E Hënë, 2 Nëntor 2026

Trump shtrëngon politikat e emigracionit: Mbrojmë vendin nga “pushtimet” e paligjshme

Në orët e para të rikthimit të tij në detyrë, Presidenti Donald Trump ka nënshkruar një sërë urdhrash ekzekutivë që synojnë përforcimin e politikave të emigracionit dhe forcimin e kontrollit të kufirit SHBA-Meksikë. Masat e marra përfshijnë ndryshimin e përkufizimit të shtetësisë për ata që lindin në SHBA, duke penguar fëmijët e emigrantëve pa dokumente të bëhen automatikisht shtetas amerikanë.

Deri më tani kushdo që ka lindur në SHBA konsiderohet qytetar në lindje, pavarësisht nga statusi i emigracionit të prindërve të tyre. Trump duket se po kërkon të ndryshojë rregullat në mënyrë që fëmijët e emigrantëve pa dokumente që jetojnë në SHBA të mos konsiderohen më automatikisht shtetas amerikanë.  

Një tjetër masë e rëndësishme është shpallja e emigracionit të paligjshëm në kufi si emergjencë kombëtare, duke i dhënë autoritet të rinj agjencive të sigurisë për të deportuar individët që hyjnë ilegalisht në SHBA.

Në fjalimin e tij inaugurues, Trump u zotua se “do të ndalohet çdo hyrje e paligjshme” dhe se miliona “të huaj kriminalë” do të deportohen.

“Unë nuk kam përgjegjësi më të lartë se të mbroj vendin tonë nga kërcënimet dhe pushtimet,” tha Trump.

Trump nënshkroi gjithashtu një urdhër që u jep zyrtarëve autoritetin për të “zmbrapsur, riatdhesuar ose larguar” emigrantët derisa të ishte i kënaqur që “pushtimi në kufirin jugor ka pushuar”.

Grupet mbrojtëse të të drejtave të emigrantëve kanë reaguar ashpër ndaj këtyre masave, duke i quajtur ato të dëmshme dhe në kundërshtim me vlerat amerikane. Sipas tyre, veprimet e administratës Trump mund të shkaktojnë dëme të mëdha për individët që janë pjesë e komunitetit të emigrantëve dhe mund të thellojnë ndarjen sociale në SHBA.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›