Topi zgjedh një ish-deputet të PD-së si kryetarin e ri të KLSH-së
(E PERDITESUAR)- Kontrolli i Lartë i Shtetit ka më në fund një kandidaturë për kryetar të ri pas disa muajsh që ky institucion i rëndësishëm është pa një drejtues që nga mbarimi i mandatit të Robert Çekut. Presidenti Bamir Topi i ka propozuar Sali Shehun Kuvendit në vend Çekut duke vënë në provë mazhorancën me këtë emër, i cili ka qenë deputet i grupit parlamentar demokrat për disa legjislatura. Për hir të së vërtetës Shehu përflitej si mbështetës i Topit gjatë kohës kur Topi kandidoi për president dhe në zgjedhjet e ardshme ai nuk u përfshi në listat e deputetëve prej drejtuesve aktualë të PD-së, si një hakmarrje ndaj presidentit. Nga situata në të cilën ndodhen marrëdhëniet mes mazhorancës qeverisëse dhe kreut të shtetit vota ndaj Shehut është një sfidë e madhe për shumicën në pushtet. Propozimi i Topit erdhi gjithashtu në një moment kur opozita kishte kërkuar konsensus me mazhorancën për emrin e ri që do të vinte në krye të KLSH-së dhe të disa institucioneve të tjera të pavaruara, siç është Guvernatori i Bankës së Shqipërisë. Më herët vetë mazhoranca i pati ofruar kreun e KLSH-së opozitës si një mundësi për bashkëpunim, por opozita e cilësoi një pazar të ulët. Emri i Sali Shehut do të testojë në Kuvend votën e dy krahëve dhe mbështetjen ndaj kreut të shtetit, i cili prej shumë kohësh po kundërshtohet fort nga vota e ish/partisë së tij, duke mos i votuar kandidaturat për Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë.
D E K R E T
PËR
PROPOZIMIN E KRYETARIT TË KONTROLLIT TË LARTË TË
SHTETIT
Në mbështetje të neneve 162, pika 2 dhe 93 të Kushtetutës, si dhe nenit 11 të ligjit 8270, datë 23.12.1997 Për Kontrollin e Lartë të Shtetit, i ndryshuar,
D E K R E T O J
Neni 1
Z. Sali SHEHU i propozohet Kuvendit për tu zgjedhur Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Neni 2
Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.
Nr. i dekretit 7137
Tiranë, më 27 Tetor 2011
