Udhëtimi për në Azerbajxhan, me telashe për kombëtaren
Kur duhen edhe pesë ditë nga miqësorja që Shqipëria do të zhvillojë me Azerbajxhanin në Baku, përveç problemeve të fundit me dëmtimet, pritet që edhe udhëtimi të jetë një telash më vete për kuqezinjtë. Lojtarëve u duhet që të udhëtojnë një herë për në Turqi e më pas të shkojnë direkt për në kryeqytetin azerbajxhanas, Baku. Të dielën, kur FSHF ka parashikuar nisjen për në Stamboll, në aeroportin e këtij të fundit do të mblidhen 11 futbollistë, bashkë me stafin teknik dhe delegacionin që shoqëron kombëtaren, i cili këtë herë është i limitizuar. Nga drejtuesit e FSHF së do të jetë presidenti Armand Duka dhe zv.presidenti Lutfi Nuri. Ndërkohë, drejt Stambollit të dielën do të udhëtojnë nga Tirana futbollistët Andi Lila, Ansi Agolli, Gjergji Muzaka, Elvin Beqiri, Elis Bakaj dhe Endri Vrapi. Në aeroportin e qytetit turk do t'u bashkohet këtyre të fundit Lorik Cana, Besart Berisha, Ervin Skela, Saimir Ujkani dhe Kristi Vangjeli. Lojtarët që luajnë jashtë, do të udhëtojnë direkt nga vendet e tyre për të shkuar në Stamboll. Kjo bëhet, në pamundësi për të udhëtuar direkt drejt Azerbajxhanit. Mirëpo, përveç këtyre 11 lojtarëve dhe stafit teknik, që u duhet të presin rreth katër në aeroportin e Stambollit, të hënën vjen një "kombëtare" tjetër. Bëhet fjalë për ata lojtarë, të cilët janë të angazhuar me klubet e tyre të dielën. Pikërisht, mbrojtësit Armend Dallku dhe Debatik Curri që luajnë në Ukrainë me Vorskla Polltavën, mesfushori Ervin Bulku me Krivbasin, portieri Isli Hidi me Alqin në Qipro, gjithashtu mesfushori Klodian Duro me Omonian. Kësaj i shtohet edhe treshja e lojtarëve shkodranë: Admir Teli, Gilman Lika dhe Xhevahir Sukaj, që aktivizohen me Haxhetepen në Turqi. Kombëtarja do të grumbullohet në "Grand Hotel Europa", me pesë yje dhe mjaft luksoz, që i është rezervuar FSHF së nga homologët azerbajxhanas, të cilët do të mbulojnë shpenzimet e akomodimit të kuqezinjve.
Për Hanin, Azerbajxhani shumë i rëndësishëm
Miqësorja me Azerbajxhanin më 19 nëntor është cilësuar shumë e rëndësishme për trajnerin Ari Han. Sipas burimeve pranë tij, holandezi gjithnjë për këtë miqësore, e fundit në kuadër të eliminatores me Maltën, ka ngulmuar. "Eshtë shumë e rëndësishme për mua. Këtu do të shikoj reagimin e lojtarëve, plus dhe të rinjtë e thirrur,"ka thënë ai. Ndërkohë, me jo pak shqetësim, edhe pse është një ndeshje miqësore, trajneri i ka folur për lojtarët e dëmtuar, portierin Arjan Beqaj, kapitenin Altin Lala dhe sulmuesin Erion Bogdani. Gjithsesi, ka pasur vend edhe për shaka, teksa në muhabet e sipër, njërit prej zyrtarëve të FSHF së, i ka thënë: "Bëhu gati dhe ti, se na u dëmtuan të gjithë."
Stërvitjet, nën dritat e projektorëve
Sipas informacioneve në FSHF, stërvitja e kombëtares në Azerbajxhan do të bëhet në orarin e mbrëmjes, kjo për t'i krijuar mundësinë trajnerit Ari Han që ta ketë grupin e plotë që në seancën e parë. Të dielën, kur dhe do të bëhet grumbullimi i një pjese të lojtarëve, holandezi ka menduar që të jetë një ditë pushimi. Ndërkohë, seanca e parë do të kryhet të hënën në mbrëmje, në një nga stadiumet e Bakusë. Në këtë seancë pritet të jenë të gjithë lojtarët. Të martën, një ditë para ndeshjes, trajneri kuqezi ka menduar dy seanca, një paradite dhe një në mbremje, për të mbyllur kështu përgatitjet.