E Diel, 1 Nëntor 2026

Trukimi i ndeshjeve, Conte 10 muaj pezullim nga futbolli

Trajneri i Juventusit, Antonio Conte, u përjashtua dhjetë muaj nga futbolli, pasi u shpall fajtor për moskallëzim krimi nga Komisioni i Disiplinës së Federatës Italiane të Futbollit.

Verdiktet e komisionit u dhanë mëngjesin e së premtes dhe apeli i vetëm është fiksuar në datën 20 gusht.

Conte dënohet pasi provat që ai kishte dijeni në fiksimin e dy ndeshjeve të Sienës, në kohën kur drejtonte këtë klub në Serinë B ishin të qarta.

Ndërkohë, dy futbollistët e tjerë të Juventusit, Bonucci dhe Pepe, të vendosur nën akuzë për “rolin aktiv në fiksimin e rezultatit sportiv”, u liruan nga akuzat, pasi dëshmia që i inkriminonte nuk u gjykua si mjaftueshmërisht e besueshme.

Conte, më parë i ishte drejtuar disiplinës me një kërkesë për të negociuar dënimin e tij, duke pranuar që të shlyente tre muaj pezullim dhe një gjobë prej 200 mijë eurosh.

Pezullimi do të bëjë Conten të padisponueshëm për të drejtuar një klub apo për t`u marrë me çdo funksion zyrtar brenda një skuadre deri në qershor 2013.

Si rrjedhjojë, besohet se Juventusi do të jetë i detyruar të vendoset në kërkimin e një trajneri të ri, ndonëse nuk ka ende asnjë të dhënë zyrtar për qëndrimin që do të mbajë klubi përballë kësaj situate.

Kampionët e Italisë duhet të bëjnë edhe pa zëvendëstrajnerin e tyre, Angelo Alessio, i dënuar me tetë muaj pezullim, pas përfshirjes në një çështje paralele.

Përsa i përket klubeve të përfshira në skandal, dënimin më të rëndë e mori Lecce dhe Grosseto, që bien automatikisht nga Seria B në Lega Pro.

Sezonin e ardhshëm, Siena do të nisë kampionatin me gjashtë pikë minus, Bari me pesë pikë më pak, ndjekuar nga Albinoleffe, Sampdoria, Torino e Vareze me -1 pikë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›