Tronditet Siria, anijet luftarake amerikane nisen drejt portit Tartus

Një lajm i bërë publik nga sajti egjiptian Youm Sabaa ka tronditur Sirinë dhe sigurinë e këtij shteti. Nga këto burime bëhet e ditur se disa anije luftarake amerikane janë nisur drejt këtij shteti dhe pritet që të ndalen në portin e Tartus në Siri. Gjithashtu, mësohet se në këtë port ndodhen edhe tre anije luftarake ruse.
Vetëm pak orë më parë këto anije kanë kaluar Kanalin e Suezit në Egjipt për të shkuar drejt Sirisë. Ndërkombëtarët i kishin bërë thirrje Sirisë që të ndalë dhunën kundrejt protestuesve, pasi në të kundërt këto vende do të ndërhynin ushtarakisht.
Shifrat tragjike të të vrarëve nga protestat në Siri flasin për 4 mijë të vrarë dhe rreth 400 fëmijë, nga të cilët 56 janë vrarë vetëm në muajin nëntor.