E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Për arsye pune, shtyj kongresin e Partisë Demokratike

Shtyhen zgjedhjet e 12 dhjetorit brenda Partisë Demokratike. Axhenda e ngjeshur e Kryeministrit Berisha, i cili është edhe kandidati i vetëm për postin e kreut të partisë, ka qenë arsyeja kryesore pse Partia Demokratike i lë zgjedhjet brenda saj për një moment të dytë. Lajmi është konfirmuar mbrëmjen e djeshme vonë nga Kryeministri Sali Berisha, gjatë një interviste në emisionin "Log" në TVSH. "Më duhet të korrigjoj datën. Kryesia ka vendosur të mblidhet në datën 12, por mund të ketë një shtyrje date për shkak të një obligimi madhor timin, megjithatë do ta shqyrtoj. 12 nuk mund të jetë", është shprehur Berisha. Shkaku i shtyrjes së kongresit është aktiviteti i ngjeshur i Kryeministrit gjatë mesit të muajit dhjetor. Kreu i qeverisë theksoi se zgjedhjet për kreun e ri të Partisë Demokratike mbahen në një kohë kur kjo parti ka fituar pushtetin. Kryeministri siguroi se për sa u përket kërkesave të tjera, ky kongres mblidhet me kurorën e fitores, u mblodh para zgjedhjeve për të shpalosur programin e Shqipërisë Europiane, dhe mblidhet pas zgjedhjeve si kurorë fitoreje. "Mblidhemi fitimtarë, diskutimet bëhen hapur, vendimet do të jenë tërësisht demokratike, në tërësi ajo çka do të them për kuvendin e Partisë Demokratike, është kuvendi i fitores. Jo më kot e lamë me dy faza, në rast se do kishim humbur zgjedhjet, sigurisht do bënim analizën e humbjes, tani kemi fituar, kemi fituar me dinjitet, kemi fituar me proces zgjedhor të lirë, na takonte ne t‘i jepnim vendit zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe hyjmë në këtë kongres më krenarë se kurrë", theksoi Berisha. Në intervistën e tij, Kryeministri nuk kurseu as akuzat ndaj kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama. "Edi Rama nuk ishte në 8 dhjetor, as në 9 e as në 10, dhe kur miku im e nxori nga media, i thashë përse e nxore nga media, më tha, qelbej erë, ishte i palarë", tha Berisha. Kryeministri i ka paraprirë edhe festimit më 8 dhjetor në Tiranë, duke e paralelizuar atë me protestat e socialistëve. "Edvin Rama e ka krahasuar me mitingun e 13 korrikut, ishin të gjithë ata që sot janë nën shpurën e Edi Ramës, ishte Namik Dokle, ishte i ati i Edi Ramës, ishte Skënder Gjinushi, ishte Xhelil Gjoni, i ati i deputetit, ishin të gjithë nomenklaturat që janë strukturat e Edi Ramës, e kanë vendosur ta rikujtojnë si Vaterlo, le ta rikujtojnë, ajo është dita e ngadhënjimit. Vërtet e ngadhënjimit të madh", tha Berisha. Ai e cilësoi këtë si ditën më mbresëlënëse të jetës së tij. "Të krahasosh 8 dhjetorin me mitingun e Ramiz Alisë për të ngritur Murin e Berlinit, krahason të pakrahasueshmen", tha Berisha.

Kryeministri foli edhe dialogun e munguar mes mazhorancës dhe opozitës, duke thënë se dialogu do të bëhet vetëm nëse ata hyjnë në Parlament. "Kanë kërkuar që të hyjnë në dialog që të gjitha qeveritë e botës. Jo thotë ky, hap kutitë, se ky nuk është vetë në Parlament. Ka një rëndësi tjetër madhore, të cilën unë shumë shpejt do t`ua faktoj shqiptarëve një për një. Arsyeja e tij madhore qëndron në aleancën punisto-mafioze, por ky është një problem", tha Berisha. Lidhur me kontestimet e opozitës për zgjedhjet, Berisha u përgjigj se "i them kontesto sa të duash, dola i përshëndeta protestuesit, prapë do i përshëndes, s`kam asnjë problem me ata, problemin e kam me një njeri, të cilin e gënjen mendja se meqë nuk e mori dot karrigen me votë, mund ta marrë karrige me protesta. I ka bërë hesapet shumë gabim".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›