E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tufa: Duhet përkthyer me shqipen e sotme

Prezantohet antologjia "Tregimtarë të gjuhës gjermane 1900-1945"


Letërsia gjermane e gjysmës së parë të shekullit të XX është prezantuar dje në auditorin e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, nëpërmjet botimit "Tregimtarë të gjuhës gjermane 1900-1945". Në këtë pasqyrë të letërsisë gjermane janë përfshirë krijimet më të mira të rreth 27 autorëve.


Libri u paraqit përpara një publiku të përbërë nga studentë, një pjesë e mirë e të cilëve, studentë të gjuhës gjermane, ndoshta të vetmit që kanë mundësi ta shijojnë këtë letërsi në të dyja gjuhët.


Antologjia e përgatitur nga Ardian Klosi dhe Jürgen Röhling përmban tregime të autorëve të gjysmës së parë të shekullit të XX, disa prej tyre të njohur për lexuesin e disa të tjerë jo.


Shkrimtari Agron Tufa, i pranishëm në këtë prezantim, u shpreh se njohja e letërsisë gjermane në Shqipëri ka qenë një problem. "Vetëm pas viteve '70-të, do të vinte Brehti në gjuhën shqipe dhe akoma më vonë Hajnrih Bël.


Ne kemi njohur vetëm një përmasë të asaj letërsie. Përkthimet e asaj kohe nuk na japin një përfytyrim të saktë të letërsisë së fillim shekullit të 20-të", - tha Tufa. Në kumtesën "Sa e si njihet letërsia gjermane në Shqipëri", Tufa u ndal më së shumti në problemet që has përkthyesi gjatë kalimit të tekstit nga një gjuhë në tjetrën.


"Gjysma e parë e shekullit të 20-të karakterizohet nga eksperimente të shumta në letërsi dhe gjuha shqipe nuk ka qenë e aftë për të përballuar këtë. Letërsia shqiptare nuk ka bërë jetën e shekullit të 20-të", - u shpreh ai.


Tufa e cilësoi përkthimin e kësaj antologjie si një provë për gjuhën shqipe. "Ndoshta do të na duhet që të ripërkthejmë Kafkën.


Unë jam kundër idesë që përkthimi i Shekspirit, i Servantesit dhe autorëve të tjerë të mëdhenj, ka mbaruar me përkthimin e Fan Nolit. Duhen përkthyer edhe një herë, me dinamikën e shqipes së ditëve të sotme, dhe jo me gjuhën letrare të viteve '30-40-të", - përfundoi Tufa.


Gjatë prezantimit të antologjisë ishin të pranishëm, veç dy hartuesve të saj, edhe pedagogia e gjermanishtes, Marsela Lika, si dhe Edvin Cami, i cili ka përkthyer një pjesë të tregimeve.


Lika bëri një pasqyrë të etapave në të cilat ka kaluar letërsia gjermanë gjatë shekullit të 20-të, duke përmendur dy rrymat që kanë kontribuar në krijimtarinë e kësaj periudhe: realizmin e ri dhe realizmi magjik.


Ajo u ndal në rolin që individi zë në këtë krijimtari, paraqitjen e njeriut në një botë të pashpresë. Dhe për të ilustruar këtë përmendi shkrimtarin Franc Kafka, i cili e jep njeriun të vetmuar dhe të humbur në këtë botë.


Përkujtohet me vonesë Gogoli


Ka kaluar më shumë se një muaj nga 200-vjetori i lindjes së shkrimtarit të madh rus, Nikolai Gogol, por vetëm ditën e djeshme, Ambasada Ruse në Shqipëri ka organizuar një aktivitet përkujtimor. Ishte vetë ambasadori, Aleksander Prishchepov, ai që mbajti një fjalë të shkurtër mbi jetën dhe veprën e këtij shkrimtari.


Prishchepov-i u ndal më tepër në ndikimin që ky autor ka pasur tek letërsia ekzistencialiste dhe sidomos tek tregimi i Franc Kafkës. Gjatë këtij aktiviteti përkujtimor ai prezantoi edhe një ribotim në rusisht të romanit "Frymë të Vdekura".


Një variant i plotësuar edhe me ilustrime. Prishchepov-i i siguroi lexuesit se në këtë variant mund të gjejnë kuptimet e fjalëve të panjohura që nuk mund të gjenden as në fjalorët më të vështirë.


Përkthyesi, Jorgji Doksani, preferoi të ndalej në disa veçori të krijimtarisë së Gogolit. Sipas tij, ai është shkrimtar i letërsisë moderne, që ndërthuri realen me imagjinaren, dhe më pas vijnë dishepujt e tij, F. Kafka, A. Kamy dhe D. Buxati.


Gjithashtu, për Doksanin, Gogoli ka qenë një shkrimtar jashtëzakonisht i sinqertë, i cili mendonte se evoluimi i njerëzimit duhet të arrihej nëpërmjet pastrimit të shpirtit të tij.


"Si purgator të shpirtit, Gogoli mbante fenë, sepse ajo është një pastruese e mirë e shpirtit, dhe ky është një shikim allaGogol", - përfundoi Doksani.


Jo dhe aq Big Blues


Mbrëmja e së dielës i ishte dedikuar e gjitha muzikës Blues. Gjithçka nisi në orën 20:00, në Pallatin e Kongreseve, me grupin e Lance Lopez-it, i ardhur nga Teksasi, SHBA. Për rreth një orë grupi amerikan interpretoi këngë nga repertori i tij, që ishin krejt të panjohura për publikun e pakët që ishte në Pallatin e Kongreseve.


Megjithatë, duartrokitjet në fund të çdo kënge nuk mungonin. Madje, ato ishin prezente edhe kur kitaristi Lopez bënte ndonjë truk me kitarë. Në këtë mbrëmje të quajtur "The Big Blues", interpretoi edhe kitaristi Louisiana Red, i cili përcolli tingujt "të zinj" të bluzit. Më pas do të ishte radha e grupit "Dr. Feelgood".


Një bandë që luante një blues të fuqishëm. Ishin të vetmit që arritën të ngrinin nga karriget publikun. Këngët e tyre ishin thuajse të panjohura dhe u deshën tri thirrje të vokalistit Robert Kane, që publiku të shkonte pranë skenës dhe të kërcente.


Të gjithë prisnin me padurim daljen e grupit të njohur të viteve '60-të, "The Animals". Por, pas daljes në skenë, kur u vu re edhe mungesa e vokalistit Eric Burdon, njerëzit filluan të largoheshin.


Prej anëtarëve të vjetër ishin bateristi John Steel dhe pianisti Mickey Gallagher, pjesa tjetër e bandës përbëhej nga Pete Barton dhe John Williamson, vokal dhe kitarë. "The Animals" interpretuan disa nga hitet e vjetra si, "I'ts my life" dhe këngë të tjera të njohura blues të James Braun, etj.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›