Saranda, më e pastra, por e papastër
Ambientalistët përsërisin se mjedis do të thotë tokë-ujë-ajër. Për të tre këta elementë, Saranda është zona turistike më e preferuara për mijëra pushues gjatë verës dhe mijëra të tjerë që e vizitojnë në muajt para dhe pas sezonit turistik, duke e kthyer në “kryeqytet veror”. Kjo nuk mbetet një thënie rutinë, nëse do të kujtonim se viti 2009 solli në Sarandë më shumë se 400 mijë pushues dhe që këtë vit mendohet se ky numër do të arrijë gjysmë milioni. Shtohen shpresat se kjo do të ndodhë dhe se çdokush nuk do të jetë i penduar që zgjodhi Sarandën për pushime.
PastërtiaPor, megjithëse është një ndër zonat më të pastra në Shqipëri, edhe Saranda ka problemet e saj në arritjen e standardeve sa i përket mjedisit. Inspektorja e mjedisit të Sarandës, Areti Papadhima, thotë se ka përshkuar të gjithë zonën e plazheve nga Borshi në Ksamil. Ato kanë rezultuar relativisht të pastra, por zona të tëra brenda lagjeve në qytet nuk preken nga firma e pastrimit, me justifikimin se “nuk i ka në kontratë”. Ndërkohë që ndryshimet në kontratë i pranojnë palët nënshkruese, që janë bashkia dhe firma “Bruçi”. Për inspektoren mjedisore nuk është normale që ende nuk ka një vend të përcaktuar nga Bashkia e Sarandës dhe ato ngrihen në anë të rrugës së bregdetit, njëlloj si para ndërtimit të saj, ndërkohë që edhe kjo shërben si një hyrje e dytë për në Sarandë. “Armiqësia” me mjedisin nuk mbaron këtu. është i njohur fakti se ujërat e zeza hera-herës ndotin mjedisin në pjesën e shëtitores te limani dhe te Plazhi i Ri, sidomos kur bie shi.
ShëndetësiaNdërkaq, bluzat e bardha të qytetit mëshojnë në disa “pika të dobëta” të tjera që ka Saranda. Në vëzhgimin e mjekut Jani Qirjaqi, kazanët e plehrave në disa pika, të mbingarkuara qysh përpara se të shkojë në kulm sezoni, rrezikojnë të kthehen në vatra infeksioni. “Do të marrim masa, por për këtë na ka penguar edhe ligji që ka qenë evaziv”, shprehet Qirjaqi. Më tej ai shton se sipas ligjit të ri, gjobat do të ekzekutohen nga përmbarimi dhe kjo do t’i bëjë më vepruese strukturat shëndetësore e më të përgjegjshme firmën e pastrimit dhe qytetarët. Tregu industrial dhe ai bujqësor në qytetin e Sarandës konsiderohen gjithashtu problematikë, pasi nuk ka tualete për tregtarët. Mjeku infeksionist, Aleks Prifti, deklaron se ambienti ndotet edhe nga mbetjet ushqimore. Në vlerësimin e tij, problem janë mbetjet ndërtimore, një pjesë e të cilave përfundojnë në kazanët e mbetjeve urbane dhe i bllokojnë ato. Këtyre ai u shton edhe mbetjet spitalore, të cilat duan fonde të tërhiqen, si dhe ndotjet që vijnë nga gazrat që lëshojnë automjetet.
#