohë ai nuk lejohet të udhëtoje as me makinë dhe as me avion dhe kjo nuk i lejon pjesëmarrjen në Samitin e 28-29 qershorit në Bruksel. Po ashtu, edhe ministri i emëruar i Financave, Vasilis Rapanos, nuk merr dot pjesë në samit për arsye shëndetësore.
Rinegocimi
Koalicioni qeverisës i Samaras ka kërkuar rinegocimin e kushteve të paketës së huas me kreditorët ndërkombëtarë, duke lehtësuar disi masat e dhimbshme të kursimi për popullin grek. Qeveria e Samaras përballet me një sfidë të fortë, ku pikërisht Gjermania, e cila kundërshton rinegocimin e kushteve të huas, është ajo që ka peshë në vendimet e Samitit dyditor të BE-së. Në samit Greqia do të përfaqësohet nga ministri i Jashtëm, Dimitris Avramopulos dhe ministri në largim i Financave, Jorgo Zanias.Shaubëll
Ministri gjerman i Financave, Volfgang Shaubëll, i cili njihet për gjuhën e ashpër ndaj borxhit grek dhe mënyrave për ta shlyer atë, tha se Greqia tashmë ka përfituar shumë nga besimi i Europës. Detyra më e rëndësishme që ka Kryeministri i ri grek Samaras, është zbatimi i programit për të cilin është rënë dakord. Këtë ai duhet të bëjë shpejt dhe pa vonesa të tjera. Është më mirë sesa të merret me kritikat se çfarë duhet të bëjnë më shumë të huajt për Greqinë, tha ai në gazetën gjermane Bild am Sonntag.