E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Tiranës “kundër"institucioneve të drejtësisë

Analiza e punës
 
 

 
Artan Zeneli, kreu i Gjykatës së Tiranës, tha se vendimet e dikasterit të drejtësisë dhe mosmarrja e kompetencave nga prokurorët për lirimin e të burgosurve që kanë shlyer dënimin, rrit artificialisht punën e gjyqtarëve
 
 
 
Leonard Bakillari
TIRANë - Puna e Gjykatës së Tiranës për vitin 2009 nuk ka qenë në nivele të kënaqshme, fakt ky i pranuar zyrtarisht edhe ka kreu i institucionit, sipas të cilit në këtë nivel pune kanë ndikuar një sërë faktorësh, që sipas tij duhet të përmirësohen sa më shpejtë të jetë e mundur. Kreu i Gjykatës së Tiranës, Artan Zeneli, gjatë pasqyrimit të punës së institucionit që ai drejton për vitin e shkuar, ka renditur një sërë arsyesh, që sipas tij, mund të përmirësojnë cilësinë dhe shpejtësinë e gjykimit, si dhe do të vënë në vend rolin e vërtetë të gjykatës për dhënien e drejtësisë. Zeneli ka shprehur qëndrimin e tij kundër disa vendimeve të KLD-së, ministrit të Drejtësisë dhe Prokurorisë së Tiranës, duke u bërë thirrje të tre këtyre institucioneve të rishikojnë përkatësisht komandimin e gjyqtarëve të kësaj gjykate, shtimin e gjyqtarëve në seksionin e të miturve, si dhe marrjen e kompetencave nga prokurorët për lirimin e të burgosurve që kanë shlyer dënimin. Në analizën e punës së Gjykatës së Tiranës ishin të pranishëm krerët më të lartë të institucioneve të drejtësisë, përfaqësues të avokatëve, policisë dhe institucioneve të tjera. Zëvendëskryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, gjatë fjalës së tij e vuri theksin në përmirësimin e kushteve infrastrukturore të punës për gjyqtarët, rritjen e pagave të tyre, si dhe sigurimin e mbrojtjes fizike të njerëzve që japin drejtësi.
Problematika 
Sipas kreut të gjykatës më të madhe në vend, problematika që haset në këtë institucion është gjerë dhe më e dukshme kryesisht në dhomën penale. Delegimet në çështjet gjyqësore të Gjykatës së Krimeve të Renda është një nga problemet që haset në, pasi sipas kreut të gjykatës, bëhet me dije se “kohët e fundit, numri i Gjykatës së Rrethit Tiranë në disa raste përbën gjithë trupin gjykues prej pesë anëtarësh në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Ky fenomen ka ndikuar negativisht në funksionimin e dhomës penale”. “I kemi kërkuar dhe vazhdojmë të kërkojmë me insistim nga KLD, që të ndërpresë delegimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Tiranës pranë gjykatës së Krimeve të Rënda”, - tha Zeneli. Po sipas tij, një tjetër problem që mund të zgjidhet nga prokuroria është zgjidhja e disa prej kërkesave penale nga organi i prokurorisë. “Një numër të ndjeshëm të çështjeve zënë edhe kërkesat penale të ashtuquajturat shuarje e masave të sigurimit, gjykimi i të cilat shton në mënyrë artificiale ngarkesën e punës së gjyqtarëve. Edhe pse prej kohësh i është kërkuar prokurorisë të mbajë qëndrim mbi këto raste, akoma edhe sot, prokuroria nuk vendos lidhur me ekzekutimin e këtyre vendimeve penale. Lirimi i të burgosurve, për shkak të shuarjes e dënimit apo të masës së sigurimit është detyrë vetëm e prokurorit që merret me ekzekutimin e vendimit”, - tha Zeneli. Shtimi i gjyqtarëve në seksionin e të miturve mbetet ende një problem që, sipas kreut të gjykatës, kërkon zgjidhje. Sipas tij, vendimi i ministrit të Drejtësisë e ka lënë këtë seksion me dy gjyqtarë, të cilëve u duhet të përballojnë një fluks të madh çështjesh. Për zgjidhjen e këtij ngërçi Zeneli kërkoi nga ministri Nishani të ndryshojë urdhrin, me qëllim shtimin e numrit të gjyqtarëve.
Shifrat
Gjatë vitit të shkuar, Gjykatës së Tiranës i është dashur të marrë në shqyrtim 28 mijë e 596 çështje, nga të cilat 22 mijë e 505 çështje civile, 4 mijë e 684 çështje penale dhe 1 mijë e 407 masa sigurimi. Këto shifra janë disa herë më të larta, krahasuar me vitin e shkuar, ku vërehet një rritje e ndjeshme kryesisht në çështjet civile, që sipas kreut të gjykatës nuk janë të gjitha të këtij karakteri, pasi në gjysmën e tyre gjyqtarëve u duhet të ofrojnë shërbim për qytetarët dhe jo të japin drejtësi. “Gjykata në gati 50 për qind të punës së saj është gjykatë e shërbimeve ndaj të tjerëve dhe vetëm në gjysmën tjetër është gjykatë e dhënies së drejtësisë. Ky raport aspak normal deformon konceptin e gjykatës si pushtet i tretë për dhënien e drejtësisë”, - tha Zeneli. Sipas tij, kjo çështje mund të zgjidhet në bashkëpunim me gjykatat e shkallëve më të larta, të cilat mund të nxjerrin vendime unifikuese për përcaktimin e gjendjeve të caktuara juridike, dhe si të tilla këto çështje nuk do të shkonin më në dyert e gjykatave, duke u dhënë kështu më shumë mundësi gjyqtarëve për dhënie drejtësie. 
 
 
 
Spahiu: Gjykata e Tiranës, më e varfra në Europë
Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë tha dje në analizën e punës së gjykatës më të madhe në vend, se Gjykata e Tiranës është më e varfra në Shqipëri përsa i përket infrastrukturës edhe pse fondet e arkëtuara prej saj janë më të mëdha se çdo gjykatë tjetër. Sipas tij, Gjykata Tiranës është më e varfra në Europën Perëndimore dhe atë Lindore, madje më e varfër krahasuar me të gjitha gjykatat e kryeqyteteve e Afrikës Veriut apo Amerikës Latine. Spahiu tha se në këtë gjykatë gjyqtarët kanë ngarkesën më të lartë të punës në nivel kombëtar dhe po çuditërisht e tillë është rezultantja e shkëputjeve nga detyra për gjyqtar për arsye trajnimesh dhe aktivitetesh brenda e jashtë vendit. Duke folur për përmirësimin e kushteve në gjykata, Spahiu propozoi rritjen e kushteve infrastrukturore, shtimin e pagave të gjyqtarëve, si dhe sigurimin e mbrojtjen fizike të gjyqtarëve.
 
 
 
Vrasja e ish-atletit të “Dinamos”
 
 
Policia arreston pronarin e lokalit, u grind me sportistin para ekzekutimit
 
TIRANë - Ndalohet i dyshuari për vrasjen e ish-atletit Rakip Hasani. Lajmi është bërë i ditur gjatë ditës së djeshme nga burime zyrtare të Policisë së Tiranës. Këta të fundit thanë se Avni Gasa, 52 vjeç, është ndaluar si një nga personat e dyshuar për vrasjen e 56-vjeçarit. Gasa është dhe pronari i lokalit, ku Rakipi pi dhe kafen e fundit. Policia tha se dy ditë më parë nga specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit kanë bërë të mundur kapjen dhe më pas ndalimin në flagrancë të Avni Gasës, 52 vjeç, lindur në Mat dhe banues në Kamzë të Tiranës. Burime zyrtare nga policia thanë se arrestimi i tij u krye, sepse dyshohet që më datë 6 shkurt 2010, rreth orës 17:30, te një lokal në Kamzë, ku u qëllua me armë zjarri shtetasi Hasan Rakipi, 56 vjeç, dyshohet se në lidhje me këtë ngjarje Avni Gasa është autor i kësaj ngjarjeje, të cilit në kushtet e flagrancës i është ushtruar kontroll në banesë dhe gjatë këtij kontrolli janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale rreth 100 copë fishekë,  model 56, si dhe 24 copë kapsolla detonatore. Sipas policisë, shkaku i vrasjes dyshohet të jetë një zënkë e ndodhur mes viktimës dhe të ndaluarit disa ditë më parë. Hetimet e kësaj ngjarjeje të rëndë janë duke u bërë nga një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Sipas policisë, dosja me materialet e përpiluara do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të “vrasjes me dashje”, si dhe të “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”.
 
 
 
Hetuesit sërish në Gërdec
 
 
Gjendet e padëmtuar saldatriçja e tragjedisë
 
TIRANë - Prokurorë dhe avokatë të çështjes “Gërdeci” këqyrën dje vendin e shpërthimit tragjik të 15 marsit të vitit 2008 në Gërdec, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën me qindra të tjerë. Katër oficerë të policisë gjyqësore që kanë hetuar dosjen “Gërdeci”, dy avokatë dhe një ekspert i caktuar nga gjykata kanë bërë këqyrjen e vendit, ku gati dy vjet më parë ndodhi shpërthimi. Ata kanë kryer fotografimin e vendit ku është gjendur saldatriçja, që sipas prokurorisë ka salduar karrocën që solli tragjedinë. Saldartriçja është gjendur fare pak e dëmtuar, ndërsa eksperti i caktuar nga gjykata ka bërë një këqyrje të detajuar të saj, por është ende herët për të treguar nëse është i njëjti mjet saldimi që përdorej nga i ndjeri Qemal Deliu, i cili saldonte karrocat që dëmtoheshin nga transporti i barutit brenda ambienteve të punishtes së demontimit të predhave. Përveç fotografimit janë bërë edhe matjet e zonës pranë shtëpisë së Qemal Deliut. Gjetja e saldatriçes shtyu edhe zhvillimin e procesit gjyqësor për këtë çështje, pasi prokurorët deklaruan se kjo mund të konsiderohet një provë e fortë, që do të sillte të reja në hetimin për këtë tragjedi. Për shkak të kësaj këqyrjeje një ditë më parë, u shty edhe seanca e parashikuar për t'u zhvilluar në Gjykatën e Tiranës. Prokuroria dyshon se shpërthimi ndodhi pikërisht nga shkëndijat e saldatriçes së Qemal Deliut, një prej banorëve të Gërdecit që banonte shumë pranë fabrikës së demontimi të armëve. Pas shpërthimit, familja Deliu humbi 5 anëtarët e saj, mes të cilëve edhe një foshnjë trevjeçare.
 
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›