E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyllet sezoni për Rud Van Nistëlroin

Rud van Nistëlroi do të jetë vetëm spektator gjatë pjesës së mbetur të sezonit në Primera Liga, pasi është i dëmtuar në gju. Konfirmimi vjen nga vetë klubi i lojtarit holandez, Reali i Madridit. Van Nistëlroi gjendet tani në SHBA, te specialisti i ndërhyrjeve në gju, dr. Riçard Steadman. Van Nistëlroi ka bërë një operacion eksplorues artroskopik, për të përcaktuar nivelin e dëmtimit; pas këtij operacioni është vendosur që ai të bëjë një ndërhyrje kirurgjikale, ka konfirmuar klubi spanjoll. Vlerësohet se Van Nistëlroi do të jetë për një periudhë, nga gjashtë deri në nëntë muaj, larg fushës së futbollit, varësisht nga riaftësimi i tij. Ky është i njëjti gju që Van Nistëlroi e operoi para tetë vitesh, po te dr. Steadman, kur luante me PSV Eindovenin. Lojtari 32 vjeçar Van Nistëlroi ka shpresuar që problemi i fundit do ta mbante atë jashtë fushës vetëm për dy muaj, por konfirmimi i ardhur nga klubi, se Van Nistëlroi ka nevojë për ndërhyrje kirurgjikale, do të thotë se ai do ta humbasë pjesën e mbetur të sezonit. Në deklaratën e lëshuar nga klubi i Madridit thuhet: "Pas një operimi eksplorues artroskopik të mërkurën është përcaktuar se Rud van Nistëlroi ka një menisk pjesërisht të këputur në gjurin e tij të djathtë. Stafi mjekësor i Realit të Madridit, dr. Steadman dhe lojtari ranë dakord të ndërhynin kirurgjikisht te gjuri i dëmtuar". Paraqitja e fundit e Van Nistëlroit për Madridin ishte në ndeshjen kundër Juventusit për Ligën e Kampionëve, kur ai u zëvendësua nëntë minuta para përfundimit të ndeshjes. Humbja e holandezit është një goditje e madhe për Madridin dhe për trajnerin Bernd Shuster, i cili është gjendur nën presion të madh nga mediet, pas disa rezultateve të dobëta. Madje, në shtypin spanjoll ka pasur zëra se Shusteri mund të shkarkohet këtë fundjavë, nëse nuk fiton ndeshjen e radhës në kampionat kundër Realit të Valadolidit. Van Nistëlroi iu bashkuar Madridit në vitin 2006 nga Mançester Junajtedi dhe në sezonin e tij të parë në Bernabeu shënoi 25 gola në kampionat, duke qenë golashënuesi më i mirë. Madridi fitoi titullin atë vit dhe e mbrojti me sukses atë edhe në sezonin pasues, kur Van Nistëlroi, edhe pse nuk luajti një pjesë të sezonit, për shkak të një problemi në kavilje, shënoi 16 gola. Këtë sezon holandezi ka shënuar shtatë gola në dhjetë ndeshje të kompeticioneve të ndryshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›