E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turi i premtimeve të mbajtura, deri në zgjedhjet e 2009-s

Në kuadër të turit “Shqipëria në NATO”, kryeministri Sali Berisha vijoi dje vizitën e tij në qytetin e Vlorës. Në takimin me qytetarët, shefi i ekzekutivit u ndal në rrugën e Shqipërisë deri në marrjen e ftesës së anëtarësimit në NATO. Kreu i qeverisë e cilësoi marrjen e ftesës si ngjarjen me madhore në gjithë historinë e Shqipërisë, ngjarja më e madhe në sigurinë e shqiptarëve që nga koha e Skënderbeut deri më sot. Kryeministri tha ndër të tjera se viti 2008 do të regjistrohet si viti që realizoi dy ëndrra të mëdha kombëtare për shqiptarët, pavarësia e Kosovës dhe marrja e ftesës së anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Kryeministri Sali Berisha u zotua se lufta ndaj krimit të organizuar do të vazhdojë me zero tolerancë dhe sado të kushtojë kjo betejë, krimi nuk do të ketë hapësirë në Shqipëri. Gjatë fjalës përpara qytetarëve vlonjatë, Kryeministri vuri në dukje se qeveria që ai drejton e nisi betejën me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe deri tani janë ndjekur dhe ndaluar 260 grupe kriminale, kudo që ishin. “Zotimi ynë - zero tolerancë ndaj krimit”, duke nënvizuar se ne iu zotuam të 26 partnerëve të NATO-s se ishim të gatshëm të garantonim jetën e qytetarëve tanë”, tha Berisha. Kreu i qeverisë vuri në dukje ndër të tjera se maxhoranca erdhi në pushtet në një kohë kur korrupsioni ishte shndërruar në sistem. “1.4 milard lekë nga tatimet dhe taksat përfundonin në xhepat e kontrabandistëve, evazorëve”, tha Kryeministri, duke nënvizuar se ne erdhëm në pushtet kur ministrat e kabinetit drejtonin monopolet e ushqimeve, të naftës, kur shpenzimet operative të administratës dhe qeverisë ishin më të larta. Kryeministri nënvizoi se ka ende korrupsion, por ka ndryshime të jashtëzakonshme gjatë qeverisjes demokratike. Duke i faktuar këto ndryshime me shifra, z. Berisha tha se ne nxorëm administratën jashtë konfliktit të interesit. Sipas tij, asnjë ministër, asnjë zyrtar, nuk ka konflikt interesi, i cili është leva e Arkimedit të korrupsionit. “Ne nxorëm administratën jashtë konfliktit të interesit”, tha Kryeministri, duke nënvizuar se “ne shkurtuam 33 % administratën shtetërore, 24 për qind portofolet, vendosëm kritere me të cilat edhe kryeministri edhe ministrat, zyrtarët, nuk mund të përdorin paratë tuaja për qëllime personale. Shpenzimet operative të administratës që unë kryesoj janë shkurtuar me 31 për qind dhe janë kursyer në këtë mënyrë 110 milion euro”. Kryeministri u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkohen në këtë betejë të qeverisë për të luftuar korrupsionin. “Ne do ta fitojmë këtë betejë”, tha Kryeministri, duke kërkuar nga qytetarët që në asnjë rast të mos japin ryshfet. “Duhet t’u tregojmë të tjerëve se nuk jemi njerëz të ryshfetit, por jemi njerëz të moralit të pastër”, tha Kryeministri, duke kërkuar që të gjithë të denoncojnë rastet e korrupsionit pasi sipas tij, “ne kemi një ligj që mbron ata që denoncojnë”.
Investimet në qarkun e Vlorës, më të mëdha se investimet e bëra në të gjithë Shqipërinë, në vitin 2002/Gjatë vizitës në Vlorë, kreu i qeverisë Berisha mori pjesë në inaugurimin e nënstacionit elektrik të qytetit, investim i Bankës Evropiane të Investimeve, me një vlerë 3 milionë euro. Kryeministri u shpreh se ky nënstacion i garanton Vlorës furnizimin me parametra më të mirë të energjisë elektrike. Ai theksoi se inaugurimi i dy nënstacioneve në qytetin e Vlorës dëshmojnë më së miri përparësinë që qeveria i jep çështjes së energjisë. “Ky nënstacion i garanton Vlorës furnizimin me parametra më të mirë të energjisë elektrike, me një vlerë prej 3 milionë euro. Nënstacioni i Babicës kishte nje vlerë prej 25 milion eurosh. Ne inauguruam dy nënstacione në këtë qytet, me një vlerë prej 30 milion eurosh. Inspektuam një termocentral me rreth 90 milion euro investim. Ne po bëjmë shumë përpjekje për të arritur në parametrat më të mirë të furnizimit me energji elektrike të qytetarëve shqiptare. Tani do të shkojnë të inaugurojmë ujësjellësin e Vlorës, një investim prej 26 milion eurosh”. Kryeministri Berisha vuri në dukje se investimet në qarkun e Vlorës janë më të mëdha se sa investimet në të gjithë Shqipërinë, të marra së bashku në vitin 2002, të qeverive të mëparshme. Kryeministri vlerësoi ndër të tjera investimet private, për të cilat qeveria do të bëjë çdo përpjekje t'i mbështesë dhe inkurajojë. “Fatmirësisht këtu ka dhe investime të mëdha private. Siç e dini inauguruam dhe fabrikën e lëngjeve të frutave, investim prej 14 milion euro, si dhe investimi që bën Petrolifera prej 40 milion euro, parku industrial, që e kanë projektuar vetë biznesmenët dhe industrialistët e Vlorës, i cili shumë shpejt do të bëhet një epiqendër e fuqishme e inkurajimit të biznesit. Qeveria do të bëjë cdo gjë për një klimë miqësore ndaj biznesit”. Duke siguruar se do të jetë sërish mes banorëve të Vlorës për inaugurime të reja, Kryeministri u shpreh se ky do të jetë turi i inaugurimeve dhe i premtimeve të mbajtura. “Unë do të vij sërish, sepse ky është turi im i inaugurimeve. Ky tur që ndalon ditën para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009, është turi i premtimeve dhe inaugurimeve të mbajtura. Unë këtë gjë kam marrë përsipër, të mbaj një për një premtimet e mia”, tha Kryeministri.
Berisha: Investimet do ta bëjnë Vlorën një qytet model për turistët nga mbarë bota/Kryeministri Berisha mori pjesë, dje në inaugurimin e ujësjellësit të ri të qytetit të Vlorës, me vlerë 26 milion euro, investim i qeverisë holandeze. Me këtë rast, Kryeministri Berisha falënderoi qeverinë holandeze për ndihmën bujare, duke e cilësuar këtë vepër, si dëshmi të vullnetit të kësaj qeverie për të ndihmuar qeverinë shqiptare. “Këtu nis punën një ujësjellës i ri për qytetin e Vlorës me vlerë prej 26 milion euro. Me këtë rast dua të falënderoj me shumë mirënjohje qeverinë e Mbretërisë së Holandës, për ndihmën bujare që ka dhënë. Është një dëshmi e vullnetit të qeverisë holandeze për të ndihmuar qeverinë shqiptare. Kjo është një dëshmi pa një mëdyshje e vlerësimit se qeveria mike holandeze, por edhe qeveri të tjera, kanë tek qeveria që unë drejtoj, në përdorimin eficent dhe të suksesshëm të parave të taksapaguesve të tyre”. Kryeministri garantoi përfaqësuesit e pushtetit vendor të Vlorës se investimet për këtë qytet do të jenë prioritet i rëndësishëm për qeverinë “Vetëm në një hark kohor prej 2 orësh inauguruam investimet publike në këtë qytet në ujësjellësa dhe energji me rreth 150 milion euro. Kjo përbën një zhvillim shumë pozitiv për komunitetin e qytetarëve të Vlorës. Unë dua të garantoj se qeveria do të mbështesë Bashkinë tuaj në të gjitha projekte e mëdha me të cilat ju do të arrini ta bëni Vlorën gjithnjë e më të bukur, më të përshtatshme për qytetarët e vet dhe për turistët nga e mbarë bota”.
Investimet do ta kthejnë Orikumin në një qendër të rëndësishme turistike/Gjatë vizitës në Vlorë, Kryeministri Berisha përuroi përfundimin e punimeve për rregullimin e shëtitores në Orikum, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 24 milion lekë. Kryeministri u shpreh se me këtë investim të rëndësishëm, Orikumi bëhet me një shëtitore metropolitane, të denjë për çdo kryeqytet. “Faza tjetër është rregullimi i trotuareve, por ju mund të shikoni gjerësinë e kësaj rruge dhe cilësinë e punimeve. Ato janë të denja për këtë qytet të lashtë, sa vetë kohërat, të famshëm në histori, që mesa duket do të bëhet edhe më i famshëm në të ardhmen”. Duke e cilësuar Orikumin një qytet bizhu për pamjet e mrekullueshme që ofron, Kryeministri garantoi se qeveria do të mbështesë dhe investojë çdo projekt për modernizimin e infrastrukturës së tij në të ardhmen. “Ne e shohim ketë qytet me përparësi dhe ai do të shndërrohet në një pol të rëndësishëm turistik. Këtu janë bërë investime serioze dhe të mëdha, të cilat arrijnë në dhjetëra e dhjetëra milion euro”. Kryeministri siguroi të gjithë emigrantët, të cilët rikthehen në atdhe për të investuar, si dhe të gjithë investitorët e huaj se qeveria do të punojë me përkushtim për të lehtësuar veprimtarine e tyre. “Shqipëria, - u shpreh Kryeministri - po bëhet vendi i shpresës dhe besimit. Unë garantoj se ne do të punojmë me përkushtim për të lehtësuar çdo investim të emigrantëve shqiptare dhe të investitorëve të huaj në Shqipëri. Të kemi parasysh se Shqipëria po vendos regjimin fiskal më të favorshëm në Evropë. Shqipëria po bëhet një parajsë fiskale, në kuptimin e lehtësirave të mëdha fiskale që ofron”.
Prodhimi i energjisë, Berisha: Investimet do të vazhdojnë, për të kompensuar disbalancën/“Investimet për prodhimin e energjisë janë përparësi e qeverisë dhe në këtë kuadër po inaugurohen shumë burime të tjera të prodhimit te saj”. Kështu ka deklaruar dje kryeministri Berisha gjatë ceremonisë së inaugurimit të nënstacionit të linjës 220 kilovolt në Babicë. Ndërtimi i këtij nënstacioni është investim korean, me vlerë rreth 25 milionë euro, dhe është një nga investimet më të mëdha në rrjet në këto njëzet vitet e fundit. Gjatë ceremonisë, Kryeministri Berisha u shpreh se ky nënstacion është një investimet më të rëndësishme dhe më kryesore për përmirësimin e furnizimit me energji elektrike të të gjithë zonës e jugut. “Ky nënstacion elektrik është një nga investimet më të rëndësishme dhe më kryesore për të gjithë zonën e jugut, me vlerë rreth 25 milionë euro dhe fuqi 220 kilovolt. Ky investim është përcaktuar për furnizimin me parametrat e duhur të qytetarëve me energji elektrike. Dihet që Shqipëria ka një disbalancë në prodhimin e energjisë elektrike dhe kjo i bën të domosdoshme investime të tilla të mëdha, në mënyrë që të ruhen parametrat në shpërndarjen e energjisë në të gjithë territorin e vendit”, u shpreh Kryeministri. Duke e cilësuar këtë nënstacion si një investim kyç, Kryeministri u shpreh se falë këtij nënstacioni nis një tjetër investim i madh nga Vlora, në Sarandë, Delvinë, Gjirokastër dhe në të gjithë zonën e jugut. “Falë këtij nënstacioni, që është një investim kyç, nis një tjetër investim i madh nga Vlora, në Sarandë, Delvinë, Gjirokastër dhe në të gjithë zonën e jugut. Ky investim prej 50 milionë euro adresohet në rindërtimin dhe krijimin e unazës së lidhjeve elektrike të jugut, dhe me finalizimin e saj mund të them se kompensohet shumë mirë disbalanca që ekziston në prodhimin e energjisë elektrike”, vijoi Kryeministri. Ai vuri në dukje se është inauguruar edhe rikonstruktimi i dy hidrocentraleve të Bistricës, i cili po ecën me shpejtësi edhe TEC-i prej 90 megavat, ndërkohë po ecën dhe hidrocentrali i Kalivaçit. “Pra, po shtohen burimet elektrike, por pavarësisht nga të gjitha këto, investimet janë të domosdoshme dhe kjo është një përparësi e qeverisë tonë”, u shpreh Kryeministri. Kryeministri Berisha përgëzoi punën e bërë nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) për punën cilësore dhe realizimin në kohë të këtij ndërtimi madhor.
Vlora nuk do jetë park energjik, TEC-i, objekt i vetëm/Kreu i qeverisë deklaroi dje se Vlora nuk do të kthehet në një park energjetik. Kryeministri theksoi se në Vlorë parashikohen projekte gjigante, në porte dhe se Vlora nuk do të jetë një park energjetik. “Unë jam konseguent në atë që premtoj. Vlora është shumë e kërkuar për çështjen e energjisë sepse ka thellësinë e ujërave dhe është më e përshtatshme se portet e tjera. Ashtu siç edhe ju e keni parë, edhe dëshira e kompanisë ENEL ka qenë që investimin ta bëjë në Vlorë, por kjo nuk mund të realizohej sepse unë mbaj premtimin e dhënë, kështu që ata erdhën në Porto-Romano”, tha Berisha. Kryeministri tha se ishte vertet nje vendim i kushtueshem, porse ai si kryeministër e mbajti premtimin para vlonjatëve. “Është shumë e kushtueshme për ta, por unë do ta mbaj premtimin. “U kam thënë që nuk mund të bëhet në Vlorë. Pra Vlora nuk do të jetë park energjik, do të jetë zonë turistike, por sigurisht parku industrial është i domosdoshëm. Po kështu do të ndërtohet një port gjigant jashtë qytetit, por kjo po studiohet. Porti e ngjit Vlorën në nivele shumë të larta, por nuk mund të kemi park energjetik”, tha Berisha. Duke e vlerësuar këtë projekt shumë të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të qytetit, Kryeministri theksoi se “Vlora me zonën e saj industriale është një nga vendet më tërheqëse për investimet, në të gjithë bregun Adriatik dhe Jonian”. Dy ditë më parë Këshilli i Ministrave miratoi një projekt të cilin një grup biznesmenësh vlonjate në konsultim me autoritetet vendore kishin hartuar për krijimin e parkut industrial në Vlorë. “Ai është një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe që do të nisë punën me shpejtësi. Ky projekt i jep Vlorës një zhvillim të fuqishëm ekonomik. Vlora me zonën e saj industriale është një nga vendet më tërheqëse për investimet, në të gjithë bregun Adriatik dhe Jonian, sepse është e lidhur ngushtësisht me portin me portin, përveç një seri faktorësh të tjerë”, u shpreh ndër të tjera Berisha. Gjatë inspektimit të punimeve të TEC-it, kryeministri theksoi se i gjithë emetimi i tij është i barabartë me dëmin që shkaktojnë në mjedis 800 makina Mercedez, pasi është i standardeve më të larta. Duke u ndalur në projektet e rëndësishme zhvilluese për Vlorën, Kryeministri tha se ky qytet do të ketë edhe një ndër portet më të mëdhenj të Mesdheut. Kryeministri theksoi se do të përmbushë të gjitha zotimet e dhëna, duke shtuar se në maj të vitit 2009 do të përfundojnë punimet për TEC-in. “Unë nuk jam në fushatë elektorale, por shqiptarët që më besojnë duhet ta kenë të qartë se premtimet e mia të tjerët mund t’i lënë rrugës, por unë do t’u dal zot një për një”, nënvizoi më tej Kryeministri Berisha. “Ky TEC, do të sjellë përfitime të mëdha jo vetëm për Vlorën, por për të gjithë bregun, sepse kjo zonë merr një burim konstant të fuqishëm energjetik”, theksoi më tej Berisha. Përsa i përket ndërtimit të TEC-eve të tjera më të mëdha në vendin tonë, Berisha tha se ka një projekt real për ndërtimin e një TEC-i të madh prej 800 megavatësh, rreth 8 herë më i madh se TEC-i i Vlorës, dhe për ndërtimin e termocentraleve të tjera. Porto-Romano, tha Kryeministri, do të jetë porti kryesor energjetik i Shqipërisë. “Ne do të shkojmë edhe drejt TEC-eve më të mëdha, por nuk do ta ndërtojmë në breg”, vijoi më tej kryeministri, duke shtuar se Porto-Romano nuk është i përshtatshëm për ndërtimin e centralit nuklear, por do të përzgjidhet me kujdes vendi pasi duhen plotësuar disa kushte për t’u plotësuar. Kryeministri theksoi se në Porto Romano nuk do të ketë central bërthamor, por do të ketë TEC-e me gaz, naftë dhe me qymyr.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›