E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eton, kolegji që prodhon kryeministrat anglezë

18 kryeministra britanikë kanë dalë nga klasat e “Eton College”, shkolla private më e famshme në botë. Por ky numër së shpejti mund të shkojë 19 nëse edhe David Cameron, lideri i konservatorëve, do të fitojë zgjedhjet e 6 majit

çfarë doni të bëheni kur të rriteni? “Kryeministra sigurisht”, përgjigjen njëzëri të rinjtë e veshur me frak, biondë, bukuroshë, elegantë, me libra nën krah dhe përshtypjen e atyre që janë gati për të pushtuar botën. Pas asaj që thanë të gjithë nisin që të qeshin. Por në fakt, kjo nuk është aspak një batutë. 18 kryeministra britanikë kanë dalë nga klasat e “Eton College”, shkolla private më e famshme në botë. Por ky numër së shpejti mund të shkojë 19 nëse edhe David Cameron, lideri i Partisë Konservatore, do të fitojë zgjedhjet e 6 majit. Ky lice, vetëm për meshkuj, i themeluar në vitin 1440 në Henri VI anës Tamizit (nga ana tjetër e lumit ngrihet kështjella Windsor), disa kilometra larg Londrës është prej shekujsh burimi nga i cili del klasa drejtuese kombëtare dhe ndërkombëtare. Aty nuk prodhohen vetëm kryeministra, por edhe mbretër (përfshi këtu edhe princin William, i dyti në radhë për fronin e Elisabetës) burra shteti, diplomatë, biznesmenë, përveçse shkrimtarë, shkencëtarë dhe intelektualë me famë botërore. Të gjithë pa përjashtim janë ulur në bankat e tij. Kjo është një e dhënë që na bën të mendojmë se edhe David Cameron do të ketë fatin e të gjithë atyre që dalin nga kjo shkollë. Edhe pse jemi afërsisht një muaj larg nga votimet për zgjedhjet e përgjithshme, fushata e tij elektorale po humbet pikë, ndërsa laburisti Gordon Brown po fiton gjithmonë e më shumë përkrahje. Një nga arsyet e “rënies” së Cameron duket se është pikërisht, “emri” i fabrikës nga ka dalë, kolegji “Eton”. Britania e Madhe e shekullit të 21-të, pyesin lexuesit dhe komentatorët, mund të drejtohet ende nga një lider që ka të stampuar privilegjin, elitarizmin, apo klasin e mishëruar nga shkolla e sovranëve aristokratë? Ai e pranon vetë i pari. “Po, nëse zgjedhjet do të bazoheshin në pyetjen nuk duam një Kryeministër, shik, elegant, të rafinuar sigurisht që nuk do të jem unë ai që do fitojë”, tha kohët e fundit në një intervistë kandidati i “Tory”, të cilit i mjafton vetëm të hapë gojë për të treguar përmes theksit përkatësinë e tij të pangatërrueshme sociale. Nuk e ndihmon as fakti se pas diplomimit në “Eton” dhe regjistrimit në “Oxford” Cameron është bërë anëtar i “Bullingdon Club”, klubi ekskluziv vetëm për të pasurit që visheshin shik, deheshin dhe kishin zakon të shkatërronin pub-et ku organizonin takime, sepse për të paguar dëmet mendonin prindërit. Një foto ku ka dalë me uniformën e Bullingdon, bashkë me kolegët e tij të partisë George Osborne dhe Boris Johnson, kryetar i Bashkisë së Londrës, bëri që Cameron të humbiste më shumë simpatizantë sesa nga ndonjë sulm i mundshëm që mund t’i bënte Brown në Parlament. Për të ndërtuar plotësisht imazhin e tij si një “Eton Boy”, mund të përmendim faktin se gruaja e tij, Samantha, është vajza e sir Reginald Adrian Berkeley Sheffield, familja pasardhëse e Mbretit Karl. Por tani “Eton” nuk është më si më parë. Sa për të nisur, në vitin 1983 futi ndëshkimet trupore: "flogging" (rrahjen me kamxhik) ku drejtori i shkollës apo mësuesi gjuante një student në të ndenjura me shkop, përpara shokëve të klasës që kjo procedurë të shërbente si mësim për të gjithë.

John Keate, drejtor i shkollës nga viti 1803 deri në 1834, u bë i famshëm pasi kishte goditur publikisht 80 të rinj vetëm në një ditë. Nga viti 1980 është ndaluar edhe "fagging", zakoni që studentët e viteve të fundit përdornin më të rinjtë si shërbëtor duke i fyer dhe ofenduar (tani fajtori përjashtohet menjëherë nga shkolla pa asnjë paralajmërim). “Një hyrje e parakohshme në mizorinë njerëzore, tradhtinë dhe dhimbjen ekstreme fizike”, kështu Alan Clark, ministri i shkëlqyer i Mbrojtjes britanike, i përmblodhi vitet e tij të kaluara në “Eton”. Ndoshta për këtë arsye një student me karakter më të dobët, Princi Dipendra i Nepalit, kur u kthye në atdhe pasi përfundoi vitet e shkollimit në kolegjin prestigjioz të “Etonit”, masakroi tetë anëtarë të familjes, përfshi babanë, Mbretin Birendra, vëllain, Princin Nirajan, që si për koincidencë edhe ata kishin studiuar në “Eton”. Të tjera gjëra kanë ndryshuar. Sot “Eton” ofron bursa studimi për më të zotët, ka një drejtor mysliman, i lejon studentët të dalin në fundjavë. Ajo që nuk ka ndryshuar, përveç pagesës prej 24 mijë sterlina në vit (27 mijë euro) është fraku si uniformë për leksionet dhe niveli i institucionit: mësues të shkëlqyer dhe pasionuar dhe struktura përrallore njëlloj si ato të para nëpër filma. “Ishin djem të rritur, shakaxhinj, me aftësi të jashtëzakonshme për t’u lidhur me njëri-tjetrin dhe për të parë jetën”, kujton John Le Carrè, që dha mësim në “Eton” në vitet ‘50. Rezultati paradoksal i një eksperience kaq të kujdesshme, formuese, të virtytshme është se shumë prej tyre nuk mund ta zëvendësojnë. “Disa prej tyre përfundojnë duke u martuar me motrat e shokëve të kursit në mënyrë që të ngelen në një farë mënyre të lidhur përgjithmonë me një farë klubi etonian”, thotë Nick Fraser, autori i "The importance of being Eton", një libër për shkollën më të mirë në botë, pasi edhe ai vetë është një ish-etonian. Por përveç raporteve farefisnore, kuptohet që klubi i “Etonit” krijon disa lloje të tjera raportesh që i garantojnë ish-nxënësve të tij sukses dhe karrierë. “Mafia e Etonit”, i quante John Prescott, zëvendëskryeministër në kohën e Blair dhe një njeri që pëlqehej shumë në popull, ata që dilnin prej aty. Në klubin e “Etonit” gjërat ecin me trashëgimi: 40 për qind e etonianëve në kohën e sotme kanë një baba, dajë apo gjysh që ka dalë nga kjo shkollë. Pikërisht këtu nis edhe problemi i David Cameron. Edhe pse shpesh vesh xhinse dhe jo kostume me kravatë, u ndërron pelenat fëmijëve, shkon në Parlament me biçikletë, (edhe pse ndiqet nga një limuzinë që i mban çantën lideri i konservatorëve perceptohet si produkt i një elite anakroniste, të dalë jashtë mode dhe shumë antipatike. Nuk ka asnjë dyshim që Cameron e ka ndryshuar Partinë Konservatore duke u mbështetur në pika më të rëndësishme si ambienti, shëndeti publik apo mirëqenia. Megjithatë, ardhja e tij dhe e anëtarëve të tjerë të kabinetit konservator nga “Eton” u kujton njerëzve se konservatorët në fund të fundit janë gjithmonë të njëjtët: partia e të pasurve dhe e të privilegjuarve. është e vërtetë se nga Eton kanë dalë plot 18 kryeministra, por i fundit Alec Douglas-Home, shkoi në “Downing street” në vitin 1963, dhe të tetëmbëdhjetë u përkisnin konservatorëve. Sigurisht edhe Tony Blair ka studiuar në Oxford: por nuk u bë pjesë e “Bullingdon Club” dhe vinte nga një familje modeste. Cameron, me theksin dhe imazhin e tij të rafinuar nuk ka mundur të identifikohet me klasën e mesme, d.m.th me mazhorancën e popullsisë, siç bëri laburisti Tony Blair apo Kryeministrja konservatore, gruaja e hekurt, Margharet Thatcher. “Nëse nuk do të kishte studiuar në “Eton” në vitin 1990 do të isha bërë unë Kryeministër”, shkruan në kujtimet e tij, Douglas Hurd, ministër i Punëve të Jashtme në kohën e Thatcherit. Përkundrazi, “Tory”-t preferuan John Major, që vinte nga një shkollë shtetërore, ashtu si 93 për qind e qytetarëve britanikë. David Cameron ka frikë se një ditë do t’i duhet të shkruajë për të njëjtat motive, diçka të tillë në kujtimet e tij, por me ndryshimin që në vend të tij në “Downing Street” nuk do ishte ndonjë konservator tjetër, por laburisti Gordon Brown. “Pavarësisht mutacioneve të mëdha sociale në 20 vitet e fundit, në këtë vend diferencat mes shtresave shoqërore ekzistojnë akoma”, thotë Mike Savage, drejtor i qendrës së kërkimeve sociologjike të Universitetit të Mançesterit. Këtë plagë më mirë se kushdo tjetër zgjedhësve britanikë ua kujton “Etoni”. Në këtë fushatë zgjedhore, për herë të parë do të jepen drejtpërsëdrejti në ekranin e televizorit debatet mes tre liderëve të partive kryesore që do të garojnë. Rrjetet televizive kryesore kanë njoftuar emisionet prej 90 minutash që do të paraqesin debatet mes kandidatëve gjatë gjithë muajit të fushatës. Partitë kryesore dhe një grup partish më të vogla do të luftojnë për të zënë sa më shumë vende në Parlamentin me 650 të tilla. Për sa i përket Partisë Laburiste, ajo do të hyjë në këtë garë pas 13 vitesh që ka pasur pushtetin në Britaninë e Madhe dhe me një shumicë prej 48 vendesh në Parlament.

Kolegji i elitës

“Eton” është shkolla më e famshme më prestigjioze dhe më e kushtueshme në Britaninë e Madhe e vendosur në Eton, në Berkshire. Në 560 vitet e fundit ka formuar dhe shkolluar një numër të madh artistësh, shkrimtarësh, politikanësh dhe anëtarë të familjes mbretërore. Mes nxënësve të saj më të shquar mund të përmendim Dukën e Uellingtonit, burrat e shtetit, William Pitt, dhe Robert Walpole, shkrimtarët Horace Walpole dhe George Orwell, poetin romantik, Percy Bysshe Shelley, dhe Princin Harry, nipi i Mbretëreshës Elizabet. “Eton” është një shkollë vetëm për meshkuj që u ndërtua me dëshirën e Mbretit Henri VI në vitin 1400, me emrin “King's College of Our Lady of Eton beside Windsor”. Instituti u krijua me qëllimin për të mësuar dhe përgatitur studentë të zotë që më vonë mund të bënin pjesë pa asnjë vështirësi në universitete të tilla si “Oxford” dhe “Cambridge”. Vetë Henri VI, në 1441, ndërtoi “King's College Cambridge” për të krijuar një vazhdimësi ideale mes kolegjit dhe universitetit. Sovrani ishte i interesuar personalisht për projektin e ndërtimit të shkollës dhe për këtë ndryshimet në ndërtimin e ndërtesës ishin shumë të mëdha. Sot kjo shkollë ka rreth 1300 studentë me moshë nga 13 deri në 18 vjeç. Lëndët që studiohen aty janë të ndryshme dhe variojnë nga fusha humane tek ajo shkencore dhe klasike: matematikë, biologji, fizikë, informatikë, kimi, latinisht, greqisht, histori, gjeografi, histori arti, ekonomi, gjuhë të huaja. Me një shumë prej 27.500 euro në vit, “Eton” mbetet shkolla private më e shtrenjtë dhe më e mirë në botë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›