E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekzekutohet në mes të Tiranës i forti i Burrelit

Viktima njihej si një person problematik për drejtësinë shqiptare, dhe madje për shumë vite është cilësuar si “Kapo i Burrelit”. Mbi ekzekutimin e tij dyshohet pista e hakmarrjes

Tre plumba të nxjerrë nga një pistoletë me silenciator kanë ekzekutuar të fortin e Burrelit. Donald Dedja alias Halit Dedja, 45 vjeç është gjendur i vrarë dje, pranë hyrjes së pallatit, ai ishte i fundmi i tre vëllezërve matjanë Dedja, dhe dyshohet se sikundër dy vëllezërit e tjerë është vrarë për motive hakmarrjeje. Sipas policisë, Dedja ka qenë i dyshuar disa herë për vrasje dhe krime të tjera të rënda, por që asnjëherë nuk është mundur të mblidheshin prova të mjaftueshme për t’i dokumentuar këto akuza. Viktima, sipas burimeve zyrtare të policisë, ishte ish-oficer i forcave të ndërhyrjes së shpejtë të policisë shqiptare. Dedja njihej si një person problematik, për drejtësinë Shqiptare, dhe madje për shumë vite është cilësuar si “Kapo i Burrelit” . 45-vjeçari ka pasur hasmëri, pasi në familjen e tij janë vrarë 2 vëllezërit e tjerë dhe babai i tij. Banda e njohur me emrin “Dedja” në qytetin e Burrelit është krijuar përpara vitit 1997, në krye të së cilës ishin tre vëllezërit Dedja. Vëllai i madh i tyre, Haliti, i vetmi i mbijetuar nga seriali i gjatë i vrasjeve të ndërsjella me bandën Kola. Viktima kishte krijuar dhe drejtonte një polici private. Pranë trupit të tij janë gjetur një shotgun dhe një pistoletë, që dyshohet se Dedja i kishte me vete, për tu vetëmbrojtur. Edhe pse motivet e krimit janë ende të paqarta, policia nuk lë jashtë mundësinë e një krimi si pjesë e rivalitetit të vjetër.

Ngjarja

Ndërsa 45-vjeçari ka qenë duke dalë nga pallati i tij, pranë vendit të njohur si ish - Uzina Enver, ai është ekzekutua me anë të një pistoletë me silenciator, nga persona ende të paidentifikuar nga policia e Tiranës. Kanë qenë banorët e pallateve pranë të cilët kanë vënë re edhe trupin që ndodhej i shtrirë aty pranë. Ngjarja ka ndodhur në orën 9:30 të mëngjesit të së enjtes, në një rrugicë pranë bllokut të pallateve të reja midis ish uzinës Enver dhe Nesharakut në Tiranë. Dyshohet për një ekzekutim të pastër pasi plumbi ka dalë nga një pistolete me silenciator, ndërkohë që efektivë policie shkuan në vendgjarje dhe nisen hetimet. Dëshmitarë të rastit kanë qenë banorët e pallateve pranë, të cilët kanë dëshmuar se nuk kanë dëgjuar të shtëna, duke shtuar dyshimet për një vrasje të kryer me silenciator.

Hetimi

Në vendngjarje menjëherë kanë mbërritur forca të Komisariatit të Policisë nr. 2, si dhe oficerë të policisë për Hetimin e Krimeve të Rënda, të cilët kanë bërë sigurimin dhe këqyrjen e vendit të ngjarjes, duke mbledhur dhe administruar provat. Duke pasur parasysh historinë e familjes Dedja, burime nga kjo polici tha se pista kryesore që po hetohet në lidhje me vrasjen e Halit Dedes është ajo e hakmarrjes së mundshme lidhur me krimet që i faturoheshin ish-oficerit që vitet e fundit kishte krijuar një polici private. Ndërkaq burime nga policia shprehen se vrasja mund te jete kryer nga vrasës me pagesë, duke marrë parasysh faktin se vendi për vendin e vrasjes dhe se si askush nuk ka parë asgjë në ato momente. Burime nga policia shprehen për gazetën “Standard” se Dedja mund të ketë qenë në dijeni të një atentati të mundshëm, kjo ishte edhe arsyeja pse 45-vjeçari kishte me vete një pistoletë dhe një armë të tipit shotgan. Ndërsa kanë filluar edhe hetimet e policisë që do të sjellin edhe zbardhjen e vrasjen qe tronditi sot zonën e ish-uzinës “Enver”.

Hasmëria me Kolajt

Hasmëritë apo problemet e tjera kanë shuar dje familjen Dedja nga Burreli.

Halit Dedes më parë i janë vrarë dy vëllezër dhe babai, ndërkohë që dje është eliminuar edhe ai. Megjithëse ruhej fort nga rivalët, dje ai e ka çuar në katër numrin e viktimave nga një familje. Familja e tij dhe Kolajt janë përfshirë në konflikte të armatosura në pranverën e vitit 1997, kur në sheshin “Demokarcia” ekzekutohet me armë zjarri vëllai i vogël i Halitit, Gazmiri, babai i dy fëmijëve. Mësohet se për vrasjen e tij Policia e Shtetit dhe prokuroria kanë akuzuar Faslli Kolën, tashmë i dënuar me 17 vjet burg. Kola është ekstraduar nga Anglia dhe vuan dënimin në burgun e Burrelit. Burime pranë drejtorisë së policisë qarkut Dibër kanë pohuar se në fillim të muajit qershor 1997 mes forcave speciale dhe Halit Dedes regjistrohet një përplasje e armatosur. Nga shkëmbimi i plumbave mbeti i vrarë Albert Muharremi. Atëherë u tha se vrasja u krye nga forcat speciale, por ende nuk ka të dhëna të plota për ngjarjen e rëndë.

Vrasjet

Në fund të muajit qershor të 1997-s vriten pranë ish-lokalit të çifteve Fiqiri Kola dhe një i afërm i tyre. Megjithëse autori i ngjarjes dihej, u hodhën dyshime se Halit Dedja kishte dorë në këtë vrasje të dyfishtë. Mes dy fiseve vazhdonte “lufta”. Palët qëndronin të mbyllur, ndërkohë kishin grumbulluar rreth vetes “ushtarë” të shumtë, të cilët mendohet të jetë përdorur në vrasjet e ndodhura në Burrel apo aksin rrugor Burrel-Milot. Më 12 mars 1999 Halitit i vritet babai teksa udhëtonte nga shtëpia drejt qendrës së qytetit, në rrugën e gjimnazit. Familja Dedja akuzoi për këtë vrasje familjen Kola. Kjo bëri që një vit më pas, më 24 qershor 2000, të vritet në afërsi të ish-repartit ushtarak Medi Kola dhe një kushëri i tyre. Edhe Kolajt i thanë policisë se vrasja ishte kryer me “porosi” të Halit Dedes, mirëpo organet e drejtësisë në rrethin e Matit nuk e kanë zbardhur këtë ngjarje, pra nuk kanë vënë para ligjit autorët e saj. Në shenjë hakmarrjeje familjes Dedja i vritet në kryeqytet vëllai i madh, Gëzimi. Askush nuk di me saktësi kush e kreu vrasjen, por dyshimet hidheshin mbi hasmin e familjes Dedja, Kolajt. Vrasjet vazhdonin. I fundit nga Kolajt vritet Hakiku, babai i dy djemve të vrarë, Fiqiriut dhe Mediut. Me 13 janar 2003, teksa Hakik Kola po kthehej në shtëpi qëllohet për vdekje në rrugën që të çon te ish-agjencia e udhëtarëve Burrel. Pak më vonë, në rrethana misterioze vritet në Tapizë Altin Kola, kushëri ky me familjen Kola.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›