E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trukimet prekin dhe Kosovën Përjashtohet Fushë-Kosova

FFK Akuza për fiksim të rezultatit ndaj Ulpianës, që është gjithashtu nën hetim

Pas Shqipërisë, fenomeni i trukimit të ndeshjeve përhapet edhe në Kosovë, ku është regjistruar edhe viktima e parë e masave të ashpra të Komisionit Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK). Ky komision ka marrë dje vendimin për përjashtimin nga Liga e Parë të skuadrës së Fushë-Kosovës. Klubi në fjalë në sezonin e ardhshëm do të luajë një Ligë më poshtë, në të dytën, që në fakt i bie të jetë kategoria e tretë, duke llogaritur Superligën dhe Ligën e Parë. Kjo masë radikale ka ardhur pas një hetimi të bërë nga Komisioni i Garave të FFK-së për ndeshjen Fushë-Kosovë - Ulpianës (0:2), e cila tashmë konsiderohet e trukuar. “Pas administrimit të provave dhe shkresave në lidhje me këtë çështje, është vendosur që Fushë-Kosova të përjashtohet nga Liga e Parë dhe në 2010/2011 të garojë në Ligën e dytë të Kosovës”, thuhet në një komunikatë e FFK-së, të cituar nga e përditshmja kosovare “Express”. Kështu që rezultati dhe pikët e kësaj ndeshjeje nuk do të merren parasysh në klasifikim. Gjithçka erdhi pasi Komisioni i garave kishte konstatuar parregullsi në këtë takim. “Sipas deklaratave të trajnerit të Fushë-Kosovës dhe disa lojtarëve të këtij ekipi, të cilët kanë dëshmuar se pas përfundimit të pjesës së parë, në dhomat e zhveshjes kanë hyrë disa drejtues të klubit, dhe kanë kërcënuar se ndeshja duhet të fitohet nga Ulpiana. Gjithashtu, bazuar në incizimet televizive, janë vërejtur qëndrime statike të disa lojtarëve të Fushë-Kosovës gjatë pjesës së dytë”, thuhet në arsyetimin e Komisionit të Garave, në bazë të cilit ky komision edhe ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj Fushë-Kosovës. Kjo ndeshje ishte e rëndësishme për lipjanasit, të cilëve u nevojitej patjetër fitorja, për të shpresuar qëndrimin në Ligën e Parë. Në fund ndeshja përfundoi 0-2 për Ulpianën. Që nga paslufta, kjo është hera e parë që në Kosovë verifikohet trukimi i një ndeshjeje, edhe pse dyshimet nuk kanë munguar. Gjithsesi, duket se As Ulpiana nuk do t’ia hedhë lehtë. Komisioni i Disiplinës ka deklaruar se është vetëm fillimi dhe se tani është hapur hetim edhe ndaj Ulpianës, pasi dyshohet të jetë e përfshirë në këtë marrëveshje të fshehtë. Së shpejti pritet një përjashtim ose minimalisht heqje pikësh për ta.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›