Turqia mbledh NATO-n për rrëzimin e avionit
Rrëzimi i një avioni ushtarak turk me dy pilotë në bord nga goditjet e Ushtrisë siriane shënuan incidentin më të fortë mes dy vendeve që pas nisjes së protestave kundër Presidentit sirian Bashar Al Asad, rreth 15 muaj më parë, duke rrezikuar krisjen për një kohë të gjatë të marrëdhënies mes tyre. Avioni turk u rrëzua në brigjet mesdhetare afër provincës siriane Latakia dhe provincës jugore turke, Hatay. Presidenti Gul tha se dy palët po diskutojnë në nivele të larta dhe se po kryhen hetime për këtë ngjarje, për të vendosur nëse ishte agresion, apo akt mbrojtjeje, siç pretendojnë autoritetet siriane. Pas përfundimit të hetimit, Presidenti turk u shpreh dje se avioni turk kishte qenë në hapësirën ndërkombëtare dhe trupat siriane nuk kishin asnjë të drejtë të qëllonin në drejtim të tij. Ndërkohë, sulmi mbi avionin turk të rrëzuar nga forcat siriane do të shqyrtohet sot në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së. Ndërsa të martën, Turqia ka thirrur një takim të NATO-s mbi këtë çështje. Sipas zëdhënëses së NATO-s në Bruksel, Oana Lungesku, Turqia ka kërkuar konsultime në bazë të nenit 4 të Traktatit të Uashingtonit. Në këtë nen thuhet se secili prej aleatëve mund të kërkojë konsultime kur krijohet përshtypja se integriteti territorial, pavarësia politike ose siguria e tij kërcënohet. Takimin e konfirmoi edhe ministri i Jashtëm i Turqisë, Ahmet Davutoglu, i cili shkroi në adresën e tij zyrtare se vendi ka kërkuar një takim emergjent me NATO-n, që do të zhvillohet gjatë javës. Ai konfirmoi se avioni ishte sulmuar në hapësirën ndërkombëtare. Këshilli i Përhershëm i NATO-s do të informohet mbi këtë, tha ministri i Jashtëm turk. Ai përmendi mbledhjen e takimit, në bazë të nenit katër të Traktatit të NATO-s, i cili flet për rrezikim të integritetit territorial dhe agresion, por nuk përmendi nenin 5, i cili thotë se agresioni ndaj një vendi të NATO-s konsiderohet agresion ndaj të gjithë anëtarëve të Aleancës dhe detyron një përgjigje të përqendruar. Besohet se vendimi për këtë do të merret në takimin e së martës në Bruksel.
Marrëdhëniet politike
Turqia ka shprehur simpati për rebelët që duan ta rrëzojnë nga pushteti Presidentin sirian, Bashar Al Asad. Pas shumë thirrjesh nga Kryeministri turk, Rexhep Tayip Erdogan, për Presidentin sirian Bashar Al Asad mbi ndërprerjen e represionit dhe dhunës ndaj popullatës civile dhe dorëzimin e pushtetit, përgjigja e Asad ishte vrasja e disa refugjatëve në një kamp brenda territorit turk dhe vazhdimi i dhunës. Pas kësaj, autoritetet turke mbështetën lëvizjen rebele në Siri, ndërsa kanë vazhduar paralajmërimet për Asad.