E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tryeza per reformen zgjedhore te vegjlit publikojne kerkesat

Reforma Zgjedhore dhe hartimi i saj ka mbledhur në një tryezë të përbashkët partitë e vogla, parlamentare dhe jo parlamentare. Gjatë diskutimeve në këtë tryezë përfaqësuesit politik dhanë qëndrimet e tyre mbi një çështje të tillë. Në thelb të të gjitha pretendimeve të tyre, këto subjekte politike kishin pikërisht kërkesën për realizimin e zgjedhjeve të lira, kërkesa e cila sipas tyre duhet të mishërohet në Kodin e ri Elektoral.

Sipas kreut të Demokracisë Sociale, Paskal Milo reforma zgjedhore jo vetëm që duhet të përfundojë brenda afateve të përcaktuara, por mbi të gjitha ajo duhet të garantojë zgjedhje të lira, pasi janë kusht për integrimin e vendit.

Në vlerësimin e përfaqësuesit të PR-së, Arjan Madhi është i rëndësishëm dialogu politik mes palëve, ndërkohë që Kodi duhet të përshtatet me parimet kushtetuese.

Ndërkohë që, kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi ishte më i drejtpërdrejtë në qëndrimin e tij. Për Gjinushin, sistemi spanjoll është deformuar dhe ndaj duhet një korrektim kombëtar të sistemit. Kjo pasi sipas tij, proporcionali favorizon partitë e mëdha dhe kjo është e vërtetuar me zgjedhjet e viti 2009, ku janë deformuar 16 mandate. Gjithashtu, ai kërkoi zgjerim të numrit të KZAZ-ve në vend. 

Në të njëjtën linjë u shpreh dhe drejtuesi i Ballit Kombëtar Demokrat, Artur Roshi, i cili nënvizoi se “Kodi Zgjedhor favorizon dy partitë e mëdha dhe për këtë arsye duhet të kemi një Kod Zgjedhor gjithëpërfshirës, si dhe një prag elektoral fleksibël zero”.

Si përfaqësues i Lëvizjes Socialiste për Integrim, zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Jashtëm, Edmond Haxhinasto e vlerësoi këtë tryezë për reformën si mjaft të rëndësishme. Sipas tij, reforma zgjedhore duhet të jetë gjithëpërfshirëse.

“Duhet të amendohet sistemi zgjedhor, zonat zgjedhore të reduktohen në 6. Kërkesa jonë është e qartë, ne kërkojmë barazi vote dhe konkurrimi”, vlerësoi Haxhinasto, gjatë fjalës së tij. Përfaqësuesi i Partisë Demokratike në këtë tryezë, Ilir Rusmajli deklaroi se forca politike që ai përfaqëson është e gatshme të zbatojë në përmirësim të Kodit Zgjedhor të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.

“Erdhëm këtu për të dëgjuar shqetësimet e partive të vogla, pamë që pikëpamjet e partive janë të lrmishme, dhe duhet që të paraqesim vizionet, na duhet të përballim argumentat për çështjen. Njëkohësisht, garantoj se PD është e gatshme të pranojë propozimet e partive të vogla”, vuri në dukje Rusmajli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›