E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pinari e Delijorgji nuk e paguan Patrik Henrin

Demontimi


Në rrëfimin e tij përballë oficerëve të FBI- së kontraktori amerikan ka folur për shantazh nga ortakët e tij Pronari i SAC nuk është shpërblyer për punën e bërë dhe pajisjet e demontimit


TIRANË- Fabrika e "ferrit" në Gërdec, u ngrit nga Ministria e Mbrojtjes me kërkesë të ndërmarrjes MEICO për llogari të kompanisë amerikane SAC, por, realisht kjo kompani që kishte fituar kontratën e demontimit dhe çmilitarizimit të municioneve të vogla nuk ka përfituar asgjë.


Në këtë përfundim ka arritur grupi hetimor i Prokurorisë së Përgjithshme, të cilët duke u bazuar në dëshminë e presidentit të SAC-it, Patrik Henri (Patrick Corneilos Henry) dhe nga verifikimi i transaksioneve bankare, ka rezultuar se kompania amerikane SAC nga ngritja e kësaj punishteje dhe puna e kryer aty ka pasur vetëm humbje.


Ndërsa, të ardhurat e fituara nga demontimi i municioneve të lehta nga muaji qershor deri më 30 tetor 2007, me ndihmën e teknologjisë së sjellë nga SAC-i amerikan, ka fituar vetëm firma "Albademil" e Mihal Delijorgjit nën direktivat e ish-drejtorit të MEICO-së Ylli Pinari.


Sipas dëshmisë së dhënë para agjentëve të FBI-së, presidenti i SAC-it, ka saktësuar se ishte mashtruar nga Ylli Pinari dhe Mihal Delijorgji. Mashtrim ky, që konsiston, në sjelljen e tij në Shqipëri për të demontuar municione të vogla, kontratën e lidhur mes tij dhe MEICO-së dhe më pas mes SAC-it dhe "Albademilit", duke ia shitur dhe transferuar të drejtën e demontimit dhe çmilitarizimit të municioneve kompanisë së Delijorgjit, e cila nën emrin e SAC-it amerikan ka përfituar shuma të mëdha parash, duke mos ia kaluar SAC-it të ardhurat që i takonin sipas kontratës. "Kam shkuar në Shqipëri gjashtë herë duke qëndruar gati 20 ditë.


Udhëtime këto që kanë konsistuar në takime me Ylli Pinarin dhe më pas me Mihal Delijorgjin e Dritan Minxhollin. Shumica e këtyre takimeve është kryer në Kafe dhe Restorante dhe pak takime në zyrat e MEICO-s.


Pinari, më sugjeroi të kisha një ortak në Shqipëri pasi i vetëm do të cilësohej puna ime e paligjshme. Ai më prezantoi Mihal Delijorgjin, me të cilin, sipas direktivave dhe udhëzimeve të Pinarit, nënshkrova kontratën e parë.


Më 6 qershor 2006 kam firmosur kontratën mes SAC-it dhe MEICO-së, më 7 qershor mes meje dhe "Albademil"-it e cila do të siguronte fonde për ndërtimin e fabrikës, ambiente dhe personel ndërsa unë do të siguroja makineritë dhe mbikëqyrësin e këtij operacioni për demontim.


Për këto 9 makineritë dhe dyqanin e këtyre makinerive unë kam paguar në SHBA, rreth 860 mijë dollarë amerikane pa përfshirë këtu blerjen e çantave plastike anti-statik dhe materiale paketuese për barutin. Për të gjitha këto, unë do të kompensohesha me 33 % të të ardhurave të kontratës dhe nga materiali i mbetur i skrapit të kalibrave të vegjël.


Deri më tani, nuk kam marrë asnjë qindarkë, as për makineritë që dërgova në Shqipëri, as nga të ardhurat e materialit të skrapit të mbetur dhe as nga përqindja e aksioneve që kisha me "Albademilin", e cila pas dy muaj punë, më uli aksionet nga 33 % në 25 %"-ka thënë ndër të tjera presidenti i SAC-it, Henri. Sipas tij, kjo metodë pune, u propozua dhe u realizua me kërkesë të ish-drejtorit të MEICO-s Pinari.


"Për të gjithë punën që është bërë aty, në emrin tim, SAC-i ka marr vetëm 200 ton mbetje (skrap) tunxhi dhe bleva nga "Albademili" 240 ton mbetje barut për riciklim që e dërgova në Belgjikë dhe asnjë qindarkë tjetër, edhe pse më takonin.


Ditën e shpërthimit, më 15 mars 20008 kishte rreth 520 ton barut të municioneve të kalibrave të vegjël, për të cilin SAC-i kishte rënë dakord me "Albademil"-in për t'ia blerë këtë barutin fijegjatë dhe kur ndodhi shpërthimi ne po merreshim me rregullimin e transportit",- ka thënë ndër tjera Henri para agjentëve të FBI-së, të cilët e kanë pyetur për llogari të hetimeve të prokurorisë shqiptare.


Gjithashtu, në fund të pasqyrimit të konfliktit mes Delijorgjit e Henrit, ky i fundit dëshmon se "unë nuk isha një partner i informuar rreth shpenzimeve dhe të ardhurave të kompanisë. Sipas marrëveshjes gojore e me shkrim, mua duhet të më siguroheshin vazhdimisht gjithë të ardhurat dhe shpenzimet.


Unë nuk mora ndonjë raport nga "Albademil" për gjithë projektin e municioneve të vogla. Vetëm më 14 mars 2008 unë u informova për shpenzimet dhe të ardhurat e veprimtarisë së kalibrit të vogël, edhe pse kontrata e parë kishte mbaruar 5 muaj më parë",-ka thënë Henri.


Ndërsa, edhe prokuroria ka saktësuar se kompania "Albademil" nuk ka kryer asnjë transaksion bankar në llogari të presidentit të SCA-it Henri për kontratën e parë dhe të dytë.


Henri: Pinari e Delijorgji më shantazhuan për firmën


TIRANË- Presidenti i kompanisë amerikane SAC, shtetasi Patrik Henri, i vetëdijshëm se firma e tij nuk çmilitarizonte municione të kalibrit të madh, është detyruar të firmosë kontratën e dytë mes MEICO-s dhe kompanisë së tij, nga i pandehuri Ylli Pinari e Mihal Delijorgji.


Ky detyrim, sipas dëshmisë së tij, ka ardhur pasi ish-drejtori i MEICO-s Pinari dhe Delijorgji e "kërcënuan" për të mos marrë paratë e kontratës së parë që i takonin nga demontimi i municioneve të lehta dhe skrapit prej tunxhi. "Unë nuk kam bërë asnjë kërkesë drejt Ministrisë së Mbrojtjes për një kontratë të dytë.


Mendoj se atë kontratë e ka bërë vetë drejtori i MEICO-s, Ylli Pinari, sipas udhëzimeve të Mihal Delijorgjit, të cilët ma sollën një kopje duke më kërkuar të firmosja edhe pse nuk kisha kapacitet dhe licencim për demontimin e këtyre municioneve të larta, nga 25 mm deri 156 mm që përmbajnë eksploziv të madh.


"Kontrata e dytë është firmosur më datë 28 dhjetor 2007 mes kompanisë "SAC Inc" dhe kompanisë MEICO, që ka pasuar me kontratën e datës 31 dhjetor 2007 mes "SAC Inc" dhe kompanisë "Albademil" për demontimin dhe çmilitarizimin e municionit të kalibrit aga 20 mm deri në 152 mm.


Në këtë nënshkrim të kontratës, nuk kam qenë i pranishëm në atë moment po e kam firmosur më pas, më duket nga data 7 mars 2007, në udhëtimin tim të fundit në Shqipëri që kam qëndruar deri më 14 mars 2008, një ditë para shpërthimit.


Unë kisha dy arsye që firmosa, e para, përshtypja ime ishte se nëse nuk firmosja kontratën, nuk do të paguhesha për punën që kisha bërë te kontrata e parë, dhe Mihali e Pinari po shtynin nën-kontraktorët me eksperiencë në demontim, për të kryer punën.


Ylli Pinari më ka përmendur veçanërisht kompanitë "STV" të Çekisë që po punonte me një kompani Hungareze për të mundësuar punën e çmontimit të kalibrit të madh"-ka thënë Henri, duke përkufizuar këtë si një lloj shantazhi që i bëhej.


Në përfundim të dëshmisë së tij, Henri përmend takimet me Mihal Delijorgjin dhe kunatin e tij Dritan Minxholli të kryer në zyrat e kompanisë së ndërtimit të këtyre të fundit, që ndodhet në rrugën e "Kavajës", ku ishte diskutuar në lidhje me pagesat që kompania "Albademil" i detyrohej firmës amerikane SAC për kontratën e parë dhe të dytë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›