Tufa kundër Fan Nolit: Përkthimet e tij duhen ripërkthyer
Shkrimtari dhe përkthyesi Agron Tufa ka thyer një tabu. Në një intervistë për suplementin Milosao të Gazetës Shqiptare ka shpallur se përkthimet e Fan Nolit duhen riparë, ripërkthyer, për të shpëtuar kështu nga një radhë folklorizmash e ideologjizmash që hasen sa në tekstet e përkthyera, sa nga klasikët e sa në parathëniet e tyre. Tufa, edhe vetë një përkthyes, është shprehur se një pjesë e mirë e klasikëve, në mos të gjithë, duhen ripërkthyer. Kjo sipas tij duhet bërë ngase gjuha dhe dinamikat shoqërore kanë ndryshuar. Tufa ka sjellë disa raste të përkthimeve të këqija të Nolit, si për shembull vargun frynte era nga përjashta tundte perdet e mëndafshta të poetit amerikan E. A. Poe të cilit, në kartolinat e kohës së komunizmit, populli, si për ta banalizuar edhe më, i shtoi edhe mos kujto se të harrova, kartolinën ta dërgova. Agron Tufa bëhet kështu i pari njeri i kulturës që del publikisht me nevojën e rishikimit të përkthimeve të klasikëve.
*respublica.al