Tunizi, zhvillohen sot zgjedhjet e përgjithshme

Pak më shumë se 10 muaj nga rënia e regjimit të Ben Ali, tunizia po zhvillon zgjedhjet për qeverinë e re , duke zgjedhur përfaqësuesit e asamblesë që do të nimojnë edhe qeverinë e më pas do të hartojnë edhe kartën kushtetuese. Fushata është mbyllur të premten në mbrëmje dhe votimi nisi në orën 7 të mëngjesit sipas orës lokale. Këto janë zgjedhjet e para të përgjithshme prej shembjes se regjimit të ish-presidentit Zine Al Abidine Ben Ali, në janar të këtij viti. Partia e tij, Asambleja Demokratike Kushtetuese, që ka qenë në pushtet prej 23 vjetësh, ra pasi tunizianët dolen në rrugë duke shënuar atë që u pranua gjerësisht si “pranvera arabe”. Këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme për Tunizinë, nëse rrjedhin paqesore e të ndershme, ato do të inkurajojnë levizjet demokratike në Siri, Jemen, Bahrein apo në vende të tjera. Fuqitë ndërkombëtare vëzhgojnë përbërjen politike, vecanërisht prezantimin e partive islamike. Votuesit do të zgjedhin 217 anëtarët e Asamblesë Kushtetuese. Prej tyre, 199 do të dalin nga 27 zona elektorale në Tunizi dhe 18 deputetë të tjerë do të votohen nga tunizianët që jetojnë jashtë vendit. Në bazë të një sistemi proporcional, partitë kanë përcaktuar kandidatët e tyre, gjysma e të cilëve do të jenë gra. Partitë kryesore në garë jane ajo islamike “Ennahdha” apo “Rilindja”, që gëzon mbështetje të gjerë dhe pritet të fitojë numrin më të madh të deputetëve. Në kohën e Ben Ali, ajo ishte një parti e nxjerrë jashtë ligjit. Udhëheqësi i saj, Raced Ganushi u kthye nga mërgimi pas 20 vjetësh. E dyta është Partia Progresive Demokratike, PDP, laike. Ajo ishte një ndër të paktat parti të ligjshme gjatë regjimit të Ben Ali. Themeluesi i saj është Naguib Kebi, ministër i Zhvillimit rajonal prej janarit.
I treti renditet Forumi Demokratik për Punën dhe Liritë, apo “Etakatol”, një parti social-demokratike që ka fituar terren këto javët e fundit dhe është tani në të njëjtin nivel me PDP, duke iu referuar sondazheve. Udhëheqësi i saj është Mustafa Ben Xhafar, që për pak kohë, mbajti detyrën e ministrit të Shëndetësisë gjatë këtij viti.
Zgjedhjet do të ndiqen dhe do të vëzhgohen së afërmi nga e gjithë bota.