E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ana përballë fanatizmit ekstrem

Prezantimi në shqipe i gazetares Anna Politkovskaya bëhet me një vepër monumentale të sajën, sa e shkruar aq edhe reale: qëndrimi kritik ndaj shtetit të saj, Rusisë në shkeljen e të drejtave të njeriut dhe popullit çeçen.


Një individ që frymëzon kurajë për kohën tonë dhe për vende që sado jo në konflikt të armatosur, janë sëmurë nga mentalitete izoluese që pjell fanatizmi


Në dhjetëvjeçarin e fundit vetëm në Rusi kanë humbur jetën mbi 200 reporterë. Ndër ta, të përfshirë në raportet për çështjen çeçene si një çështje më vete. Gazetarja ruse Anna Politkovskaya nuk pati vdekje nga rreziku i paracaktuar i reporterit në front.


Ajo e gjeti nga të vetët, një fund tragjik po aq i paracaktuar, më 7 tetor 2006, në ditën e lindjes së presidentit rus Vladimir Putin.


Prezantimi në shqipe i Politkovskaya-s bëhet për herë të parë me një vepër monumentale të sajën, sa e shkruar aq edhe reale, "Çeçenia: turpi i Rusisë", ku ajo dëshmon qëndrimin kritik ndaj shtetit të saj, në shkeljen e të drejtave të njeriut dhe popullit çeçen.


Botimet "Besa" e sjellin të përkthyer nga frëngjishtja nga Elda Buda, këtë vepër, një libër për luftën, për shoqërinë tonë që u botua pak vite para vrasjes së Politkovskaya-s.


Filozofi frëng André Glucksmann, autor i parathënies shënon se me ndihmën e këtij libri njerëzit kanë për të kuptuar pak nga misteri i luftës në Çeçeni, si qëllim dhe objekt i Rusisë për të disiplinuar perandorinë.


Glucksmann shkruan se në emër të mobilizimit antiçeçen i jepet fund "karnavalit jelcinian", shpallet "vertikalja e pushtetit", liritë publike kufizohen, masmediat vihen nën kontroll dhe opinioni publik ftohet për vetëçensurë, ndërsa policia rimerr prestigj dhe pushtet.
Këto janë shenjat dalluese të regjimit të Putinit, portretin e të cilit Politkovskaya e ndërton me inteligjencë.


Ajo e ngre atë portret në relievin e ngjarjeve që ka parë me sy në Çeçeni. Burimet e saj janë të drejtpërdrejta, përshkrimet synojnë saktësinë dhe vërtetësinë. Intensiteti është i jashtëzakonshëm. Libri është shokues.


Spitali në Grozni - në antikitet, Grozni kishte qenë qyteti më i bukur i Kaukazit të Veriut - është një nga frontet e luftës njerëzore të Anna Politkovskaya-s.


"Është mesditë. Në ndihmën e shpejtë Malika Elmurzaieva, dyzetekatër vjeç, dergjet e shtrirë mbi mushama. Mjeku po përpiqet të kuptojë nëse duhet operuar: këtë duhet ta bëjë me sy, pasi i vetmi aparat radiografie funksionon keq dhe nuk disponon mjete të tjera si ato që përdorin në botën e civilizuar për të kryer analizat.


Doktori ngre pak kokën e Malikës, por gruaja bërtet dhe humbet ndjenjat. Disa tufa nga flokët e saj të dendur i shkëputen nga koka, edhe pse vazhdojnë t'i qëndrojnë të ngjitura pas copave të lëkurës së gjakosur. "Mos dikush është përpjekur t'i heqë skalpin?"


"Këtu është diçka normale", thotë ngadalë doktori, i përkulur mbi trupin e gruas."
Është një nga historitë e "turpit të Rusisë".


Portreti i Putinit është portreti i ushtrisë ruse, aktet ekstreme të së cilës në Çeçeni janë kthyer në një realitet normal. Në shtator 1999 Valdimir Putini nisi Luftën e Dytë çeçene, lufta e re kundër një populli të territorit rus.


Kronikat e Politkovskaya-s nga drama në veri të Kaukazit kanë për qëllim të provojnë se lufta, nën sloganin "çdo gjë lejohet", provokon degjenerim. Përshkrimet e ushtarëve të rinj rus, 18-19-vjeçarë të pashkolluar, të kapur nga "sindromi çeçen" tregojnë se si njerëzit kanë fshirë pikat e referimit në qytetërimin modern.


Duke dashur të gjejë origjinën e kaosit të çështjes, Politkovskaya i referohet historisë, së paku 100 vjetëshit të fundit, megjithëse populli çeçen lufton kundër fuqisë ruse prej më se tre shekujsh: Car Nikolla e vazhdoi shfarosjen e rebelëve për dyzet vjet; më 1944 Stalini i internoi të gjithë çeçenet në Siberi brenda tri ditësh; pas Luftës së Dytë Botërore, Grozni, kryeqyteti çeçen, ishte një nga qytetet më të bombarduar në botë.


Gjithë meshkujt çeçenë u deportuan dhe pjesa më e madhe e tyre mundi të kthehej në shtëpi vetëm pas vdekjes së Stalinit. "Atëherë mbretëronte një patriotizëm entuziast dhe një antisemitizëm shtetëror jo shumë i ndryshëm nga retorika antiçeçene sot (atëkohë thuhej se "faji ishte i hebrenjve", sot dashi i kurbanit janë çeçenet)", shkruan Politkovskaya.


Nuk i kursen të vetët. I quan rusët jo tolerantë, të dëshiruar për t'u ndjerë të mëdhenj nën nostalgjinë e Bashkim Sovjetik dhe të Perandorisë. "Te ne nuk mendohet gjë tjetër veç kënaqësisë së çastit. Ja pse krerët tanë nuk kanë një vizion jetëgjatë të gjërave dhe nuk shkëlqejnë për inteligjencën e tyre.


Putini nuk është përjashtim. Përralla e inteligjencës së tij djallëzore është e paracaktuar vetëm për fushata publicitare me destinacion Perëndimin. Unë mendoj se Europa dhe Shtetet e Bashkuara i bëjnë elozhe jo edhe aq për inteligjencën e tij dhe kokëfortësinë, sesa për aftësinë e tij për "të detyruar Rusinë" të respektojë kufijtë e lejuar, pa u shqetësuar shumë për mjetet, që pushteti rus përdor."


Gazetarja e "Novaya Gazeta" ndihet si një kafshë e ndjekur nga gjahtarët. Tek ky libër do gjejmë edhe psenë e kësaj: ç'e shtyn një individ ta mbajë trupin drejt me forcën e arsyes në rrjedhë të kësaj çmendurie? Ku e gjen forcën t'i besojë punës së ndershme dhe detyrës qytetare?


Në të vetmin letërkëmbim publik që Anna Politkovskaya pati me një grup ushtarakësh, pjesëmarrës në operacionin antiterrorizëm në Republikën Çeçene, gjen përgjigje për vetëdijen e gazetarit profesionist dhe humanist.


Á la guerre comme à la guerre, zonjë, i shkruajnë ushtarakët me një gjuhë cinike, akuzuese për gjoja shpifje të Politkovskaya-s, pasi ajo ka shkruar për gropat e thella ku ushtria ruse në Çeçeni mban të burgosurit. Gjuha e tyre është po aq denigruese, nisur nga pozita e saj si grua.


Reportazheve të saj ua vënë emrin "një hakmarrje femërore: ju hakmerreni për burrat, që kanë penguar suksesin tuaj mediatik, atë që do të kishit marrë duke botuar një scoop..." I thonë se gazetaria e saj vuan nga mungesa e profesionalizmit, ndërsa ajo vetë, nga mungesa e edukimit qytetar.


Përgjigja e saj? "Detyra e gazetarëve është ashtu siç është detyra e një mjeku: të kurojë një të sëmurë dhe detyra e një ushtaraku të mbrojë atdheun.


Është shumë e thjeshtë: deontologjia gazetareske na ndalon të zbukurojmë realitetin... më urreni, pasi ju pengoj që të gënjeni."


"Çeçenia: Turpi i Rusisë" është prezantimi me një individ që frymëzon kurajë për kohën tonë dhe për vende që sado jo në konflikt të armatosur, janë sëmurë nga mentalitete izoluese që pjell fanatizmi.


Kush është


Anna Politkovskaya, gazetarja ruse me origjinë ukrainase, bijë diplomatësh sovjetikë, u lind në Nju Jork, më 1958. Puna e saj si gazetare dhe sidomos si kritike e regjimit të Putinit dhe ushtrisë ruse u vlerësua maksimalisht. Reportazhet e saj nga Çeçenia e bënë të famshme në gjithë botën duke e ekspozuar njëherësh ndaj rrezikut.


Gazetare e "Gazeta e re", ajo është arrestuar e kërcënuar se do ta dënonin me vdekje.
Në shtator 2004, ndërsa tentonte të shkonte në Osetinë e Veriut, për të ndjekur rrëmbimin tragjik të fëmijëve në shkollën e Belsanit, ishte pre e një helmimi, për të cilin ajo akuzoi shërbimet sekrete ruse.


Për veprimtarinë e saj fisnike, ajo është vlerësuar me: Çmimin Penda e Artë për vitin 2004, nga Bashkimi i Gazetarëve të Rusisë; Çmimi i Madh për Gazetarinë i akorduar në vitin 2001 nga Human Rights, seksioni anglez i Amnesty International dhe Çmimin për Gazetarinë e Demokracinë, i akorduar më 2003 nga OSBE.

Shkruan për gazetarinë:

"Asnjë nuk mund të më heqë ndjenjën e fajit, që më bën të turpërohem kur jam përballë atyre që kanë sakrifikuar jetën për lirinë e tyre, për rezistencën time ndaj llojit të gazetarizmit që po vendoset në Rusi falë luftës "alla Putin".


E kam fjalën për një gazetari ideologjike pa të drejtë informimi, pa takime dhe bisedime me burimet, pa verifikim të fakteve. Për shembull, si ai i kolegëve, që të ulur pas barrierave të telit me gjemba në bazën ushtarake, i përcjellin Moskës "më të mirën e të përditshmes" të fshatarëve çeçenë.


Kjo lloj pune, që unë e mendoja se kishte vdekur bashkë me komunizmin, tani te ne konsiderohet si normë, dhe, veç kësaj është e njohur dhe e vlerësuar prej autoriteteve. Ndërsa, për sa i përket tipit tjetër të gazetarit, ai që hedh një vështrim pas asaj që ka ndodhur, jo vetëm që persekutohet, por gazetarëve u rrezikohet edhe jeta..."


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›