E Diel, 1 Nëntor 2026

Trupa kosovare sjell “Dosjen K” në Teatrin Kombëtar

Drama e bazuar në romanin me të njëjtin titull të Ismail Kadaresë, botuar në vitin 1981, do të interpretohet nga aktorët Arben Kastrati, Lumnije Sopi, Anisa Ismaili, Hazir Myftari, Çun Lajçi, Kushtrim Sheremeti, Ard Ismaili, Ylber Bardhi, Ismet Azemi, Ramadan Malaj, Selman Jusufi, Selman Lokaj, Shkëlzen Veseli etj.

Shfaqja zhvillohet paralelisht mbi dy binarë dramaturgjikë, edhe pse si formë narrative është më e përafërt me llojin e dramaturgjisë fragmentare. Tregimi i romanit është një histori mbi dy mbledhës të folklorit me prejardhje irlandeze, Vili Norton dhe Maks Meri Roth, të cilët vijnë nga SHBA në malësinë e Shqipërisë me një mision: të zbulojnë rrënjët e epikës së Homerit në trungun që ende jeton në viset e thella malore të Shqipërisë.

Gjatë zhvillimit të dramës, realiteti i gjetur në epikën e gjallë të kënduar fillon të implikojë realitetin ekzistencial të vetë misionarëve. Vili befasisht gjendet në pozitën e Paridit. Një lloj Helene e kohës (fjala është për gruan e nënprefektit, Dezin), bie në dashuri me Vilin. Ajo dëshiron të ikë bashkë me te përtej kufijve. Të vetëdijshëm se me zakonet e vendit, kjo lloj dashurie është e ndaluar dhe e ndëshkueshme, raporti merr fuqinë e “mollës së ndaluar”.

Skenografia është realizuar nga Afrim Gora, kostumet nga Samka Ferri, koreografia nga Ahmet Brahimaj, ndërsa kompozitor është Trimor Dhomi.
/Start/

                                                                                             2012-03-16 16:12
   

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›