E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tropojë, breshëri automatiku mbi 48- vjeçarin

Persona nga një automjet kanë hapur zjarr ndaj shtetasit Sadri Metalia, duke e lënë të vdekur në vend, ndërkohë që është plagosur nga të shtënat edhe një shitëse një një dyqan mishi. Autorët nuk dihen ende, por burime të policisë theksojnë se kjo vrasje ka për motiv gjakmarrjen 

TROPOJE- Vazhdojnë vrasjet e mistershme në Tropojë. Sot në mesditë një 48 vjeçar është ekzekutuar me breshëri automatiku në qendër të Tropojës. Sadri Metalia, i cili ka qenë ish-drejtor i KESH në Tropojë ka humbur jetën si pasojë e plumbave që ka marrë. Ndërkohë që një shitëse mishi e ndodhur aty pranë, Rabie Malaj ka mbetur e plagosur nga të shtënat dhe gjendja e saj paraqitet kritike, pasi plumbat e kanë kapur në pjesën e kokës.

Ngjarja ka ndodhur në bulevardin kryesor të qytetit, kur persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të 48-vjeçarit.

“Persona nga një automjet kanë hapur zjarr ndaj atij, duke e lënë të vdekur në vend, ndërkohë që është plagosur nga të shtënat edhe një shitëse një një dyqan mishi në këtë zonë”- thanë burimet policore.

Autorët nuk dihen ende, por burime të policisë theksojnë se kjo vrasje ka për motiv gjakmarrjen, pasi rreth dy vjet më parë vëllezërit e viktimës kishin plagosur me pasojë vdekjen Tahir Brecanin. Që prej vitit 1997, rezultojnë të vrarë rreth 160 vetë të vrarë me motive hakmarrje.

Policia është duke hetuar për zbardhjen e ngjarjes dhe është vënë në ndjekje të autorëve.

(O.Zh BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›