E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turizmi, edhe Financial Times zgjedh Shqipërinë

11-01-2011 / Gazeta 55

Parashikimet për atë që do të ndodhë në vitin 2011 janë të shumta, por ajo që është e sigurt për prestigjiozen Financial Times është se këtë vit perspektiva më intriguese për turizmin është Shqipëria. Në artikullin e saj për destinacionet më të preferuara turistike të këtij viti që shumë presin të jetë i begatë, Financial Times thotë se ndonëse europianët kanë zgjedhur të kursejnë, ajo që ofrohet në Shqipëri, është një përzierje e këndshme e argëtimit, qetësisë, burimeve të mrekullueshme natyrore për të cilën ia vlen barra qeranë ta vizitosh. Stina e verës mund të jetë disa muaj larg, por Financial Times këshillon planifikimin që tani të pushimeve duke ofruar Shqipërinë në radhët e disa vendeve shumë ekzotike si destinacion intrigues për të gjithë. Pushimet në këtë vend thotë gazeta janë të përballueshme. Është një vend i qetë, me një panoramë mbresëlënëse të bregdetit. Turistët aventurierë, edhe ata kanë ç’të gjejnë në Shqipëri. Bjeshkët e Namuna në veri të vendit ofrojnë atë që çdo aventurier që ka shëtitur botën duhet të shohë patjetër; Pyjet e mrekullueshme, kafshët e rralla dhe fshatrat e pasur në folklor. Ky është rekomandimi i radhës që vjen për turistët, pas këshillave të shumta që kanë ardhur nga mediat më prestigjioze botërore si për shembull CNN të cilat pa kursyer aspak kanë portretizuar Shqipërinë ashtu siç është, “Një vend i bukur që nuk duhet lënë pa prekur nga afër”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›