Tryeza për rolin e gruas, kërkohet rishikim i Kodit Zgjedhor
TIRANË Me qëllim evidentimin e përvojave dhe praktikave më të mira të vendeve perëndimore si në lidhje me karrierën politike, ashtu edhe në diplomaci e në vendimmarrje, është organizuar dje Tryeza e Rrumbullakët “Gra në vendimmarrje, në politikë e në diplomaci - Shanset e barabarta sjellin zgjidhje reale”, e organizuar nga Rrjeti i Grave Barazi në Vendimmarrje. Tryeza e organizuar në kuadër të aktiviteteve mbështetëse dhe promovuese të grave në vendimmarrje, solli në vëmendje mjaft eksperienca. Ambasadorë dhe përfaqësi diplomatike që morën pjesë në tryezë ndanë me pjesëmarrësit eksperiencën e vendeve të tyre në lidhje me sfidat, problematikat, zgjidhjet dhe hapat e suksesshëm që janë ndjekur për të rritur pjesëmarrjen e grave në politikë dhe në vendimmarrje, si dhe opinionin e tyre për politikën shqiptare e për hapat që mund të ndiqen për të arritur standardet e kërkuara në lidhje me barazinë gjinore. Gjatë fjalës së tyre ambasadorët theksuan se çështja e barazisë gjinore në politikë dhe vendimmarrje është një sfidë për të gjitha vendet, por dhanë gjithashtu shembuj konkretë të iniciativave të ndërmarra në shtetet përkatëse, të cilat i kanë bërë shtetet e tyre avangarde në zbatimin e barazisë gjinore në vendimmarrje. Gjatë tryezës u publikuan dhe u diskutuan edhe disa nga statistikat në lidhje me pjesëmarrjen e grave në politikë në Shqipëri dhe u diskutuan në veçanti rezultatet dhe problematikat e pjesëmarrjes së grave si kandidate gjatë zgjedhjeve vendore 2011. Në lidhje me reformën zgjedhore, dy nga rekomandimet më kryesore që dolën nga kjo tryezë ishin pikërisht rishikimi i Nenit 65 të Kodit Zgjedhor dhe mirëpërcaktimi i kuotës 30%, për 1 çdo 3 kandidatura, si në zgjedhjet parlamentare, ashtu edhe në zgjedhjet vendore (si për kandidate për Kryetare Bashkie & Komune, si për Këshilltare), si dhe forcimi i sanksionit për moszbatim të kuotës 30%, deri në mospranim të listave e përjashtim të partive që e kanë kryer shkeljen në zgjedhjet përkatëse.