E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tronditen institucionet e pavarura



BBC

Gati dy dekada nga vendosja e pluralizmit politik në Shqipëri, ndarja dhe ekuilibri delikat i pushteteve duket se është tronditur sërisht. Këtë radhë në fokus është vënë drejtësia shqiptare dhe veçmas prokuroria. Shkak është bërë angazhimi i ligjshëm i saj në zbardhjen e ngjarjes së përgjakshme të 21 janarit, ku tre persona humbën jetën, ndërsa dhjetra të tjerë u plagosën, pasi demonstrues të opozitës dhe trupa të policisë dhe gardës u përleshën midis tyre para godinës së qeverisë. Prokuroria ka lëshuar urdhër-arrestet për drejtues të Gardës së Republikës, të cilët akuzohen si të implikuar në këtë ngjarje, por policia e shtetit nuk ka pranuar t’i zbatojë këto urdhëra, duke i quajtur të gabuar. Ky qëndrim i saj duket se është frymëzuar nga maxhoranca. Deputetë të saj kanë lëshuar akuza mbi prokurorinë, veçmas ndaj Prokurores së Përgjithshme Ina Rama, se është bërë “pjesë dhe aktore e grushtit të paramenduar të shtetit”, duke lëshuar urdhër-arrestet pa asnjë hetim për ata që maxhoranca i cilëson si “heronj që mbrojtën Këshillin e Ministrave dhe Kryeministrin e Vendit”. Vetë kryeministri Berisha ka shkuar më tej. Ai bëri të ditur se ka shpërblyer punonjësit e gardës dhe punonjësit e policisë të pranishëm në ngjarjet e 21 janarit. Ky qëndrim ka sjell një reagim mjaftë të ashpër nga opozita. Kreu i saj Edi Rama tha se “Heroizmi i vrasësve dhe sulmi ndaj Prokurores janë këmbana më e fortë e alarmit. S’ka dhunë shtetërore që ta marrë peng Shqipërinë” tha Rama. Por maxhoranca nuk është ndalur. Me urgjencë ajo ka mbledhur parlamentin dhe në mungesë të opozitës ka ngritur një komision parlamentar i cili do të hetojë jo vetëm ngjarjet e 21 janarit, por edhe veprimtarinë e prokurorisë dhe shërbimit inteligjent. Analistë të ndryshëm i shikojnë në këndvështrime të ndryshme. Ish i përndjekuri politik, publicist Fatos Luboja thotë për BBC se kjo është një ngjarje që duket se i hap rrugën një pushteti të vetëm në Shqipëri. “Mund të ketë ndonjë problematikë tek prokuroria, ndoshta nën presion popullor, ndoshta mund të ishte më e matur, por nga ana tjetër refuzimi nga ana e organeve të ekzekutivit për t’a ekzekutuar këtë urdhër është që të humbasësh çdo lloj shprese, në këtë vend nuk mund të ketë drejtësi” thotë zoti Lubonja.
Sipas tij prej kohësh në Shqipëri “mbizotëron kultura e më të fortit i cili zapton gjithçka, kontrollon më të dobtin dhe institucionet…” ndërsa tani “gati sikur del haptazi dhe në njëfarë mënyre kriza e madhe institucionale që ka Shqipëria, ku kemi dy forca politike të cilat janë rreshtuar në një betejë finale të pushtetit final.
Duket sikur ky polarizim nuk lë më hapësirë për ato instrumenta, ato institucione të cilat duhet të garantojnë ligjin dhe demokracinë në vend.
Polarizimi që erdhi gjatë këtyre ditëve të fundit këtu arrin kulmin” thotë për BBC publicisti Fatos Lubonja. Ndërkaq për analistin Mustafa Nano, gjithshka bëhet nga qeveria për të fshehur ato çka ngjanë më 21 janar para selisë së saj.
“Kam parashikuar që kryeministri nuk do t’i dorëzojë 6 gardistët. Kam menduar se do gjendeshin forma më elegante, gardistët do humbnin nga qarkullimi, do zhdukeshin diku për njëfarë kohe sa të fitontë kohë pushteti, por nuk e kisha menduar që kryeministri dhe qeveria në mënyrë spektakolare, të qartë do të refuzonin të zbatonin një urdhër të prokurorisë” thotë zoti Nano. “Me këtë gjest mendoj se i demostrohet gjithë botës se në Tiranë nuk ka një pushtet të dalë nga vota e lirë, por ka një regjim i cili kërkon të fshehë një krim. Kam përshtypjen që tani shqiptarët edhe komuniteti ndërkombëtar që ndjek zhvillimet shqiptare, është bindur se mohimi i transparencës ka synuar të fshehë një krim elektoral. Përsëris dhe insistoj se ajo që ka ndodhur prej më shumë se 24 orësh, pra mos dorëzimi i gardistëve të kërkuar nga prokuroria, është një dhunim spektakolar i të gjitha kodeve dhe shtetit të së drejtës, i ligjeve tona, i kushtetutës, i pavarësisë së prokurorisë.
Qysh nga ky moment nuk kemi më institucione të pavarura…. E shoh situatën mjaft dramatike në Shqipëri” përfundon opinionin e tij për BBC analisti Mustafa Nano.
Për analistin Alban Bala “Konflikti i fundit me prokurorinë është në fakt vetëm episodi i dytë i një ngjarje qe ka filluar në rrugë përpara kryeministrisë”.
Ai sugjeron “ që presidenti i vendit të thërrasë me urgjencë mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Sigurisë për të adresuar çështje të cilat cënojnë drejtpërsëdrejti integritetin e brenshëm dhe atë kombëtar të vendit”.
“Kam bindjen, thotë zoti Bala, se dëshpërimisht opozita tani është në pozitën që tani të shpëtojë ç‘të mundet, ndërkohë që mazhoranca ka shansin që të dëshmojë maksimumin e pjekurisë për të realizuar një bashkëpunim të gjithanshëm me ndërkombëtarët, me prokurorinë për të filluar dialogun."

25 Janar 2011

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›