E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turbo bord

Nga gjashtë projekte të lexuara nga Bordi i Teatrit, vetëm dy prej tyre do nisin rrugën e provave. Zyrtarisht sezoni artistik i Teatrit Kombëtar do të njihet fundi i dhjetorit me premierën e Spiro Dunit, dhe më pas pritet regjia e Albert Mingës. Drejtori i Teatrit, Kristaq Skrami, vë në jetë idetë e propozuara nga bordi - regjisorët do të aplikojnë sipas formularëve të rinj dhe teatri do të ketë një vepër prioritare nga dramaturgjia më e mirë botërore, ku regjisorët do të konkurrojnë me idetë. Asnjë emër i ri në bord, kur emrat e tyre përzgjidhen ende nga plejada e traditës. Edhe pse i caktuar me ligj, për bordet është shansi i fundit për të treguar dështimin në teatër

Turbo bord

Bordi i Teatrit Kombëtar i mbledhur para dy javësh ka përzgjedhur vetëm dy projekte për sezonin e ri artistik. E para që do të vihet në skenë në fund të muajit dhjetor është "Fërshëllimë në errësirë" nga Tom Merfi - dramaturg irlandez, me regjisor Spiro Dunin. Premiera tjetër absolute është drama e Eduardo De Filippo, “Filomena Marturano”, që do të vihet në skenë me regjinë e Albert Mingës.

Për realizimin e saj, nuk është përcaktuar ndonjë datë e saktë, veçse provat do të nisin andej nga janari dhe brenda muajit ndoshta vihet në skenë. Këto dy vepra u thanë dje, në mënyrë të papritur nga drejtori i Teatrit Kombëtar, Kristaq Skrami.

Pastaj veprat e sezonit në vazhdim do presin prapë bordin, që të shqyrtojë projekte të tjera dhe në mes tyre të kemi dhe dy vepra, që ndoshta do të vihen në skenë deri në verë. Bordi i Teatrit Kombëtar sapo është ngritur me urdhër të ministrit të Kulturës, që ka këta emra në përbërje të saj: Kristaq Skrami, kryetar, (drejtori i TK-së), Agim Zajmi, Adriatik Kallulli, Petrit Malaj, Artan Minarolli, Altin Basha dhe Genc Sharku.

Për shkak të kohës, emrat e mësipërm, pra anëtarët e bordit, nuk kanë mundur të lexojnë të gjitha projektet e paraqitura në Teatrin Kombëtar. Ndër 15 projekte, Skrami thotë se u janë dhënë vetëm gjashtë prej tyre dhe pas kësaj procedure pritet të lexohen të tjerat.

Siç mund të shihen nga emrat, prej tyre nuk figuron asnjë aktor, regjisor apo skenograf i ri, që të mund të kuptojmë tendencën e ndryshimit të frymës në teatër. Qoftë në bord apo dhe si paraqitës projekti, ky brez është krejtësisht i përjashtuar. Skrami e justifikon këtë me mungesën e dëshirës që të rinjtë kanë për të paraqitur projekte pranë Teatrit Kombëtar, dhe i duhet të mbledhë supet dhe të mbrojë emrat që hanë mbi Teatrin për rreth 40 vjet, atyre që duket se e kthejnë bordin në një turbo prirjesh.

Në parantezë duhet të thënë se të rinjtë sot prej ballkonit të Teatrit shihen si ekstremistë, njerëz që duan të shembin çdo gjë nga e kaluara dhe që mohojnë traditën. Një mijë arsye për t’i mbajtur larg, deri në diskriminim për të ngritur një festival mësimor për ta, të mishëruar nga ministria si ballore e mirë për t’ju thënë se po mbështeten.

Për të anashkaluar këtë tentativë, dje për herë të parë është shpallur dhe një formular aplikimi i ri. Kjo do të thotë se bordi po përpiqet të gjejë forma të reja, për të vjelë teatrin e mirë. Drejtori Skrami tha se kjo ishte ide e propozuar pikërisht nga bordi dhe hartuar po prej tij. Forma e re e aplikimit pritet t’u shpërndahet regjisorëve dhe autorëve që do të përmbajë CV-në, përshkrimin e veprës, skenografisë, platformën regjisoriale dhe 2-3 personazhe aktorë kryesorë, si dhe preventivin paraprak. Pra, janë një grumbull të dhënash që synojnë të zbulojnë regjisorin, talentin. Kjo është politika që Skrami ka treguar dje se po ndryshon erën e Teatrit, kur më parë bordet detyroheshin të lexonin veprën dhe sinopse pa fund të autorëve.

Nëse ky ndryshim timoni kuptohet si ndërrim i politikës së bordit dhe nuk shihet si dështim të vetë kësaj strukture, që në të shumtën ka rezultuar formale, për Skramin do të thotë vetëm zbatim të ligjit për Teatrin. Pra, është një strukturë e vendosur, e përcaktuar mirë në ligjin për artin skenik. Ndërkohë që pjesa radikale e Teatrin e sheh krejt jashtë kohe çështjen e funksionimit të bordit.

Megjithatë, përzierja e çuditshme e emrave që ka bordi, vazhdon të funksionojë ndërsa në emër të tij vazhdon era e ndryshimeve në Teatër. Skrami ka thënë se bordi po eksperimenton një tjetër formë për të sjellë teatrin më të mirë botëror. Do të caktohet një vepër nga dramaturgjia më e mirë botërore dhe do të ketë konkurs të hapur për regjisorët, për idetë e tyre, për vënien në skenë. Teatri do të ketë një vepër, krahas projekteve të miratuara të sezonit, që do të mbahet si politikë prioritare e tij. Se si do të procedohet me preventivin e saj, akoma është e paqartë, ndërkohë që buxheti në Teatër për dy veprat e para, atë të Dunit dhe Mingës, kap shifrën prej 80 milionë lekësh. Në nëntor bordi do të mblidhet prapë, për të parë rezultatin politik, në të kundërt i bie të dështojë krejt si strukturë, duke e parë këtë si shans të fundit, më të shterurin. Pas tij, “kërcënohet” sërish edhe ligji për teatrin.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›