E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëmbimi i imamit të Gostivarit, 54 vjet burg për të akuzuarit

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda dënoi dje me 54 vjet burg të akuzuarit për rrëmbimin në vitin 2002 të imamit të Gostivarit, Irfan Idrizi. Ndonëse dy seanca më parë prokurori i Apelit kërkoi rëndimin e masave të dënimit për të gjithë të pandehurit, madje duke deklaruar fajtor edhe të pandehurin Nagip Musliu, i cili mori pafajësi, gjykata në verdiktin përfundimtar dënoi me 12 vjet burg të pandehurin Masar Meli, me nga 11 vjet Korab Melin dhe Shkëlqim Palushin, si dhe me 10 vjet burg për të pandehurit Beqir e Basri Shahu. Ndërkohë që la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila shpalli të pafajshëm të akuzuarin Nagip Musliu. Sipas të dhënave të prokurorisë, më 2 dhjetor të vitit 2002, disa persona rrëmbyen në Gostivar (Maqedoni) imamin e qytetit, Irfan Idrizi. Pas disa ditësh, ata telefonojnë familjen e tij dhe i kërkojnë në këmbim të pengut një shumë të konsiderueshme parash prej 1 milion eurosh, ndërkohë që pengu ishte transportuar në Kukës. Por, edhe pse u pagua kjo shumë, Irfan Idrizi nuk u la i lirë dhe ende nuk dihet fati i tij, nëse është gjallë apo jo. Fillimisht, me këtë çështje u mor prokuroria e Shkodrës dhe më pas, për shkak të rëndësisë, dosja kaloi për llogari të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila lëshoi edhe urdhër arrestet për të pandehurit e procesit. Gjyqtarët e Shkallës së Parë dënuan me 62 vjet burg të pandehurit dhe dhanë pafajësi për Nagip Musliun, konkretisht 14 vjet burg për Masar Melin, 10 vjet burg Korab Melin, 12 vjet burg për Beqir Shahun, 12 vjet burg për Basri Shahun dhe 14 vjet burg për Shkëlqim Palushin.

Mbrojtja

Gjashtë të pandehurit e akuzuar për rrëmbimin dhe mbajtjen peng të imamit të Gostivarit, Irfan Idrizi, para togave të zeza të Apelit të Krimeve të Rënda kanë kërkuar pafajësi. Një seancë më parë, ata kanë parashtruar argumentet e tyre pse janë të pafajshëm, ndërkohë që kanë akuzuar emra konkretë si të përfshirë në rrëmbimin e Idrizit. Sipas tyre, struktura policore të Kukësit në atë kohë, por edhe punonjës të akuzës, kanë punuar që paratë e marra familjes së imamit të shkojnë në xhepat e tyre, ndërkohë që burgun ta bëjnë të tjerë persona, konkretisht të pandehurit Masar e Korab Meli, Shkëlqim Palushi, Basri e Beqir Shahu e Nagip Musliu. Sipas mbrojtjes së tyre, rrëmbimi është përgatitur e realizuar nga shtetasit Agim Bilalli e Mezin Bexheti nga Maqedonia, të cilët dinin vendin ku mbahej, personat që e kishin rrëmbyer, madje dhe u bënë garant për të çuar tek rrëmbyesit edhe 500 mijë euro në këmbim të pengut. Por, ato para kanë shkuar me të vërtetë tek shtetasit që kanë bërë rrëmbimin, kanë deklaruar avokatët, veçse nuk janë të pandehurit, por ata që pas rrëmbimit kanë shtuar pasuritë menjëherë, si dy maqedonasit Agim Bilalli e Mezin Bexheti, si dhe disa shtetas nga Kukësi, mes të cilëve edhe Uran Elezi, makina e të cilit është përshkruar nga dy maqedonasit si e personave që morën paratë. Avokatët kundërshtuan gjithashtu edhe rëndimin e masave të dënimit nga prokurori i Apelit, i cili përveçse ka shtuar masat e dënimit, ka dënuar edhe shtetasin Nagip Musliu, i cili mori pafajësi në Shkallën e Parë.

Detaj

62 vjet burg dhe një pafajësi dhanë gjyqtarët e Shkallës së Parë për gjashtë të pandehurit e akuzuar për rrëmbimin

1 milionë euro dha familja e Irfan Idrizit për të liruar pengun, por edne dhe sot nuk dihet nëse pengu është i gjallë apo i vdekur

Të pandehurit dhe masat e dënimit

Masar Meli, 12 vjet burg

Korab Meli, 11 vjet burg

Shkëlqim Palushin, 11 vjet burg

Beqir Shahu 10 vjet burg

Basri Shahu 10 vjet burg

Nagip Musliu i pafajshëm

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›