E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trukimi i ndeshjeve. Arrestohen 7 ne Turqi

Shtatë persona janë arrestuar dhe shumë të tjerë janë marrë në pyetje nga policia në Turqi, si pjesë e hetimit për trukimet e rezultateve në futboll. Federata turke e Futbollit ka konfirmuar qëllimin e saj për të reaguar menjëherë ndaj këtij fenomeni. Për çështjen më të përfolur të kohëve të fundit, policia ka shoqëruar 60 persona, përfshirë edhe presidentin e kampionëve të Fenerbahce, në një proces që ka tronditur të gjithë Turqinë, duke goditur aksionet e klubeve dhe duke krijuar shqetësime në ligën multi-bilionare dollarësh.

22 të dyshuar u morën në pyetje nga policia, ndërsa prokurorët kanë kërkuar izolim për 19 prej tyre, duke lëshuar vetëm tre përfshirë sulmuesin e përfaqësueses turke Mehmet Yildiz. Kampionati turk starton në 7 gusht dhe UEFA ka përcaktuar një deadline në 15 korrik për konfirmimin e skuadrave që do të marrin pjesë në raundin e tretë kualifikues të Champions League.

"Ka shumë pak kohë dhe ne do ta përdorim këtë kohë mirë. Duke u bazuar edhe në kalendar," ka deklaruar presidenti i federatës turke Mehmet Ali Aydinlar, pas takimit në prokurori.

E pas hetimeve, 7 nga 19 personat e dyshuar janë arrestuar, ndërsa 12 të tjerët u lanë të lirë. Sidoqoftë, 26 të dyshuar të tjerë, që janë marrë në polici, do të dalin gjithashtu përpara trupit gjykues për tu marrë në pyetje. Nëse ndonjë klub rezulton fajtor – do të përjashtohet nga kompeticioni, duke zbritur një kategori më poshtë.

Eno Skarço

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›