E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Aleanca me LSI, u konsultova me bazën

Kreu socialist, Edi Rama deklaroi dje, se vendimin për të bërë koalicion me LSI-në e ka konsultuar me bazën e partisë, madje janë bërë edhe sondazhe. Gjatë emisionit “Mëngjes me Endrin” në ‘Albanian Screen’, Rama tha se LSI-së i është ofruar dora e bashkëpunimit, duke mos folur për ndarje postesh.
Vendimet, përgjithësisht si i merrni? Apo është basti i madh që Edi Rama ka vënë me veten dhe më shumë se kushdo tjetër që do të jetë deputet, dhe kur Edi Rama të mos jetë kryetar partie, i takon atij ta marri përsipër?
Unë nuk e di se çfarë bëjnë të tjerët, por besoj se konsumoj një energji dhe një kohë shumë të madhe për të konsultuar vendimet e mia. Nuk i konsultoj mendimet e mia në ndonjë rreth hermetik, i konsultoj mendimet e mia jashtë rrethit, brenda rrethit, në shumë rrathë.
Çështja është kush përfshihet në rreth...
Dhe fjala vjen, vendimin për të realizuar këtë marrëveshje për t’u bashkuar me LSI-në, ju siguroj që unë e kam konsultuar jo vetëm me disa dhjetëra njerëz, por edhe me publikun. Kam bërë një sondazh enkas për këtë, kemi realizuar një sërë fokus grupesh enkas për këtë, që do të thotë që kemi thithur mendimin e socialistëve dhe progresistëve në mënyrë të detajuar në të gjithë Shqipërinë. Dhe mbi bazën e kësaj kemi marrë pastaj këtë vendim.
Është e vërtetë që ka pasur një skepticizëm brenda partisë në lidhje me aleancën PS-LSI?
Patjetër që ka pasur një moment, le ta themi ngurrimi. Ua besoj unë gjithë strukturën e partisë, për arsye se vendimi i marrë është jashtëzakonisht i fortë dhe i papritur për shumëkënd. Por kjo është e natyrshme dhe e kapërcyer plotësisht.
Dua t’ju kujtoj një kabllogram të Wikileaks që thotë: “Edi Rama ka më shumë influencë dhe dëgjon më shumë rrethe të shoqërisë civile apo biznesit sesa struktura të partisë.”
Ne e kemi pyetur gjerësisht publikun, grupe dhe fokus grupe, enkas për këtë çështje, për të konsoliduar këtë proces vendimmarrës. Që do të thotë, kemi analizuar me shumë kujdes se cilat kanë qenë pro-të dhe kundra-t në këtë vendim. Unë habitem se me çfarë habiteni ju, kur në Asamblenë e Përgjithshme të PS-së ne kemi miratuar një strategji elektorale dhe kjo strategji elektorale ka si komponent të vetin gatishmërinë e PS-së për t’u bashkuar me çdo forcë që dëshiron të bashkohet me frontin opozitar në prag të zgjedhjeve të 23 qershorit, përfshirë edhe forcat që në atë kohë ishin në qeverisje dhe që do të bënin një hap për t’u larguar nga qeveria. Kjo është përgjigjja që unë kam dhënë dhe që të gjithë ne kemi dhënë sa herë jemi pyetur.
Keni botuar në një interval njëditor nga njëri-tjetri, dy editoriale; “21 janari varet vetëm nga 23 qershori” dhe “Si gjithnjë i juaji Edi Rama”...
Besoj se ka një ngatërresë shumë të madhe në këtë zhurmë. Është një ngatërresë, e cila në fakt, për mua që kam pasur mundësinë që t’i shikoj analistët, shumicën e tyre edhe nga ekrani, edhe ballë për ballë, është shumë e qartë.
“Mapo” thotë ‘Rama sulmon analistët: fallxhorë në hava, për koalicionin e ri’.
Nuk sulmoj asnjë njeri, analistët fare, por them një të vërtetë të thjeshtë, që në tavolinë, me një përjashtim të vogël që përforcon rregullin, që të gjithë të tjerët, ata që në televizor bënin moralistin bajat, realisht më kanë thënë ‘ka vetëm një rrugë, ka vetëm një shpëtim, vetëm një gjë për të bërë, që është aleanca e PS-së me LSI-në për të larguar pushtetin e Sali Berishës’. Që të gjithë, edhe ata të tjerët që nuk e dëshirojë largimin e Saliut, e kanë thënë në syrin tim, që ‘PS-ja nuk fiton dot kurrë nëse nuk bashkohet me LSI-në, por ti nuk je në gjendje të bësh koalicione’ etj., etj.
Ilir Meta thotë, në konferencën e parë që dha për shtyp, “për domosdoshmërinë e një ekuilibri të ri politik, dhe ramë në opozitë për të përmbysur qeverinë dhe për të ardhur një qeveri tjetër”. Pse duhet ta përmbyste Ilir Meta qeverinë ku ishte?
Shiko, këto pyetje janë të gjitha legjitime, por thirreni Ilir Metën dhe jam i bindur që ai do t’ju përgjigjet për pjesën e tij ashtu si e mendon.
Çfarë i ofruat ju Ilir Metës?
Se çfarë më ka shtyrë mua të marr këtë vendim dhe pse mendoj që ky është vendimi i duhur me afat të shkurtër për të larguar Saliun pa i dhënë mundësi që të manipulojë përsëri zgjedhjet, sepse do të krijohet një hendek shumë i madh që nuk do të kapërcehet dhe në afat të gjatë, për t’i dhënë Shqipërisë një qeverisje nga e cila shqiptarët do të përfitojnë çka nuk kanë përfituar tërë këto vite.
Çfarë i keni ofruar LSI-së?
LSI-së ne i kemi ofruar dorën e bashkimit dhe bashkimi ynë me LSI-në për sa më takon dhe për sa na takon, do të jetë një bashkim real, do të jetë një bashkim i plotë, do të jetë një bashkim me një funksion, jo vetëm taktik për 23 qershorin, por strategjik për qeverisjen.
Ilir Meta, kur ju ia propozuat, pranoi menjëherë apo negociuat? Ishte një proces komunikimi i gjatë, nuk është një proces që mund të përmbyllet me fjalën, “kush ia propozoi dhe kush pranoi propozimin”. Është një proces komunikimi i gjatë, i natyrshëm, ku ka pasur edhe faktorë të tjerë, ka pasur miq dhe dashamirës të rëndësishëm ndërkombëtarë, ka pasur sigurisht edhe luhatjet e veta si proces, por ka qenë një proces komunikimi i natyrshëm dhe vazhdon në mënyrë të natyrshme.
Kostoja që ju keni duke bashkëpunuar me LSI-në?
Ata që komentojnë janë zgjedhës, ndërsa media nuk diskutohet që ka një fuqi të madhe për t’i ndryshuar apo për t’i tërhequr zgjedhësit në një labirint të errët. Dhe për ‘21 janarin’ u spekulua në mënyrë të përbindshme, nga ata që në fakt janë bashkëpërgjegjës për dhunën dhe vrasjet e 21 janarit, sepse më 22, 23, 24 dhe 25 janar nuk bënë për asnjë moment detyrën e tyre, dhe këtu flas për mediat e pushtetit, ndërkohë që sot ngrenë një stuhi të tërë moralizimi për “21 janarin”. “21 janari” është një plagë e hapur, të cilën mund ta kurojë vetëm drejtësia. Dhe drejtësia për “21 janarin” është penguar dhe pengohet nga ky pushtet dhe personalisht nga kryeministri, i cili është i dyshuari i madh si urdhëruesi i vrasjeve të “21 janarit”, dhe në mënyrë absolute, 23 qershori ka rëndësi themelore për “21 janarin”. Fitorja e PS-së dhe e koalicionit tonë, bashkë me LSI-në në 23 qershor, do t’i hapi rrugë edhe drejtësisë së pandikuar politikisht të “21 janarit”. Kjo është aq e qartë, saqë unë ndihem realisht i neveritur kur shoh se çfarë spekulimi i përbindshëm bëhet me të vrarët, me emocionet e “21 janarit”, bëhet me një ngjarje të cilën e kam në trup dhe në zemër. Të jeni i sigurt, unë i pari pas familjarëve të dëshmorëve të “21 janarit”, askush tjetër më shumë se unë.
Shohim “Xhaxhai i Aleks Nikës, Rama s’më takoi. Kodheli më tha harroje të kaluarën”
Kjo është gënjeshtër. Fatkeqësia e madhe me këtë botë krejtësisht të deformuar dhe çoroditëse të shtypit të uzurpuar në pjesën më të madhe nga pushteti, është kjo: prodhohen gënjeshtra, shtypen gënjeshtra, komentohen gënjeshtra dhe pastaj thirren njerëzit, të akuzuar mbi bazën e gënjeshtrave të transformuara në fakte. Dhe kjo është një gënjeshtër. Xhaxhai i Aleks Nikës nuk e ka takuar kurrë Mimi Kodhelin deri në atë moment kur aty është shkruar çdo gjë.
Ju ka kërkuar ai të takoheni?
Xhaxhai i Aleks Nikës nuk më ka kërkuar mua të më takojë dhe unë me familjen e Aleks Nikës jam në kontakt të vazhdueshëm, kemi marrëdhënie familjare, dhe e gjitha kjo është një farsë, që është pjesë e ngjyerjes në gjakun e “21 janarit” të bishtit të pisët të gjithë kësaj urithade, e cila pushtoi faqet e shtypit gjatë gjithë këtyre ditëve, vetëm për një arsye, sepse është e kapur nga paniku i humbjes së pushtetit. A e kuptoni apo nuk e kuptoni që kjo marrëveshje ka shkaktuar një tërmet që ka zënë brenda partinë familjare të kryeministrit dhe nuk ka asnjë arsye që socialistët dhe progresistët të jenë të shqetësuar nga kjo marrëveshje?! Ka 1001 arsye që ne të jemi të shqetësuar për rrugën ku po ecën vendi.
Uroj që të mos ndodhin më gjëra rrugës, sikurse ndodhi me qeverinë “Berisha”, ku brenda 24 orësh Ilir Meta ndërroi qeverinë dhe Sali Berisha u gjend në pamundësi. Këto janë kostot e koalicionit...
Në rast se duam të ndërrojmë mënyrën se si lëviz ky vend, ne duhet në ndërrojmë tërësisht vizionin, botëkuptimin, strategjinë qeverisëse. Unë këtë do të bëj. Unë nuk dua që të shkoj të ulem në krye të qeverisë për të vazhduar të njëjtin avaz që ka vazhduar këta 20 vjet. Unë do të ulem në krye të qeverisë për të ndryshuar rrënjësisht procesin qeverisës. Sa do t’ia dal, kjo është një gjë që do ta tregojë koha. Por ama është e sigurt që, koha ka treguar që kjo qeveri ka marrë fund, misioni i saj është ezauruar, vetëm dëm shkakton çdo ditë që rri aty, rri në këmbë duke tretur peshqit e fundit që mund të hajë në batakun e atyre viteve ku u formua një kalbëzim shumë i madh.
Në rast se ju arrini të siguroni fitoren me LSI-në tani në 2013-ën. Dhe, në njëfarë mënyre ia keni rritur shumë piacën LSI-së...
Këto janë disa fantazi tuajat që unë jua respektoj, por këtu s’bëhet fjalë as për shpëtimtarë, këtu s’bëhet fjalë as për njerëz që, pasi ne të fitojmë, do të thonë...
Vetë keni thënë që kjo është e vetmja mënyrë për të ardhur në pushtet...
Unë nuk e kam thënë kurrë këtë gjë. Në qoftë se ju ma gjeni ku e kam thënë unë që, është e vetmja mënyrë për të ardhur në pushtet, atëherë ju kërkoj ndjesë. Mos lexoni gazeta, se unë e di çfarë kam thënë. Unë kam thënë që, “në kushtet kur nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme, në kushtet kur vota është e kërcënuar nga manipulimi, në kushtet kur distanca mes nesh dhe palës tjetër, që është e konsiderueshme, është një distancë që mund të tkurret, siç u tkurr në Tiranë më 8 maj, për shkak se nuk jemi në një vend demokratik, atëherë është domosdoshmëri që të ndërtohet një koalicion i cili ta pengojë deformimin e rezultatit deri në përmbysje, dhe LSI-ja është faktor themelor për këtë. Ashtu sikundër bashkimi i gjithë forcave socialiste progresiste është një bashkim strategjik i cili sapo ka nisur”. Kështu që, të jeni të sigurt që askush nuk do t’i thotë këto. Njerëzit e kanë çdo sekondë e më të kthjellët horizontin. Më 23 qershor ne do të fitojmë, dhe mbas fitores, njerëzit nuk do të thonë “po si s’e bënë këtë në 2009-ën”.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›