PD-PS, konsensus për kandidaturat partiake të Mbikëqyrjes së Bankës
Partia Socialiste e ka dhënë dje konsensusin e saj në Komisionin e Ekonomisë për kandidaturat partiake të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Arben Ahmetaj, në emër të opozitës e deklaroi këtë dje, duke dhënë konsensusin për Kulen dhe Golemin
Sabina Veizaj
PD dhe PS kanë gjetur konsensusin dje në komisionin parlamentar të Ekonomisë për tri kandidaturat politike në Këshillin e Mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë. Deputeti socialist, Arben Ahmetaj, në emër të opozitës deklaroi dje në komisionin kuvendor se kandidaturat partiake për në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë do të kenë konsensus të plotë. Deklaratën, Ahmetaj e bëri pasi kandidati i propozuar nga grupi parlamentar demokrat, rektori aktual i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule prezantoi sfidat e tij për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës Qendrore. Ndërsa nënkryetarja e komisionit të Ekonomisë dhe Financave, deputetja socialiste, Mimi Kodheli la të kuptohej që konsensusi për kandidaturat e mazhorancës do të jepet duke pasur konsensus edhe për kandidaturën e PS-së, Ermelinda Meksi. Kjo e fundit pritet që sipas ligjit, të japë dorëheqjen si deputete dhe të depozitojë dosjen e saj në Kuvend për t’u shqyrtuar si kandidaturë e mundshme. Në këtë mënyrë, komisioni kuvendor i Ekonomisë dhe Financave miratoi dje me 12 votat e mazhorancës, por me konsensus të plotë edhe nga opozita dy kandidaturat partiake; Dhori Kulen nga PD-ja dhe Ela Golemin nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Kandidati i propozuar nga grupi demokrat, Dhori Kule paraqiti si sfida të tij për mbikëqyrjen e BSH-së: zbatimin e ligjit, rritjen ekonomike, stabilitetin e çmimeve, punësimin. “Banka e Shqipërisë ka departamente dhe specialistë të mirë. Në institucione, e rëndësishme është zbatimi i ligjit. Specialistët do të na furnizojnë me bazë të dhënash për t’u orientuar kah tyre. Do të ndjek vizionin aktual të Bankës Qendrore, rritjen ekonomike, stabilitetin e çmimeve, punësimin. Se po të shkoja me vizion tjetër, do të paragjykoja punën e deritanishme të anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës. Unë do të zbatoj ligjin. Pa pasur bazën e caktuar të të dhënave, nuk mund të flas përpara kohe. Për sa i përket borxhit publik, deficitit buxhetor, kredive të këqija, ndaj të njëjtin vizion me politikën aktuale”, - u shpreh Kule. Për sa i përket pyetjes të deputetit Florion Mima në lidhje me çeljen e banko-postës, çështje që sipas Mimës është parë me xhelozi nga Banka Qendrore, Kule u përgjigj se duhet ta studiojë çështjen për të mos dhënë një preferencë personale, por profesionale. Ndërsa kreu i komisionit, Edmond Spaho e vlerësoi kandidaturën e Dhori Kules si të vlefshme, e cila plotëson kërkesat ligjore dhe profesionale. Ndërsa kandidatura e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ela Golemi, aktualisht drejtore rajonale e ‘Credins Bank’ për Durrësin, u shpreh se do të shërbejë me profesionalizëm në rast se kandidatura e saj miratohet për në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, duke dhënë si garanci eksperiencën e saj 11-vjeçare në sistemin bankar. Pritet që sot kandidaturat e miratuara në Kuvend të kalojnë në seancë plenare.
Nënkryetarja e komisionit të Ekonomisë dhe Financave, deputetja socialiste, Mimi Kodheli la të kuptohej që konsensusi për kandidaturat e mazhorancës do të jepet duke pasur konsensus edhe për kandidaturën e PS-së, Ermelinda Meksi.
Procedura, Meksi duhet të largohet nga Kuvendi për Mbikëqyrjen e BSH-së
Miratimi i kandidaturës së deputetes së PS-së Ermelinda Meksi si anëtare e Këshillit të Mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë duhet të kalojë disa procedura, të ndryshme nga kandidatët e tjerë, për shkak se ajo aktualisht është edhe deputete në Kuvend.
Deputetja Ermelinda Meksi, ish-ministre e Integrimit dhe ish- ministre e Ekonomisë, është propozuar nga PS-ja si kandidate e kësaj force politike për në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Deputete e qarkut të Fierit, ajo duhet më parë të japë dorëheqjen, ku në të njëjtën kohë i hapet rruga kandidatit të listës së PS-së në zgjedhjet e 2009-ës, djalit të deputetit të ndjerë Fatmir Xhindi. Sipas kreut të komisionit të Ekonomisë, Edmond Spaho, kandidatura e Meksit ngelet në fuqi, por pritet që ajo të japë dorëheqjen dhe të depozitojë dosjen në Kuvend që kandidatura e saj të shqyrtohet. Deputetja Meksi ka një karrierë të gjatë politike, por mbi të gjitha akademike në fushën e ekonomisë. Propozimi i Ermelinda Meksit për një nga vendet në Këshillin Mbikëqyrës të BSH-së është lëvizja e parë e PS-së në drejtim të bashkëpunimit me mazhorancën për zgjedhjen e anëtarëve apo drejtuesve të institucioneve të pavarura. Deri tani opozita nuk ka marrë pjesë në këto votime dhe për më shumë Rama para pak kohësh i kërkoi kryeministrit Berisha, që në kuadër të paktit 10-pikësh opozitës t’i liheshin tri vende në Këshillin Mbikëqyrës. Por mazhoranca nuk e pranoi këtë, duke thënë se nuk mund të bëhet pazar me institucionet e vendit.
Mbikëqyrja Bankare, kandidaturat që do miratohen në Kuvend
Ardian Fullani I propozuar nga qeveria
Elisabeta Gjoni E propozuar nga qeveria
Petraq Milo I propozuar nga qeveria
Dhori Kule i propozuar nga Partia Demokratike
Ela Golemi E propozuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim
Ermelinda Meksi E propozuar nga Partia Socialiste