Mbyllet pa marrëveshje tryeza e partive të vogla

Mbyllet pa marrëveshje tryeza e partive të vogla për ndryshimin e kodit zgjedhor. Pas 2 orësh diskutimesh dhe debatesh nuk është nënshkruar asnjë marrëveshje lidhur me ndryshimet në kodin zgjedhor ndërsa u ra dakort se paketa e përbashkët do të firmoset pas marrjes në shqyrtim të propozimeve të të gjitha forcave politike.
Në tryezën e thirrur sot nga partitë e vogla ishin të pranishëm edhe kreu i PS-së, Edi Rama, i shoqëruar nga bashkëkryetari për Komisionin e Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri ndërsa PD-ja përfaqësohej nga Ilir Rusmali dhe Oerd Bylykbashi dhe Lëvizja Socialiste për Integrim përfaqësohej në tryezë nga Edmond Haxhinasto.
Në nisje të takimit, kreu i PDS, Paskal Milo ka theksuar se shqetësimi për zgjedhje të lira e të ndershme dhe për gjithpërfshirje i ka mbledhur bashkë në këtë takim përfaqësues të 23 partive të vogla.
“Të gjithë së bashku të realizojmë atë që kemi deklaruar që në nisje të kësaj pune për reformën e që është bazuar në dy principe, transparenca dhe gjithëpërfshirja, kemi shpresë se faktorët politikë, do i dëgjojnë me vëmendje shqetësimet tona” theksoi Milo.
Ndërsa kryetari i PSD-së Skënder Gjinushi theksoi se problem në kodin actual zgjedhor mbetet deformimi i votës. Sipas tij sistemi spanjoll është zbatuar me deformime në vendin tonë ndërsa shtoi se këto deformime duhet të rregullohen me metodën e korrektimit kombëtar
“Kjo jep një parlament të polarizuar, jep me vështirësi një qeverisje, se deformimet pranohen në favor të stabilitetit të qeverisë, ndërkohë që propozimi ul deformimin dhe rrit stabilitetin e bën më të qeverisshme Shqipërinë se çfarë është aktualisht për shkak të deformimit” theksoi Gjinushi.
Sipas tij shqetësim shumë i madh mbetet administrimi zgjedhor, ndaj ai ka kërkuar krijimin e komisioneve të papolitizuara. “Pragu është shtuar kot, synonte një koalicion të caktuar, i ka kaluar koha, sistemi spanjoll e ka pragun brenda. I vetmi qark që ka efekt, është Tirana. Nëse e keni me Tiranën më duket e panevojshme” shtoi ai.
Nga ana e tij, Haxhinasto theksoi se LSI-ja ka kërkuar që kodi të jetë transparent dhe gjithëpërfshirës. “Kemi kërkuar barazi në konkurim dhe barazi të votës. Duhet të shkohet sa më pranë barazisë së votës” theksoi më tej Haxhinasto ndërsa ka shtuar se zonat zgjedhore të reduktohen në gjashtë.
Kreu i PLD-së Spartak Ngjela theksoi një formulë për mospërsëritjen e precedentit të vjedhjes dhe manipulimit të votave. “Këtu nuk shoh një formulë. Këtu voton populli, deri tani janë manipuluar zgjedhjet. Keni gjë për manipulimin dhe vjedhjen. Nëse s`keni gjë ai që ka vjedhur do vjedhë prap. E dyta është të dimë sa mandate do rrinë pezull dhe sa do kalojnë. Këtu ka një kontraditë ndaj nuk kuptoj pse jemi mbledhur”, deklaroi Ngjela.
Tryeza vjen një javë përpara se Komisionit të Reformës Zgjedhore t`i përfundojë mandati. Ekspertët e PD dhe PS po punojnë së bashku, ndërsa nuk janë shqyrtuar ende kapitujt e Kodit që kanë të bëjnë me procesin e votimit, numërimin elektronik, Kolegjin Zgjedhore si dhe formulën si do të zgjidhet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve
.