Tronditet Polonia. Presidenti e shumë shtetarë, viktima të një aksidenti ajror
Presidenti i Polonisë, Lech Kaczynski, bashkëshortja e tij, guvernatori i Bankës Qendrore të Polonisë, shefi i ushtrisë dhe shumë zyrtarë të lartë të vendit kanë mbetur të vrarë dje pas përplasjes së avionit me të cilin udhëtonin. Ishte një përplasje që ndodhi në një fushë me mjegull, në afërsi të një aeroporti rus, që ka marrë jetën e 97 personave që ndodheshin në bord. Kryeministri polak, Donald Tusk, e ka konsideruar këtë përplasje fatale, si “ngjarja më tragjike që ka përjetuar Polonia që pas Luftës së Dytë Botërore”. Me fytyrë të trishtuar dhe i veshur me kostum dhe kravatë të zezë, Tusk deklaroi se do të shkonte në vendin e ngjarjes. Kryeministri rus, Putin, i telefonoi Tusk, dhe dje edhe ai shkoi në vendin e përplasjes. Vdekja e Presidentit, i cili qeverisi Poloninë për një periudhë kohe së bashku me vëllain binjak, sjell një paqartësi politike në vend. Zgjedhjet e ardhshme presidenciale ishin parashikuar për t’u mbajtur në tetor, por pas kësaj humbjeje ato do të zhvillohen brenda një periudhe dymujore, sipas Kushtetutës. Gruaja e Presidentit dhe disa zyrtarë të lartë të qeverisë ishin gjithashtu në bordin e “Tupolev Tu-154”, i cili u përplas në një pyll rreth dy kilometra larg qytetit perëndimor rus të Smelenskut. Sipas një zëdhënësi të qeverisë vendore të qytetit, piloti i avionit dhe gabimi i tij ishin përgjegjës të përplasjes. Në vendin ku është shembur avioni, pas tragjedisë kanë shkuar menjëherë shumë njerëz, ndërkohë që të shumtë kanë qenë edhe polakët e grumbulluar para pallatit presidencial në Varshavë. Ata kanë vendosur lule dhe kurora në kangjellat e tij.
Kaczynski, 60 vjeç, ka qenë njëherë e një kohë aleat i heroit të lëvizjes “Solidariteti”, Lech Walesa, dhe bashkëthemelues i Partisë për Ligj dhe Drejtësi, së bashku me vëllain e tij. Ai u tërhoq nga partia kur u bë President i vendit, në vitin 2005, por vazhdoi gjithsesi që të ishte një mbështetës i saj. Sipas një burimi të partisë, binjaku i tij, Jaroslav, nuk ishte në bordin e avionit të përplasur. Vdekja e Presidentit polak, së bashku me shumë zyrtarë të lartë të vendit dhe të partisë, e ka ndryshuar krejtësisht natyrën e politikës polake. “Pasojat politike do të jenë afatgjata dhe do të ndryshojnë të gjithë peizazhin e politikës së vendit”, deklaroi një analist politik dhe njohës i mirë i politikës së vendit. Në Poloni, ndërsa roli i Presidentit është kryesisht simbolik, ai mund të vendosë veton për sa i përket miratimit të ligjeve dhe të bllokojë nisma të ndryshme ligjore. Lech Kaczynski e ka nervozuar disa herë qeverinë e Kryeministrit Tusk, për vonesa në miratimin e ligjeve të caktuara me rëndësi për vendin, përfshi atë të kujdesit shëndetësor dhe reformat ë tjera. Kryetari i Dhomës së Ulët të Parlamentit, Komorowski, është emëruar menjëherë Presidenti i Polonisë, në vend të të ndjerit që humbi jetën mëngjesin e së shtunës, në tokën ruse. Kryetari është gjithashtu kandidat presidencial për zgjedhjet e ardhshme, data e zhvillimit të të cilave është afruar me dy muaj.
Ndërkaq, televizioni rus ka shfaqur zonën në të cilën ndodhi përplasja dhe pamjet e avionit tërësisht të shkatërruar e djegur. Avioni ishte një nga dy “Tupolev TU-154” të flotës së qeverisë polake, por bëhet fjalë për avionë që, edhe pse kanë qenë të mirë, ishin të vjetër, me rreth 20 vjet fluturime. Zyrtarët e qeverisë, prej kohësh ankoheshin në lidhje me vjetërsinë e tyre dhe faktin që kjo mund t’i bënte të rrezikshëm. Sipas burimeve të Ministrisë së Brendshme ruse, në bordin e avionit ndodheshin 97 persona, përfshi 88 anëtarë të delegacionit polak që kishte shkuar në Rusi, për të përkujtuar polakët që u vranë masivisht nga Stalini, në vitin 1940. Fillimisht lajmet ishin për vrasjen e 132 personave në bord. Guvernatori i Smolensk-ut, Sergei Antufyev, dhe agjencia e lajmeve polake, PAP, bënë të ditur se nuk kishte të mbijetuar nga tragjedia. Një zyrtar i një misioni kontrolli rus bëri të ditur se piloti ishte njoftuar për të mos u ulur në aeroportin e afërt, por të fluturonte në Moskë, apo në Minsk, për shkak të kushteve atmosferike të këqija, por piloti nuk kishte dëgjuar që ta ndiqte këtë këshillë. Ministri polak i Drejtësisë tha se ai do të drejtonte një hetim të posaçëm të përplasjes së avionit, në të cilin humbën jetën dhjetëra persona. Edhe Presidenti rus, Medvedev, dhe Kryeministri Putin, do të ndërmarrin hetime dhe do të bashkëpunojnë edhe me drejtësinë polake.
Ndër viktimat më të rëndësishme për nga posti, që ndodheshin në avion, ishte dhe guvernatori i Bankës Qendrore të Polonisë, 47 vjeç, i cili ishte në këtë detyrë që nga viti 2007, shefi i ushtrisë polake dhe zëvendësministri i Jashtëm. Analistët thonë se pavarësisht se bëhet fjalë për një ngjarje të rëndë, stabiliteti ekonomik i vendit nuk do të kërcënohet dhe kjo humbje nuk do të ndihet nga tregjet financiare. Në bordin e avionit ndodheshin edhe disa nga familjarët e viktimave të masakrës së Stalinit, që shoqëronin delegacionin e lartë qeveritar, që ndodhej në një vizitë në Rusi.