Rindërtimi, Rama: Po mbajmë premtimet!

Ndërsa PD e opozitës deklaron se qeveria socialiste ka dështuar me programet e rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit të kaluar, kryeministri Edi Rama deklaron të kundërtën.
Ai tha në konferencën e përjavshme për shtyp se në programin e Rindërtimit në total janë 13 kantiere banesash individuale dhe 6 kantiere zonash të reja, punimet për të cilat do të përfundojnë në 2-3 muajt e ardhshëm.
“Në Shijak, në Laç, në Durrës dhe Fushë-Krujë kemi tani pamje evidente të një pune që shtrihet shumë përtej një rindërtimi mekanik, sepse bëhet fjalë për një rindërtim që niset nga bindja se kjo është një krizë që patjetër duhet kthyer në një mundësi. Kjo krizë po kthehet në një mundësi jo vetëm për familjet individualisht, por dhe për komunitete të tëra që do të jetojnë në kushte krejtësisht të tjera me standarde optimale, mjafton të shikoni zhvillimet në Fushë-Krujë, Laç, Thumanë, apo në zonën e Kavajës sikundër edhe të Shijakut” tha kryeministri Rama.
Në Durrës mjaftë i goditur nga tërmeti, ka përfunduar procesin e hartimit të marrëveshjes me Emiratet e Bashkuara dhe tanimë jemi gati për firmën përfundimtare për të cilën presim edhe pak ditë. “Po punojmë ngushtësisht me miqtë tanë nga Emiratet e Bashkuara edhe për një marrëveshje të re ndërmjet dy qeverive për investime direkte në vendin tonë, dhe posaçërisht për investimet në zonat e prekura. Investime që lidhen me aspekte që janë jashtë rindërtimit, kryesisht në funksion të të zhvillimit të turizmit” tha zoti Rama.
Ndërkaq “Në zonën e Krujës, Vorës, Thumanës dhe Tiranës janë ndërtuar apo janë në ndërtim 850 shtëpi individuale si dhe 3 lagje të reja. Ashtu sikundër kemi edhe një lagje tjetër të re, apo më saktë një bllok të konsiderueshëm pallatesh të reja në Krujë, gjë për të cilën po punohet ende për shkak të terrenit jashtëzakonisht sfidues dhe të nevojës për një projekt i cili të jetë një prurje e re, por në respekt të atij qyteti nga pikëpamja arkitektonike që të sjellë një vlerë të shtuar për qytetin”, – tha Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “në Shijak kemi 270 banesa individuale që siç parashikojmë do të jenë gati në fund të nëntorit me çatitë dhe brenda dhjetorit të gjitha familjet do të hyjnë siç ua kemi premtuar për Vitin e Ri në shtëpi”.
Më tej Rama tha se “ka filluar pjesërisht ndërtimi i 215 banesave individuale në Manzë dhe i banesava të para individuale në Durrës, ndërkohë që përfundon edhe projekti i madh i infrastrukturës për lagjen e re të Durrësit, e cila do të ndërtohet në zonën e Spitallës dhe do të jetë një lagje me standarde optimale, ashtu sikundër një vlerë e shtuar në atë zonë ku po merr formë dhe ekoparku aty ku deri pak kohësh gëlonte kanceri i madh i Porto Romanos dhe plehrave”.
Në bilancin përfundimar kryeministri Rama tha se “Brenda marsit të vitit të ardhshëm do të arrijmë në 2500 banesa individuale edhe këto të financuara nga buxheti drejtpërdrejt me rreth 60 milionë dollarë. Pak më i gjatë është procesi i apartamenteve ku janë 16 zona në total, në të cilat do të ndërtohen 4800 apartamente me financimin prej 160 milionë dollarësh nga buxheti i shtetit. Janë 1.2 milionë metra katrorë infrastrukturë sipërfaqe ku do të përfshihen rrjete kanalizimesh, ujësjellësash, rrjete ndriçimi , trotuare. Këto do të jenë gati brenda 9-mujorit të parë të vitit të ardhshëm”.