Turizmi malor, ofertat në Razmë, Vermosh e Theth

Pikat më veriore të vendit edhe këtë vit kanë nisur të frekuentohen. Freskia, qetësia, por më tepër bukuritë që ato ofrojnë për të gjithë vizitorët janë tërheqëse për një numër të lartë njerëzish. Ujëvarat, shpellat, lumenjtë janë vetëm disa nga ato çka natyra u ka falur këtyre vendeve
Anila DushiTurizmi malor nga viti në vit po tërheq gjithnjë e më shumë frekuentues. Pushues nga krahina të ndryshme të vendit, turistë të huaj të apasionuar pas klimës dhe madhështisë së maleve, eksplorues të natyrës etj janë të pranishëm në zonat turistike malore të Shkodrës. Razma, Thethi dhe Vermoshi janë dhe ato që presin më së shumti pushues në këtë sezon veror, qofshin këta ditorë, disa ditorë apo dhe javorë.
Qarku i Shkodrës ka një pasuri të madhe turistike të klimës malore, ku përfshihen edhe Boga, Këlmendi, Tërbuni etj, ndërsa Razma, Thethi e Vermoshi janë më të frekuentuarat pasi ato prej vitesh kanë qenë zona turistike të njohura në vend, ndërsa tani, në përshtatje me ekonominë e tregut, turizmin e shohin si biznes dhe në këto zona gjen hotele apo banesa të përshtatura për turizëm ose, siç njihen me gjuhën e popullit, hane.
Razma
Ndodhet 41 km nga Shkodra dhe 900 metra mbi nivelin e detit, rrëzë malit të Velçikut. Për të shkuar atje, udhëtimi nga Shkodra bëhet me furgonë deri në Koplik dhe atje po me furgonë deri në Razëm dhe kushton 300 lekë të reja për person. Udhëtimi zgjat një orë. Rruga e rikonstruktuar, edhe pse e ngushtë, bën të mundur që në Razmë të shkohet lehtësisht edhe me makina të vogla.
Në Razmë ka hotele, si dhe shtëpi private që nuk janë në shërbim të pushuesve, por u përkasin familjeve nga Shkodra që shkojnë e pushojnë atje. Ndërtimi i shtëpive në Razëm nga shkodranët ka nisur që në vitet '20 të shekullit të kaluar.
Ajo është një nga vendet më të bukura dhe me klimën më të shëndetshme të Alpeve. Në mes të pishave, lëndinave, kullotave alpine e peisazheve malore ka mjaft banesa të tipit alpin. Vizitorët e shumtë argëtohen me ekskursione alpinistike, ndeshje sportive, gjueti etj.
Razma, ndryshe nga zonat e tjera turistike alpine, frekuentohet dendur në të gjitha stinët e vitit. Ajo është një pikë turistike me vlera kurative për sëmundje të ndryshme.
Akomodimi
Një hotel në qendër të Razmës, i përfunduar së ndërtuari dhe vënë në funksion në vjeshtën e vitit të valuar, afron për pushuesit të gjitha kushtet bashkëkohore dhe ka 26 dhoma nga të cilat 3 janë suita për fëmijë, 4 dhoma janë me nga 3 vende dhe 19 të tjera janë dhoma dyshe me krevat martesor.
Çmimet për dhomë teke janë 50 euro për person në 24 orë, për dhomë dyshe janë 70 euro, suitat e fëmijëve 90 euro. Për krevat shtesë në dhomat dyshe për fëmijë mbi 12 vjç, çmimi është 15-20 euro, fjetja për fëmijë 0-6 vjç bashkë me prindër nuk ka tarifë, ndërsa për 6-10 vjç është 5 euro.
Dhomat dyshe me shtretër të ndarë për dy fëmijë deri në 14 vjç, është 35 euro. Në çmim përfshihet mëngjesi, ndërsa ky hotel ofron parkim të hapur me shërbim sigurie, bar, restorant, pishinë të mbyllur, sauna, fitnes, kënd lojërash për fëmijë, minibibliotekë, telefon, fotokopje, skaner, ajër të kondicionuar, dushe, vaskë, shezlongje në verandë, telefon, tv e video dhe shëtitje të organizuara në pjesët e tjera të Razmës.
Hoteli ofron dhe paketa turistike.
Përvç këtij hoteli, në Razëm ka dhe dy hotele të tjera me nga 10 e 12 dhoma që ofrojnë pushime dyjavore me vlerë 15 000- 20 000 lekë të reja, si dhe ditore 2000-2500 lekë për person, vetëm fjetje. Këto hotele kanë dhe restorante.
Në Razëm ka dhe disa restorante të tjera të vogla, por pushuesit familjarë që frekuentojnë rreth 50 shtëpitë alpine tip vile, më së shumti preferojnë të gatuajnë vetë. Në Razëm ka dyqane, ndërsa tregtarë ambulantë shesin çdo ditë, kryesisht mish të freskët që pritet aty. Rruga 41 km e gjatë është rehabilituar plotësisht.
Pasuritë dhe mundësitë turistike
Zona turistike e Razmës shtrihet në një pllajë karstike, që paraqet kontraste befasuese në reliev, duke ofruar kushte mjaft tërheqëse për zhvillimin e turizmit malor. Ky reliev përfaqësohet nga tre fusha: ajo e Razmës, Troshanit dhe Fusha e Zezë.
Pyjet e ahut dhe të pishës gërshetohen me ajrin e pastër dhe të freskët sidomos gjatë verës, por edhe gjatë dimrit ka në vetvete vlera turistike të vçanta. Ka një faunë të pasur me kafshë e shpendë. Gatimet janë tradicionale dhe kryesor mbetet ferliku, i cili piqet në ambiente të jashtme.
THETHI
Ndodhet rreth 70 km larg Shkodrës, në zemrën e Alpeve shqiptare. Për vlerat e tij klimaterike dhe atë të biodiversitetit, Thethi është shpallur Park Kombëtar, i cili është gjithashtu edhe pjesë e projektit të përbashkët të "Parkut të Paqes", që përfshin një rajon ndërkufitar të "Bjeshkëve të Namuna" midis tre shteteve: Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi.
Sipërfaqja e parkut kombëtar përfshin një areal prej 2 630 hektarësh dhe shtrihet në një lartësi prej 600 - 2 570 metra mbi nivelin e detit. Këtu ka një mbulesë të dendur pemësh ku 90% përfaqësohet nga pyjet e dendura të ahut, por dhe panjë, frashër, shkozë etj.
Fauna e parkut përbëhet nga 50 lloje shpendësh, 10 lloje reptilësh dhe 8 lloje amfibësh. Këtu gjenden edhe lloje të ndryshme qukapikësh, shqiponja e artë, salamandra alpine, si dhe një shumëllojshmëri fluturash shumëngjyrëshe. Në ujërat e lumit Shalë që gjarpëron në mes të Thethit, gjendet edhe trofta e mermertë.
Thethi ka pamjen e një pellgu 800 metra mbi nivelin e detit. Ai është i vendosur midis një kurore majash të thepisura, si: Radohima, Maja e Arapit, Maja e Alisë, që spikatin për bukuritë e rralla në të gjithë Alpet. Përmes fshatit rrjedh lumi i Shalës, me ujin e tij të bollshëm, të rrëmbyeshëm, të pastër si kristali e të ftohtë si akulli. Nga malet zbresin zhurmshëm e me furi katarakte e ujëvara.
Thethi shquhet për kontrastet e relievit, ujëvarave, bimësisë së dendur, livadheve e sidomos i ngjyrave. Mjaft tërheqëse janë burimet e ujërave të Okolit.
Rruga për në Theth bëhet kryesisht nga segmenti Shkodër- Koplik- Bogë-Theth dhe me furgon kushton 1000 lekë.
Deri në Bogë ajo është e asfaltuar, më pas paraqitet mjaft problemtike, sidomos në pjesën e Qafës së Thores. Këtej shkohet vetëm me makina të larta , furostradë, furgonë etj. Kjo rrugë bllokohet çdo vit nga bora dhe hapja e saj bëhet e mundur vetëm në muajt prill e maj. Udhëtimi për në Theth zgjat 5-6 orë.
Kulla e ngujimit
Këtu gjendet edhe "kulla e ngujimit", element ky epik i jetesës shqiptare ku gjatë periudhës së gjakmarrjes strehohej gjakësi. Kjo kullë është sot monument kulture
Çmimet
Në Theth janë 10 banesa të përfshtatura për turizëm, me dhoma me kushte normale, ku 6 janë tip hanesh, ndërsa katër janë banesa të zakonshme, tipike për zonën që janë përshtatur për turizëm. Ato janë të shpërndara në lagje të ndryshme të Thethit, si: Stakaj, Okol, Ulaj, Ndreaj etj.
Këto dhoma ofrojnë fjetje, ushqim, shoqërim për shëtitje në pjesë të tjera të zonës dhe çmimet e tyre janë 10-24 euro për person në një natë, në varësi dhe të kërkesave të pushuesve. Banesat janë rikunstruktuar dhe përshtatur për turizëm, duke u pajisur me orendi e kushte bashkëkohore.
Pronarët e tyre janë banorë të zonës që gjatë pjesës tjetër të vitit jetojnë në Shkodër, por në pranverë sapo hapet rruga e deri në tetor shkojnë në Theth ku ushtrojnë dhe biznesin e tyre. Thethi tërheq shumë pushues të huaj, që shkojnë nga 5000- 7000 persona në sezon.
Kuzhina
Kuzhina tradicionale e Thethit përbëhet nga "fërliku" (mish i pjekur), gatimi i troftës së përroit të Thethit, si dhe nënproduktet e qumështit (djathrat e ndryshëm, gjiza, kosi i freskët, etj).
Vende për t'u vizituar
Në Theth mund të organizohen aktivitete të shumta në natyrë, si: ngjitjet malore, speleologjia (turizmi i shpellave), kajakët në përroin e Thethit, peshkimi sportiv malor, sportet dimërore në shpatet natyrore me dëborë, biçikleta malore, etj.
Një nga pikat piktoreske në këtë mrekulli natyrore është Vorri i Riecit, një pikë nga e cila vihesh përballë Okolit, Qafës së Pejës dhe ku majtas ngrihet madhështore kalaja natyrore dhe Shtegu i Dhenve apo dhe Bregu i Bubës, sipër lagjes Gjelaj.
Këto resurse i dallon çdo vizitor sa lë Grykën e Ndërlysës dhe ballafaqohet me mrekullinë e kanionit të Grunasit që është rreth 2 km i gjatë, 40 deri 60 m i thellë dhe vetëm 2- 3 metra i gjërë.
Përvec kanionit, në Theth gjenden një numër i konsiderueshëm shpellash, si Shpella e Harapit dhe Bira e Rrathëve, të cilat me përmasat e tyre dhe dukuritë interesante që mbartin brenda tyre si liqenet nëntokësore, galeri, sifone etj janë të vçanta.
Një bukuri natyrore të bjeshkëve të veriut shpalos në këtë zonë Ujëvara e Thethit me 25 m lartësi, ku së bashku me cirqet përreth dhe Mullirin e Blojës formojnë një nga vendet më interesante për t'u vizituar.
Por jo më pak tërheqës është edhe vendburimi i lumit të Shalës në Okol, burimet e të cilit nxjerrin 2,5 - 3 m kub ujë, që vë në punë një hidrocentral të vogël dhe 12 mullinj që shërbejnë për ujë të pijshëm, cilësia dhe pastërtia e të cilit është për t'u admiruar.
Thethi është park kombëtar që nga viti 1966. Lumi i Shalës që buron në Okol shquhet për peshkun karakteristik: troftën pikaloshe e kryemadhe, pa harruar edhe liqenin e akullt të Terthores ku gjendet peshku triton alpin dhe shumë lloje të tjera.
VERMOSHI
Përbën skajin më verior të Republikës së Shqipërisë. Ai gjendet në një distancë prej 95 kilometrash nga qyteti i Shkodrës dhe është pjesë e komunës së Këlmendit ku ndodhen dhe fshatra të tjerë me potenciale turistike, si: Tamara, Selca, Qapa e Perdolecit, Lëpusha dhe vçanërisht Vermoshi.
Deri në Tamarë rruga është normale, ndonëse me kthesa të shumta që kalon përmes Qafës së Rrapshit, Leqeve të Hotit, ura e Tamarës, ndërsa nga aty e deri në Vermosh rruga paraqet probleme. Udhëtimi kushton 500 lekë të reja dhe mund të bëhet edhe me makina private të larta.
Nga Shkodra deri në Vermosh udhëtimi zgjat 5 orë. Fshati i Vermoshit është i ngritur mbi një fushë malore të krijuar ndryshe lumi i Limit. Ai është një luginë me origjinë akullnajore, e vendosur në lartësinë 1 100 metra mbi nivelin e detit.
Në të dyja anët e luginës ngrihen shpate malesh me pjerrësi të konsiderueshme dhe të veshura me pyje dhe kullota. Bimësia drunore përbëhet kryesisht nga ahu dhe halorët. Vermoshi shquhet për panoramën e tij, si dhe për reshjet e dëborës që zgjasin afro 100 ditë në vit.
Akomodimi
Në Vermosh ka një hotel me 8 dhoma me çmime 20-30 euro për person, ndërsa rrugës deri atje ka dhe dy të tjerë, në Tamarë dhe Qafë të Perdolecit që kanë çmime më të lira. Në Vermosh ka 15 hane, nga të cilët 5 janë në lagjen Qendër, 5 në lagjen Maliaj, 2 në lagjen Bashkim, 2 në lagjen Velan dhe 1 në lagjen Velipojë. Këto kanë kapacitete nga 2 - 6 dhoma me nga 4 - 24 krevatë, në total hanet afrojnë 120 krevatë në 39 dhoma, ku çmimet janë 25 - 30 euro nata për person dhe përfshijnë ushqimin në tre vakte: mëngjes, drekë e darkë.
Aktivitetet
Një ndër aktivitetet, të cilat zhvillohen për çdo vit në Vermosh është "Logu i Bjeshkëve", që zhvillohet në gusht, në të cilin zgjidhet "Miss Bjeshka".
Vajzat konkurruese ekspozojnë kostume kombëtare tradicionale të zonës së Këlmendit dhe Malësisë së Madhe. Aktivitetet kryesore të cilat mund të zhvillohen në Vermosh, janë ngjitjet malore në malësinë e Marlulës, shëtitjet në luginat e thella alpine (të Lëpushës dhe Cemit), skitë në shpatet natyrore me dëborë, peshkimi sportiv i troftës etj. Një aktivitet tjetër janë turet e biçikletave malore. Për këtë zonë ka harta përkatëse me detaje për itineraret.
Kuzhina
Zona e Vermoshit është e përmendur për cilësinë e lartë të bulmetrave. Shquhen më së shumti kullotat në stanet e Seferçës, i cili është edhe skaji më ekstrem verior i Republikës së Shqipërisë.
Ushqimi që shërbehet është ai tradicional i zonës, ku spikatin djathë lope, djathë dele, gjalpë, vezë, djathë i zier, djathë i shkrirë, mish derri, mish qengji, patate, kaçamak, fërlik, mish lepuri të egër, patate, kaçamak, turshi, fasule dhe për ëmbëlsirë përdoren kryesisht revania dhe petullat me mjaltë. Të gjitha ushqimet janë bio.
Vermoshi është i njohur edhe për pemët frutore ku në oborret e shtëpive - han rriten dru frutorë si qershia, kumbulla e zezë, molla dhe dardha. Pushuesve u afrohen shoqërim në mal dhe shëtitje në bjeshkë në Bjeshkë, gjueti dhe peshkim.