Dinamo nuk stërvitet, është e pakënaqur
Bojkot apo jo, por dje tek Dinamo nuk ka pasur stërvitje. Edhe pse të gjithë kanë qenë gati për stërvitjen e pasdites rreth orës 16:30, askush nuk ka zbritur në fushën me bar artificial. Të rinjtë kanë dalë të bëjnë vrap tek Kodrat e Liqenit, ndërsa pas gati 20 minutash nga kalimi i kohës së fillimit të stërvitjes, lojtarët e tjerë kanë nisur të largohen një nga një. Madje, askush prej tyre nuk është zhveshur. E po kështu dhe stafi teknik i Dinamos. Sa për informacion, dje ishin bërë gati dhe punonjësit e mensës për ti bërë darkën lojtarëve, por edhe ata janë larguar. Lojtarët nën zë kanë pranuar që kanë të paktën 5-6 muaj që nuk kanë marrë rrogat e tyre. Duket paksa e çuditshme, sepse presidenca dinamovite ka dhënë vetëm një ditë përpara ndeshjes me Teutën në kampionat premion e kalimit në finalen e Kupës së Shqipërisë që shkon në 1 mijë dollarë për kokë. Por, nuk duket se ka mjaftuar për të qetësuar lojtarët, të cilët nuk kanë marrë rrogat, por as këstet e kontratës. Dhe në këto kushte, pavarësisht se askush nuk ka pasur guximin të prononcohet zyrtarisht për mediat, e kanë pranuar nën zë që e kanë bojkotuar. Por, gjithsesi, nuk duket se është bojkot normal i stërvitjes, edhe sepse nuk ishte situata për të tilla gjëra, aq më shumë që Dinamo në këtë periudhë është në vështirësi, teksa është përpara ndeshjes me Kastriotin apo dhe përpara finales së Kupës, më 19 maj.