Tryeza për drejtësinë, PS fton Berishën: Të diskutojmë për ligjet që duan 3/5
Partia Socialiste ftesë Berishës, Topallit e Patozit për të diskutuar mbi reformën në drejtësi, tryeza zhvillohet të premten në hotel Sheraton
Opozita ndërmerr iniciativën e organizimit të një tryeze për reformën në drejtësi. Ajo ka ftuar në këtë tryezë eksponentë të mazhorancës qeverisëse që nga kryeministri Berisha, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli dhe krerë të grupeve parlamentare, si dhe anëtarët deputetë të komisionit parlamentar të Ligjeve. Selia rozë e bëri dje publike ftesën e dërguar mazhorancës si dhe ekspertëve të shoqërisë civile e trupit diplomatik për këtë tryezë që do të mbahet të premten në Sheraton Hotel. Asnjë përgjigje zyrtare nuk ka deri tani nga pala në pushtet nëse do ta marrin parasysh këtë ftesë, por sfida që i ofron opozita është e fortë, pasi në ftesë thuhet se kjo tryezë diskutimi mund të shërbejë dhe për të diskutuar mbi ligjet e rëndësishme që kërkojnë votat e opozitës ose siç njihen ndryshe, ligjet me 3/5. Bëhet fjalë për ligje që janë pjesë e reformave të kërkuara nga Bashkimi Evropian, si për shembull ngritja e Gjykatës Administrative, etj. PS e sheh këtë ftesë ndaj Berishës si një tjetër shtrirje të dorës ndaj mazhorancës qeverisëse për të gjetur pikat e bashkëpunimit dhe për të punuar për reformat në fushën e integrimit. Specialistët e PS-së thonë se duan të ndajnë me kolegët e djathtë pikëpamjet e tyre për reformat në sistemin e drejtësisë dhe sipas tyre kjo është një mënyrë për ta bërë këtë. Të gjitha gjasat janë që ftesa të mos merret parasysh nga kryeministri, për shkak të organizimit të debatit nga ana e opozitës, megjithëse në të janë ftuar ambasadat e vendeve perëndimore dhe misioneve të OSBE-së e BE-së në Tiranë. Por nëse qeveria e merr në konsideratë ftesën dhe seriozisht këtë debat mund të dërgojë në tryezë ekspertë të saj pse përfaqësues të grupit parlamentar. Gjithçka mbetet për tu parë. Megjithatë, pavarësisht mungesës së përfaqësuesve të qeverisë, tryeza pritet të hedhë në publik idetë dhe propozimet e opozitës për reformën në drejtësi.
