Tropojë, gjendet i vetëvarur në pemë 13-vjeçari
TROPOJE Një ngjarje e rëndë tronditi fshatin Dejan të komunës Bujan në Tropojë mbrëmjen e së enjtes. Një djalë 13-vjeçar, banor i këtij fshati u gjet i vetëvarur me litar, në një pemë të kopshtit të shtëpisë së tij. Trupi i pajetë i viktimës, me inicialet E.B., u gjet disa minuta më vonë nga e ëma e tij, rreth orës 19:30. Nuk dihet ende sesa kohë më parë i mituri kishte kryer vetëflijimin, por mjekët e Spitalit të Bajram Currit konfirmuan faktin se ai kishte ndërruar jetë kur e kanë dërguar në urgjencë. Tronditja e familjes ka qenë e madhe, pasi ata nuk kishin pikasur asnjë shenjë tek sjellja e djalit të tyre. Viktima, nxënës i klasës së shtatë kishte pak kohë që kishte dalë nga shtëpia dhe askush nuk ishte shqetësuar për të, deri në momentin kur ra nata dhe e ëma ka dalë për ta thirrur jashtë. Menjëherë është ngritur grupi hetimor për të zbardhur shkaqet e ngjarjes. Mësohet se nga pyetjet që përfaqësuesit e grupit hetimor u kanë bërë prindërve, shokëve dhe mësuesve të viktimës, nuk rezulton që ai të ketë shfaqur më parë probleme për ta shtyrë drejt aktit vetëflijues. Materialet për këtë çështje i kaluan Prokurorisë së rrethit të Bajram Currit për të vazhduar hetimet dhe zbardhjen e plotë të saj. j.h